Spanja lejoi disa punonjës që këtë fillim jave ti rikthehen punëve të tyre, në fabrika, zyra apo vendet e ndërtimit, pasi kufizimet u lehtësuan në mes të pandemisë së koronavirusit.

Lehtësimi i masave vjen në kohën kur Spanja raporton shifra inkurajuese të viktimave dhe mes një optimizmi të kujdesshëm se pandemia mund të ketë arritur kulmin e saj.

Masa për të hequr kufizimet vlen për kompanitë dhe fabrikat, punonjësit e të cilëve nuk janë në gjendje të kryejnë punën e tyre nga shtëpia. Për ato firma që kanë festën e Pashkëve, rikthimi në punë do të bëhet të martën.

Rreth dhjetë milionë maska ​​u vunë në dispozicion nga autoritetet, duke u shpërndarë në stacione metro dhe treni njerëzve që përdorin transportin publik.

Por Spanja do të vazhdojë të mbetet e mbyllur, sa i përket dyqaneve me pakicë, bareve dhe restoranteve, përveç atyre që ofrojnë porositë në shtëpi.

Të hënën Spanja raportoi shifrat e saj më të mira të koronavirusit për tre javë. Numri ditor i vdekjeve ra përsëri, me 517 viktima.

Franca pritet të zgjasë bllokimin

Numri i përgjithshëm i vdekjeve në Francë nga koronavirusi është rritur në afro 14.400 – por për të katërtën ditë me radhë, më pak njerëz janë shtruar në kujdesin intensiv.

Zyrtarët shëndetësorë francezë deklarojnë se ka një ulje me 35 persona, dhe ky është një lajm i mirë sipas tyre.

Presidenti francez Emmanuel Macron do të jetë në një konferencë pasditen e kësaj të hene, ku pritet që të njoftojë zgjatjen e një bllokimi në mbarë vendin, i cili filloi në 17 Mars dhe u rinovua dy javë më vonë.