Edhe pse gjatë gjithë vitit 2019 opozita ka protestuar, eksponentë të lartë të saj sugjerojnë sërish të tilla organizime.

Një prej tyre është edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është i mendimit se opozita dhe shqiptarët duhet të ngrihen në protesta të pandalshme.

Në një intervistë për emisionin “Tempora” në RTV Ora Berisha tha se opozita duhet të udhëheqë popullin.

Vetëm protestat e vazhdueshme, tha Berisha, si në Armeni, Bolivi apo Bukuresht janë kyçi i fitores.

Sipas Berishës, Rama është armik i egër, pasi po bën spastrimin etnik të Shqipërisë.

Çfarë duhet të bëjë opozita?

Sali Berisha: Opozita dhe shqiptarët duhet të shpëtojnë këtë vend. Opozita duhet të bëjë atë që bëri në Bolivi, në Armeni, në Bukuresht, në të gjitha këto vende ku e çliroi vendin dhe që asnjëri prej tyre nuk krahasohej me Edi Ramën.

Një gjë ka, Edi Rama ia mbath i pari kur populli të ngrihet. Po ngrihet për shtetin ligjor, po ngrihet kundër krimit. Sot në burgje janë 5200 shqiptarë dhe jam i sigurt që kanë kryer vepra penale, po cili është morali?! Asnjëri prej tyre nuk është serial killer.

Zoti Berisha duhet ta udhëheqë opozita popullin apo e kundërta?

Sali Berisha: Opozita duhet të udhëheqë padiskutim, por edhe populli duhet të ketë një vetëdije të plotë sepse nëse nuk ngrihet në një protestë të qëndrueshme deri në fitore për të fituar nuk fitojnë.

Gjatë 2019 kishim disa protesta…

Sali Berisha: Ishin periodike ato, nuk ishin të qëndrueshme.

Ju sugjeroni që të ketë protesta të pandalshme, paqësore?

Sali Berisha: Absolutisht, vetëm protestat e pandalshme. Shiko çfarë ndodhi në Armeni, Bolivi, Rumani e me radhë. Protestat e vazhdueshme janë kyçi i fitores…

Paqësore duhet të jenë paqësore?

Sali Berisha: Protestat paqësore, me një shkallë të mos bindjes civile, por paqësore padiskutim. Të gjitha këto që përmenda unë i kanë patur paqësore. Mosbindja civile është mos ta lëshojnë sheshin. Çdo ditë që shkon është e vonuar.

Shqiptarët nuk duhet ti marrë dëshpërimi përpara. Edi Rama është armik i egër, unë e kam thënë me kohë këtë, por tani që hoqi maskën dhe doli një tradhtar, kreu aktin e tradhtisë së lartë ndaj Kosovës, po ai është një armik po kaq i egër ndaj qenies shqiptare. Po bën spastrimin etnik të Shqipërisë. Për ata që lexojnë po zbaton pikë për pikë platformën e Vaso Çubrilovicit ndaj shqiptarëve. Shqiptarët nuk po ikin se janë njerëz pa ndjenja atdhetare, po ikin vetëm e vetëm se një shpresë vrasës po i vret shpresën dhe po i poshtëron çdo ditë ata.