Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka shkruar se koalicioni i dy partive që kanë marrë shumicën e votave në zgjedhjet e gjashtë tetorit duhet të bëhet. Ai i ka reaguar nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliut duke thënë se po sheh rrezik për karrierën e tij personale.

Përmes një shkrimi në Facebook, deputeti Bajqinovci ka shkruar se argumentet e disa zyrtarëve të LDK-së, për kinse tendencën e  LVV-së që ta nënshtrojnë Lidhjen Demokratike, nuk qëndrojnë.

“Ne vazhdojmë ta konsiderojmë LDK’në partnerin e vetëm të mundshëm me të cilin duam të qeverisim bashkë. Ne këtë po e tregojmë për çdo ditë me vullnetin për t’i diskutuar të gjitha mënyrat e mundshme për arritje të marrëveshjes.

Kjo marrëveshje duhet të arrihet pa humbur kohë, sepse përtej kritikave të ndërsjella, kemi vullnet të dyanshëm për koalicion i cili nuk duhet të pengohet nga zëra të përveçshëm që tashmë veç haptas dalin kundër marrëveshjes.

Pse dikush sheh rrezik për karrierë politike personale, nuk duhet që interesin afatgjatë të vendit, e të vet partisë politike së cilës i përkasin, të ja nënshtrojnë interesit personal”, ka shkruar ai.

Tutje, Bajqinovci thotë se koalicionin e duan qytetarët, strukturat dhe votuesit e dy partive.

“Koalicionin e duan qytetarët, e duan strukturat dhe votuesit e dy partive tona, e duan edhe miqtë e partnerët e Kosovës dhe sot, kontributi drejt realizimit të tij, është akt patriotik e shërbim i pakompensueshëm drejt demokratizimit të jetës politike e kthimit të shtetit në binarë të rendit dhe ligjit”, ka shkruar ai.