Bebe Rexha ka folur për të parën herë hapur mbi sëmundjen nga e cila vuan, ç’rregullimin bipolar, duke thënë se askush nuk duhet të ndihet i turpëruar prej saj. Ylli i popit, emri i vërtetë i të cilës është Bleta, rrëfeu se kjo sëmundje të sjell luhatje të forta humori, e të bësh të kalosh nga një ekstrem në tjetrin.

“ Isha shumë e frikësuar”, tha ajo për revistën Self. “ Nuk doja ta mendoja se diçka nuk ishte në rregull me mua”. Por si e mori pastaj vendimin që t`ia tregonte të gjithëve problemin e saj përmes mediave sociale? “ Frika më e madhe e jetës sime ishte se mos çmendesha. Ndjeva se po të hapesha me fansat, më në fund do t`i thosha vetes se nuk do të kthehesha në të burgosurën e kësaj sëmundjeje.

E ndoshta, kjo do të bëjë dhe dikë tjetër të mos ndihet i burgosur, nëse në atë moment, edhe ata po kalonin një periudhë të vështirë. Kjo është arsyeja pse vendosa me të vërtetë që të hapem dhe ta çliroj veten nga e gjithë kjo”, tha këngëtarja shqiptare. Bebe rrëfeu gjithashtu dhe se çfarë frike kishte pasur përpara se ta hidhte këtë hap.

“ Është sikur të zhvillohet një luftë brenda kokës tënde. Ti mendon : A do ta prekë kjo karrierën time? A do të më gjykojnë njerëzit? A do të duan të punojnë me mua?” Kishte disa të dhëna se Bebe mund të vuante nga një lloj problemi mendor. Ç’rregullimet që kishte përjetuar, e ëma i quante : “ kodi i kuq”. “ Kaloja në dëshpërim e nuk doja të dilja nga shtëpia.

Më dukej sikur bota im po shembej”, ishte rrëfimi i këngëtares që shtoi se kishte pasur ndjesi të çuditshme dhe mendime jo normale, e madje i kishte ndodhur që kur ndodhej në sediljen e pasagjerit, t`i përshkonte trurin mendimi që të hapte derën e të hidhej!