Në Shtëpinë e Bardhë, po diskutohet mundësia që presidenti Joe Biden të udhëtojë sa më shpejt dejt Europës, në mesin e një konflikti në Ukrainë që nuk po jep shenja zbutjeje. Disa ndihmës të rëndësishëm të tij, përfshirë dhe vetë numrin dy të administratës amerikane Kamala Harris apo sekretarin e shtetit, Antony Blinken e kanë vizituar tashmë kontinentin e vjetër në këtë kohë krize për të. Shtëpia e Bardhë po sheh mundësinë e një ndalese të kreut të shtetit amerikan në Poloni, por nuk përjashtohen edhe vende të tjera në Europë. Një plan i tillë megjithatë, ende nuk është finalizuar. Ajo cfarë Biden pohoi më herët është se SHBA-ja do të vazhdojë furnizimin e Ukrainës me armë, ushqime dhe para.

Drejt Kievit sakaq, udhëtojnë sot kryeministrat e Republikës Çeke, Polonisë dhe Sllovenisë, për të treguar atje mbështetjen “e qartë” për Ukrainën, e sulmuar prej Rusisë në 24 shkurt. Kreu i ekzekutivit cek, Petr Fiala, sqaroi në një postim në Twitter se tre liderët do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe kryeministrin Denis Shmyhal.

“Ne do të përcjellim mbështetjen e qartë të Bashkimit Europian për Ukrainën dhe lirinë dhe pavarësinë e saj. Në të njëjtën kohë, do të paraqesim një paketë të gjerë mbështetjeje për Ukrainën dhe qytetarët e saj. Komuniteti ndërkombëtar është informuar për këtë vizitë edhe nga organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara”, sqaroi ai. Në një deklaratë të qeverisë polake thuhet se kryeministrat do të veprojnë si përfaqësues të Këshillit Europian, ndërsa takimi është organizuar në bashkëpunim me presidentin e këtij këshilli, Charles Michel dhe kryetaren e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.