FUQIA E ARSËS

Avni Dehari

Arsa sapo ka mbushur vitin. Ajo ka fuqi dhe trimëri të hatashme. Futet në xhungël dhe fare s’do t’ia dijë. E kap elefantin për feçkë dhe e hedh tutje, si të ishte një leckë. E përkëdhel gjirafën, që ngjan shumë me vinçin dhe kur i shkrepet e prapon pa ndonjë vështirësi. Ia fut dorën krokodilit në gojë, pa u frikësuar aspak.

Edhe po t’i nxjerrë gurmazin, ai nuk guxon ta kafshojë. Kështu sillet edhe me luanin e tmerrshëm, me tigrin e rrezikshëm, me leopardin e shpejtë, me rinoqerontin e trishtueshëm, me peshkaqenin, që m’i ka dhëmbët si sharrë, me balenën, që peshon me tonelata, me shqiponjën, që i ka kthetrat shumë të mprehta, me kobrën helmuese, që thumbon hapur e befasisht.


Të gjitha kafshët e shpezët, të rrezikshme a të parrezikshme, të vogla a të mëdha, të shpejta a të ngathëta, Arsa i vë përpara dhe nuk i jep pesë para. Nuk ju gënjej. E kam parë vetë dhe kam mbetur gojëhapur.

Nuk i bën syri tërr. Nuk më besoni? Ejani ta shihni. Do të bindeni dhe do të bëheni edhe ju si Arsa: të fuqishëm e trima të pashoq. E dini pse? Sepse kafshët e shpezët, me të cilat ajo sillet kësisoj, janë prej plastike a prej stofi. Ato zënë vend në këndin e lodrave, që pak më parë e quajta xhungël.

E shihni pra, nuk ju gënjeva!