“ja tek e pa veten në breg të panjohur, nga të gjithë admiruar, kur shumëkush tutet duke e vështruar”… Këto vargje janë fillesa e Këngës së dytë të Çajld Haroldit dhe ajo vazhdimësi strofash magjepssëe që do përjetësonin shqiptarët, që kishin nevojë për pavdekësi. Duhen lëçitur e rilëçitur ato faqe për të ndier thellë entuziazmin që i ngjallte Bajronit, Shqipëria dhe shqiptarët; por, para atyre këngëve hyjnore, ne vazhdojmë të parapëlqejmë letrat, shënimet, kujtimet, gjithçka që, e shkruar nga penë më familjare dhe më pak e përpunuar, shfaq më shumë gjendjen shpirtërore të Lord Bajronit.

Ballkani gjëmonte në atë, kohë nga emri i një shqiptari i cili, bujar i thjeshtë, kishte arritur aq fuqi sa të kërcënonte seriozisht praninë e turqve në Evropë. Lavdia e Ali Tepelenës ishte shtrirë madje, gjer në Perëndim; kështu mbreti Gustave-Adolphe, duke shkuar për në Jeruzalem, ktheu rrugë enkas për t’u pjekur me të. Lord Bajroni, në një letër drejtuar së ëmës (Letra nga Preveza, 13 tetor 1809), flet për udhëtimin e tij nëpër Shqipëri dhe pritjen që i bëri atij, Aliu i Tepelenës: “Përshkova brendësinë e viseve të Shqipërisë, për të shkuar e për t’i bërë vizitë pashait. Shkova në Tepelenë, vendlindja e Lartësisë së tij (his Highness’s birth-place) rreth njëqind e pesëdhjetë milje larg që këtej, ku ndenja tri ditë. Pashai quhet Ali dhe është njeri me shumë zotësi; qeveris krejt Shqipërinë, domethënë: Ilirinë e lashtë, Epirin dhe një pjesë të Maqedonisë”

Përshtypja e atij udhëtimi gjithë magjepsje, përmes maleve të Shqipërisë, me bukuri të zymtë dhe madhështore shfaqet kryesisht në poemën e Çajld Haroldit. Ai i tregon të ëmës vizitën e tij në Janinë: “Kur mbërrita në Janinë, kryeqyteti i tij, pas një udhëtimi prej tri ditësh, mësova se Veziri ishte në Iliri, me ushtrinë e tij, për të rrethuar Ibrahim pashën në kështjellën e Beratit. Kishte marrë vesh se një anglez i shquar kishte ardhur për të vizituar shtetet e tij dhe kishte dhënë urdhra që, me të mbërritur unë, të më gatitnin një shtëpi dhe të më jepnin falas gjithçka që do të ishte e nevojshme. U bëra disa dhurata shërbenjësve, por as që bëhej fjalë që unë të paguaja gjithë sa konsumoja për vete”. Dhe më tej: “U hipa kuajve të Vezirit dhe vajta të shoh sarajet e tij dhe ato të nipërve; janë gjithë shkëlqim, por si shumë zbukuruar me ar e mëndafshe.” Nuk do vonojë dhe ai do rifillojë udhëtimin me kalë përmes udhëve të gjata, monotonia e të cilave i shpërblehet me hijeshinë e trevave që përshkon, “me bukurinë më fshatarake” që ka parë mëndonjëherë.

Ju pëlqen!

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!