TREGIMI I LUMIT

Avni Dehari

Lumi, që ndjek mësimet në klasën e katërt, ‒ i tha një ditë gjyshit, që po shkruante në kompjuter:
‒ Gjysh, dua ta bëj një tregim.
‒ Tregim! Çfarë tregimi?
‒ Për celularin.
‒ Pak të duket që fëmijët po i dëmtojnë sytë me të. Do t’i nxitësh edhe me tregim, që të mos e heqin fare nga dora?
‒ Jo, gjysh, unë do t’i këshilloj ta përdorin sa më pak celularin.
‒ Ashtu…? Të shohim.
‒ Unë po ta them e ty shkruaj:
Disa fëmijë gabimisht mendojnë se celulari është më i mirë se libri, ‒ nisi të diktojë Lumi. ‒ Vërtet aty ka lojëra të mrekullueshme, me të cilat ata argëtohen, por ka edhe rreze, që ua dëmtojnë sytë. Në errësirë rrezet janë edhe më të dëmshme. Nuk them se fëmijë kurrë nuk duhet ta përdorin këtë mjet elektronik. Le të argëtohen me të në fundjavë, pra kur nuk shkojnë në shkollë. Edhe atë sa më pak. Kështu edhe argëtohen, edhe mësojnë ndonjë gjë prej tij. Më e shëndetshme është fëmijët të kënaqen me libra me përralla, me lodra të ndryshme dhe të luajnë në natyrë.
‒ Faleminderit Lumë për këtë tregim të mrekullueshëm. Besoj se tregimi yt te të vegjlit do të ndikojë më shumë se njëqind vërejtje e këshilla të mia.