Sead Zimeri

Kam shkruar disa herë se bashkatdhetarët tanë nga Kosova dhe Shqipëria na shohin ne, shqiptarët e Maqedonisë, me një keqardhje të përzier me përbuzje. Gjithmonë sipas tyre, ne jemi, më shumë se sa është e pranueshme për ta, fetarë dhe fanatikë, injorantë dhe të turqizuar ose të arabizuar; gratë tona janë të mbuluara dhe traditat tona shumë të prapambetura.

Ne prishim imazhin e bashkatdhetarëve tanë që duan të europianizohen sa më parë dhe të shkëputen njëherë e mirë nga traditat e prapambetjes që u kujtojnë të shkuarën e tyre jo të largët. Një popull i vendosur për të ecur përpara nuk mund të pengohet në marshimin e tij avangardë nga të prapambeturit. Ata vazhdimisht na kujtojnë se kultura jonë është e stërmbushur me elementë lindorë, të cilët pengojnë marshimin e tyre drejt një emancipimi të gjithanshëm të shoqërive të tyre.

Nacionalizmi shqiptar që ata duan është nacionalizëm pa shqiptarët e Maqedonisë dhe këtë e shohim në shumë deklarata ku akuzohemi jo vetëm për prapambetje dhe fanatizëm fetar, por edhe se jemi në prag të humbjes së identitetit tonë kombëtar.

Se ne kemi problemet tona nuk e vë në dyshim, dhe se kultura jonë ka ngecur dhe në disa raste ka shkuar mbrapsht! Ne duhet të emancipojmë veten nga shumë tradita dhe vlera që na mbajnë poshtë. E pranoj dhe e kam thënë edhe vetë që jetojmë ende me mentalitet klanor.

Ajo që më shqetëson në këtë akuzë është se ata që akuzojnë nuk janë aspak në një gjendje më të zhvilluar dhe më përparimtare se ne. Gjithsesi nga jashtë disa prej tyre duken si europianë, por gërvishi pak dhe pas pretendimit të europianizmit qëndron një shqiptar mesjetar, më i prapambetur se populli shqiptar i Maqedonisë, që të paktën nuk pretendon se është i emancipuar apo i përparuar. Ne jemi të prapambetur, por nuk i kemi komplekset e inferioritetit që kanë bashkëkombasit tanë nga Kosova dhe Shqipëria përballë europianëve. Një inferioritet që më pas e shprehin në epërsi ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.