Gara për vaksinën kundër coronavirusit po vazhdon ende, por duket se një dozë e vaksinës nuk do të jetë e mjaftueshme për mbrojtje.

Një prezantuese e rrjetit kabllor, CBS, Norah O’Donell e pyeti Bill Gatesin se sa doza të vaksinës do të na duhen për shërimin e COVID-19.

Themeluesi dhe CEO i Microsoftit ka befasuar të gjithë me përgjigjen duke thënë se një dozë e vetme nuk do të jetë e mjaftueshme.

“Për momentin, nuk duket se ndonjë nga vaksinat që bëhen janë të mjaftueshme për tu mbrojtur me një dozë të vetme. Ndoshta vaksinat që do të bëhen më vonë do të na befasojnë pozitivisht. Por tani për tani, siç qëndrojnë gjërat, jo. Kur bëhet fjalë për të moshuarit, ata mund të kenë nevojë të marrin më shumë se dy doza”, tha Gates, transmeton Telegrafi.

Rreth dhjetë ditë më parë, 64-vjeçari apeloi që barnat për COVID-19 dhe një vaksinë e mundshme të jetë e disponueshme për vendet dhe njerëzit që u duhen më së shumti, dhe jo “ai që paguan më shumë”.

“Nëse thjesht lejojmë që ilaçet dhe vaksinat të shkojnë tek ata që paguajnë më së shumti, në vend të njerëzve dhe vendeve ku janë më të nevojshme, do të kemi një pandemi të gjatë, më të padrejtë dhe vdekjeprurëse”, tha ai në një video mesazh të publikuar gjatë një konference virtuale për coronavirusin.

Ndryshe, 15 milionë njerëz në mbarë botën janë infektuar me coronavirus gjersa kanë ndërruar jetë 618 mijë persona.