I realizuar edhe si film, romani “Hajdutja e librave” nga Markus Zusak që në momentin e publikimit tërhoqi vëmendjen e lexuesve dhe u shndërrua menjëherë në një bestseller të shitur anembanë botës. I vendosur në periudhën e vendimit për ekzekutimin e hebrenjve, ky roman bëhet akoma më prekës në këtësfond historik. Në qendër të romanit vendoset një vajzë e vogël që “vidhte” (nëse mund të quhet vjedhje) libra për të lexuar sa më shumë, e cila përjeton dhimbjet më të mëdha të jetës. Më poshtë do të mund të lexoni një nga fragmentet më prekëse të këtij romani.

“Duhet të nxitoj e të them se kishte një hapësirë të konsiderueshme kohe mes librit të parë të vjedhur dhe atij të dytit. Një pikë tjetër që ia vlen të përmendet është se i pari u vodh nga dëbora, i dyti nga zjarri. Nuk duhet harruar se kishte edhe libra që ia kishin dhënë. Gjithë-gjithë, zotëronte katërmbëdhjetë libra, por e shihte historinë e saj si të bërë më së shumti nga dhjetë prej tyre. Nga ata, gjashtë ishin të vjedhur, njëri se nga doli në tryezën e kuzhinës, dy ia dha një hebre i fshehur kurse njëri i erdhi një pasdite të argjendtë.
Kur filloi të shkruante historinë e saj, pyeste veten se kur librat dhe fjalët do të thoshin jo vetëm diçka, por gjithçka për të. Mos vallë qysh herën e parë kur i zuri syri rafte të mbushura me libra? Apo kur Maks Vandenburgu ia behu në rrugën Himel me librin “Majn Kampf” të Hitlerit? Kur lexonte në vendstrehime? Apo nga parada e fundit në Dahau? Apo për shkak të librit “Tronditësi i botës”? Ndoshta nuk kishte përgjigje të saktë se kur dhe ku i ndodhi kjo gjë. Sidoqoftë, le të vazhdojmë. Por së pari duhet të flasim pak për fillimet e Lizel Memingerit….”

” I tha me zë të lartë dhe fjalët fluturuan brenda një dhome të mbushur me ajër të ftohtë dhe libra. Ngado libra! Muret ishin armatosur të gjithë me rafte të tejmbushur me libra. Nuk dukej fare ngjyra e bojës pas tyre. Ishin të llojeve e madhësive të ndryshme, me shkronja të ndryshme në shpinat e zeza, të kuqe, gri, të çdo ngjyre. Ishte një nga gjërat më të bukura që kishte parë ndonjëherë Lizel Memingeri.
Buzëqeshi e mrekulluar.
Që ekzistonte një dhomë e tillë!”

“Menjëherë, dhoma u tkurr aq sa hajdutja e librave mund t’i prekte librat vetëm pas disa hapave të vegjël. Rrëshqiti dorën mbi shpinat e librave të raftit të parë duke mbajtur vesh fëshfërimën e thonjve nëpër ta. I tingëllonte si vegël muzikore. E provoi me të dyja duart. Në njërin raft pas tjetrit. Qeshi. Zëri i doli i lartë e kumbues nga gryka dhe, kur ndaloi në mes të dhomës, qëndroi disa minuta duke parë herë raftet e herë duart e saj.
Sa libra kishte prekur?
Sa kishte ndier?
U afrua dhe e bëri përsëri, kësaj radhe më ngadalë, duke e mbështetur të gjithë pëllëmbën pas gardhit me libra. I dukej si magji, si bukuri e madhe, si rrezet e dritës që dilnin nga shandani. Disa herë ndjeu dëshirën të nxirrte ndonjë libër nga vendi, po nuk guxoi t’ua prishte radhën. Ishin të përkryer.”

“Rudi Shtajneri flinte. Mamaja dhe babai flinin. Zonja Holcapfel, zonja Diler. Tomi Myleri. Të gjithë po flinin. Të gjithë po vdisnin.
Vetëm një person mbijetoi.
Mbijetoi se qe ulur në bodrum e po lexonte historinë e jetës së saj, po e kontrollonte për gabime.”

“Duart e shpëtimtarëve e nxorën Lizelin dhe i shkundën rrobat nga pluhuri.
– Vajzë, – i thanë, – sirenat u vonuan. Po ti ç’bëje në bodrum? Si e dije?
Nuk e vunë re që vajza mbante fort një libër në dorë. Përgjigjen e tha me një thirrje. Një thirrje e mprehtë prej të gjalli.
– Babi!
Edhe një herë tjetër. Fytyra iu shtrembërua nga paniku.
– Babi, babi!
E tërhoqën pas ndërsa ajo thërriste, qante e klithte. Nuk e dinte ende në ishte apo jo e plagosur, përpiqej t’u shpëtonte, thërriste e qante më fort.
Librin nuk e lëshonte.
Shtrëngonte me dëshpërim fjalët që i shpëtuan jetën.”