Është ky Avni Dehari, humanisti, poeti, kritiku, këshilltari dhe aktivisti i pandalshëm politik, i cili me kënaqësi pranoj kërkesën tonë që të bashkëbisedoj me MekuliPress. Bashkëbisedimi bënë fjalë për situatën politike, emërimit të tij për kandidat për zgjedhjet nacionale nga Lëvizja Vetëvendose si dhe, pashmangshëm, për rolin e gazetarëve dhe mediave shqipe në mesin shqiptar. MekuliPress ju fton që të lexoni intervistën me Feniksin shqiptar; cilësi kjo, që më së miri e më së sinqerti e përshkruan babain, humanistin e hapëruesin epik, Avni Dehari:

MekuliPress: Z. Dehari, kush jeni ju?

Ju e dini se unë kam kaluar përafërsisht 20 vjet në mërgim, në Zvicër. Me t’u krijuar rrethanat për kthim në vendlindje, menjëherë pas luftës me familje jam vendosur me banim në Prishtinë. Në fillim jam punësuar në Radio Kosovën e Lirë. Që nga viti 2001 deri në vitin 2007 kam mbajtur pozitën e shefit të Divizionit për Arsim dhe Ekonomi në Departamentin e Çështjeve Jorezidente të Ministrisë së Kulturës, të Sportit dhe të Rinisë. Një kohë kam udhëhequr rubrikën e kulturës në të përditshmen “Lajm”, kurse nga viti 2008 deri në vitin 2012, kur jam pensionuar kam qenë korrektor gjuhësor (lektor) në Kuvendin e Kosovës. Në qeverinë e Albin Kurtit, për sa jetë që pati, kam qenë këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Këto i përmenda sa për njoftim se që nga vitet 80′-të i shekullit që iku e deri më tash asnjëherë, sa më shumë e sa më pak, nuk kam qenë jashtë rrjedhave politike.

Ju pëlqen!

MekuliPress: Qëkurë jeni kyqur në Lëvizjen Vetëvendosje?

Që nga themelimi i Lëvizjes Vetëvendosjes! kam mbështetur Programin dhe aktivitetin e këtij subjekti. Ardhja e Lëvizjes Vetëvendosje! në pushtet, më 6 tetor 2019, zgjoi shpresën në popull se qeverisjes së keqe do t’i jepej fund një herë e përgjithmonë. Për fat të keq subjekti i koalicionit me mbështetjen e gjithë atyre që nuk e donin ndryshimin e shumëpritur e rrëzoi Qeverinë e Albin Kurtit. Pra, tregtuan me vullnetin e zgjedhësve vetëm e vetëm për t’ia zgjatur jetën qeverisjes së keqe.

MeKuliPress: Ju kohën më të madhe ia kushtoni letërisisë, pra artit, të bukurës. Përse tani ju rikthyet politikës? E vlerësoni si detyrë, si mision apo si një vend pune kandidimin e juaj si deputet nga Vetëvendosje?

Kosova më 14 shkurt të këtij viti do të mbajë zgjedhjet parlamentare. Në mesin e kandidatëve për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje! jam caktuar edhe unë. Meqë jam në moshë, ka të tillë, aspak nuk ua zë për të madhe, që ma kanë shtruar pyetjen pse kam pranuar ofertën për deputet nga partia anëtar i së cilës jam me vite.
Të them të drejtën, edhe pse kohën më të madhe ia kushtoj krijimtarisë letrare, nuk kam mundur të mos e pranoj këtë ofertë qëllimmire, në këtë kohë, kur pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës e mbështesin me shpirt dhe presin me padurim ta shohin Vetëvendosjen në qeverisje. Do ta ndieja veten keq që në këtë lumë pritjesh të mira të mos e jepja edhe unë ndihmesën time për fitoren e madhe që populli e pret me padurim.

MekuliPress: Vetëvendosje e para, apo fituese e thellë?

Besoj shumë se Vetëvendosja me listën e Iniciativës Qytetare, me sloganin “GUXO” të Vjosa Osmanit, do të arrijë fitore bindëse në këto zgjedhje. Duke pasur parasysh gatishmërinë e qytetarëve për ta mbështetur ndryshimin dhe rezultatet e sondazheve, që janë bërë deri më tash, Vetëvendosja dhe Iniciativa Qytetare gjithsesi do të dalin të parët. Fitorja e 6 tetorit të vitit 2019 dhe rrëzimi i Qeverisë Kurti, pas pak kohësh, na thotë se vetëm dalja në vend të parë nuk mjafton dhe nuk duhet të na gëzojë edhe aq. Kur kemi parasysh rrethanat në të cilat gjendemi, vendi i parë, pa një dallim të madh nga i dyti e të tjerët, do t’i ngjante fitores së Pirros, pasojat e së cilës do të ishin të mëdha dhe shumë dëmshme për shtetin e Kosovës. Një fitore e madhe, që nuk ka dyshim se do të vijë, do të ndikojë fort të mos minohen si në të kaluarën themelet e qeverisë së re, që do të dalë si vullnet i popullit.

MekuliPress: Cila propagandë ishte më e ashpër e më e dëmshme; Ajo propaganda e mediave jugosllave kundrejt kombit shqiptar, apo kjo, e tanishmja, propagandë mediatike që po ndodhë sot nga mediat/analistët shqiptarë?

Në pyetjen tuaj për analistët dhe për mediat tona kam vërejtjet e mia. Një pjesë e tyre nuk e luajnë rolin për të cilin janë përcaktuar. Si të tillë ata pengojmë zhvillimet pozitive, pra me ndërskambca pengojnë vullnetin e qytetarëve që me të drejtë synojnë dhe angazhohen për jetë më të denjë. Analistët dhe mediat kanë ndikim të madh dhe shumë të rëndësishëm në formimin e vetëdijes politike të qytetarëve. Andaj të gjithë ata analistë dhe ato media të paanshme dhe që e bëjnë punën me përkushtim, pra që e ushqejnë pandalshëm shëndetin e demokracisë, i përshëndes nga zemra.

MekuliPress: Si e ka pranuar kandidimin e juaj hapsira publike shqiptare?

Që nga dita e shpalljes së listës së deputetëve të Vetëvendosjes telefoni im nuk pushon së cingëruari. Nga shumë vendbanime të Kosovës, nga rrethi i Kumanovës e më gjerë dhe nga mërgimtarët kudo që janë më vijnë përgëzime për përfshirjen time në këtë listë. Kjo më bën krenar dhe më obligon të jem në nivel të përgjegjësisë.

MekuliPress: A do të fitoj Kosova në këto zgjedhje?

Më 14 tetor të vitit 2021 qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh se cilit subjekt i takojnë, do të festojnë me shpirt për fitoren bindëse. Nuk ngurroj t’u them nga zemra të gjithë atyre që presin me padurim ndryshimin: URIME FITOREN E MADHE!

MekuliPress: Urime kombit dhe juve, feniksi ynë!

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.