Bashkimi Europian ka vendosur të mos njohë Aleksander Lukashenkon si president legjitim të Bjellorusisë. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell deklaroi para eurodeputetëve se unioni po bën gjithçka ka mundësi për t’i dhënë fund dhunës në Bjellorusi.

«Ne nuk e konsiderojmë Lukashenkon si të zgjedhur legjitim»,ka thënë ai.

Qëndrimi i BE-së pason zgjedhjet parlamentare në Bjellorusi që kanë gjeneruar një valë protestash dhe largimin nga vendi të lideres së opozitës. Unioni ka bërë thirrje që zgjedhjet e fituara zyrtarisht nga Lukashenko me mbi 80% të votave të ripërsëriten duke kërcënuar me sanksione. Aktualisht Lukashenko ka mbështetjen e Kremlinit që nuk pranon rrëzim nga pushteti me protesta të presidentit bjellorus që ka qenë një aleat i vështirë, por që tani mund të vihet më kollaj në brazdën e Kremlinit.

Një tjetër aspekt i kësaj situate është vlerësimi i rolit të OSBE-së nga Borrell. Sipas tij një nga qasjet e mira ndaj krizës është oferta e kreut të OSBE-së, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për të trajtuar me dialog çështjet e prodhuara nga zgjedhjet.

«Ne nënvizojmë faktin se nga këndvështrimi ynë, zhvillimi i zgjedhjeve nën mbikëqyrjen e OSBE-së do të ishte zgjidhja më e mirë, por deri më tani ka qenë e pamundur për të kontaktojmë autoritetet bjelloruse për këtë çështje», shtoi Borrell.

Situata është paradoksale dhe është e qartë se BE-ja nuk operon më mbi skrupuj moralë. Presidenca e OSBE-së që ka bërë oferta drejtohet nga një njeri që ndodhet në krye të vendit pas zgjedhjeve një partiake. Dhe që sot nuk arrin të përmbyllë një reformë të besueshme zgjedhore. Është disi e çuditshme sesi ky organizëm të mund të jetë partner i besueshëm në Bjellorusinë e Lukashenkos që i ka shembujt gati për të mbrojtur veten.