Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari ka deklaruar se pas tejkalimit të situatës do të gjejë kohë t’i përgjigjet ish-kreut të kësaj komune Sami Lushtaku ‘për të thënë shumë të vërteta që për të nuk do të jenë aspak të këndshme’.

Ai në një postim në Facebook shkruan se qytetarët do të njihen me gjendjen në të cilën e ka gjetur komunën pas marrjes së mandatit dhe të vërteta të tjera të kohës së luftës dhe paqes që më herët nuk i kanë ditur.

“Marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi, nuk do të merrem me deklaratat e tij derisa të përfundojë kjo pandemi, sepse fokusi jonë është menaxhimi efikas i situatës dhe përkrahja për qytetarët në nevojë”, është shprehur Jashari.

Ju pëlqen!

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Të dashur qytetarë,

Dje, pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarë dhe shoqëria civile kam reaguar ndaj mënyrës se si dega e PDK-së në Skenderaj po shpërndante ndihma me logo të partisë dhe duke cenuar integritetin e familjeve në nevojë.

Sot, me vjen mirë që ata që dje bënin fushatë me qytetarët në këtë situatë emergjente, paskan filluar të korrigjohen.

Pas reagimit tim, Sami Lushtaku paska vazhduar me shpifje e deklarata që askush nuk i beson.

Marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi, nuk do të merrem me deklaratat e tij derisa të përfundojë kjo pandemi, sepse fokusi jonë është menaxhimi efikas i situatës dhe përkrahja për qytetarët në nevojë.

Pas tejkalimit të situatës do të gjejë kohë t’i përgjigjem Samiut për të thënë shumë të vërteta që për të nuk do të jenë aspak të këndshme kurse qytetarët do të njihen me gjendjen në të cilën e kam gjetur komunën pas marrjes së mandatit dhe të vërteta të tjera të kohës së luftës dhe paqes që më heret nuk i kanë ditur.

Unë jam Kryetar i zgjedhur nga qytetarët, punoj me duar të pastërta, me transparencë e llogaridhënie, angazhohem për mirëqenien e qytetarëve dhe vlerësimin për punën time, projektet dhe të arriturat e komunës që unë udhëheqë e japin qytetarët me vullnet të lirë dhe pa ndikime.

Do të vazhdoj bashkë me qytetarët kundër së keqës!

Bashkë do t’ia dalim!

Panik JO, Kujdes Po!

Ndryshe, ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dje ka thënë se Bekim Jashari, pasi ka marrë postin e kryetarit të komunës, vazhdimisht është shndërruar në një figurë prej viktime dhe përçarësi, duke u munduar të ndërhyjë edhe në zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj.

“Unë nuk e shfrytëzoj pandeminë as për poenë politik e as për rritje të përkrahjes sime sepse përkrahje politike kam të mjaftueshme. Kjo të pengon ty. Sa i përket pakove ushqimore, ato janë kontribut i anëtarësisë së PDK-së në Skenderaj dhe i të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë prandaj kemi vendosur logon e degës. Merita është e të gjithëve dhe jo e imja. E di që do të doje që çdo gjë të kalonte përmes teje, por jemi në sistem demokratik dhe të gjithë kemi të drejtë të ndihmojmë sa kemi mundësi. Ashtu edhe do të bëjmë. Do të jemi afër qytetarëve si gjithmonë”, ka shkruar ndër tjera Lushtaku në Facebook.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!