Ndërkohë që Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç falenderonte Edi Ramën, “pa vendosëmërinë dhe këmbënguljen e të cilit “Ballkani i Hapur” do të qe i pamundur, kryeministrit të Maqedonisë, mikpritësit të samitit të Ohrit, i kishte mbërritur një letër e kryeministrit tjetër shqiptar, Albin Kurti, i cili e dënonte këtë nismë. Në të thuhej se qëllimet e rajonit arriheshin “më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operojmë me rregullat dhe vlerat e BE-së dhe ku punojmë për të siguruar mekanizma të trajtimit të drejtë nga të cilët përfitojnë të gjithë qytetarët tanë në mënyrë të barabartë”.

Por, përpos preferencës për një proces me garanci BE-në, përpara atij që nuk mbështetet nga Brukseli, Albin Kurti, i cili vinte në dukje përgjatë letrës, se Serbia nuk i trajton të gjitha shtetet pjesmarrëse njësoj, shkruante: “është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë”.

Për të treja këto tema Edi Rama mendon komplet të kundërtën. Ashtu sikurse u pa nga fjalimi që mbajti dhe intervistat që dha në Ohër, ai i ironizoi ata që flisnin për ndikimin rus, u tall me burokracinë dhe luhatjet e BE-së që është shkatërruar nga përdorimi i shpeshtë i vetove, duke lavdëruar efikasitetin e “Ballkanit të Hapur” dhe së fundi ndryshe nga pretendimi i Prishtinës, se nuk mund të futet në një proces ku nuk e trajtojnë si të barabartë (Serbia nuk e njeh Kosovën), Rama pretendoi se vetëm bashkëpunimi çon tek pajtimi. Sikur këto të mos mjaftonin ai i shigjetoi me një mesazh indirekt Albin Kurtin: “Ballkani i Hapur as nuk ndalet, e as nuk mbyllet. Kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet. Kush heziton, është i destinuar të humbë kohë”.

Ju pëlqen!

Mjafton ky dialog në distancë, qëndrimet e parakordua dhe 180 gradë larg njëri tjetrit, për të kuptuar se sa të ndara janë Tirana dhe Prishtina për këtë temë.

Duke e ndjerë hendekun e hapur Edi Rama bëri disa lëvizje të sforcuara për të hequr fajin nga vetja. Fillimisht, një ditë para nisjes së takimit, duke postuar një foto me kryeministrin e tretë shqiptar në rajon, Dritan Abazoviçin, ai gënjeu publikisht se Mali i Zi po i bashkohej Ballkanit të Hapur.

Natyrisht kjo nuk qe e vërtetë dhe sikurse u pa edhe sot, Podgorica nuk firmosi asnjë nga marrëveshjet që nënshkruan Tirana, Beogradi dhe Shkupi. Lëvizja e dytë në fund të samitit ishte thurrja e lavdeve për kreun e BDI-së, Ali Ahmeti si një mbështetës i kësaj aventure. Rama e paraqiti ish kreun e UÇK maqedonase, që dikur kishte marrë armët kundër sllavëve, si shembullin që me bashkëpunim dhe reforma arrihen suksese si ato të shqiptarëve në Maqedoni.

Por të dyja fabulat konvergonin në një pikë. Në atë se shqiptarët janë në shumicë pro Ballkanit të Hapur dhe se fajtor për çarjen e tanishme mes Tiranës dhe Prishtinës është vetëm një njeri, Albin Kurti.

Ky truk i përgatitur me kujdes për të bërë fajtor kreun e Vetëvendosjes, mund të kishte funksonuar për momentin, sepse jo gjithkush e ka kujtesën aq të gjatë për të kujtuar se para Albinit, “Ballkanin e hapur” e kanë kundërshtuar të gjitha forcat kryesore politike në Kosovë.

Por, për fatin e keq të Edi Ramës skemën e prishi, ndoshta pa dashje, Aleksandar Vuçiçi. Ai e falenderoi publikisht Edi Ramën dhe theksoi se pa të, nisma e tyre do të ishte e vdekur.

Pas kësaj deklarate gjithkush mund të bëjë pyetjen: Pse këto merita të veçanta për Ramën nga presidenti serb? Pse pa të ky projekt nuk do të kishte funksionuar? Ku ndryshon ai nga bashkëthemeluesi tjetër, maqedonasi Zoran Zaev? Përgjigjja është e thjeshtë, sepse nëse kryeministri ynë do të kishte vepruar si Vuçiçi që e respekton kushtetutën e shtetit të vet për Kosovën, gjërat do të ishin ndryshe. Por Edi Rama, që e ka si një nga detyrat e tij mbrojtjen e interesave shqiptare kudo që janë i ka sakrifikuar ato të Kosovës për hir të Open Balkan. Prandaj ai mori lavdërimet e sotme. Pa të dhe pa nëpërkëmbjen që ai i ka bërë intereave të Kosovës, Ballkani i hapur do të ishte vërtet i pamundur. Dhe prandaj ato janë të mjafta për të kuptuar se kush është fajtor në hendekun e hapur mes Prishtinës dhe Tiranës, pavarësisht ngandonjë foto me një shqiptar si Ali Ahmeti apo gjysëm të tillë si Abazoviçi.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.