Kreu i agjencisë së Gjermanisë për shëndetin publik ka thënë se është shumë i shqetësuar me rritjen e numrit të infektuarve me koronavirus në Gjermani, shkruan BBC.

Lothar Wieler, kreu i Institutit Robert Koch (RKI), ka thënë se gjermanët janë bërë “neglizhent” dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbajnë maska dhe të respektojnë rregullat e distancës fizike dhe mbajtjes së higjienës.

“Të gjithë duam që pandemia të mbarojë, por jemi në mes të saj”, ka thënë Wieler.

Ju pëlqen!

Në javën e fundit Gjermania ka regjistruar 3611 të infektuar të ri. Paralajmërimi nga Wieler ka ardhur në kohën kur shtetet nëpër Evropë po përballen me rritjen e numrit të rasteve të reja me COVID-19 dhe po ashtu me problemin e udhëtimeve të qytetarëve nëpër kontinent për pushime të verës.

Të martën Gjermania ka lëshuar paralajmërim për udhëtim për tri rajone të Spanjës – Aragon, Kataloni dhe Navarra – që së fundi kanë pasur rritje të numrit të rasteve.

Vendimi i Gjermanisë ka ardhur vetëm një ditë pasi që Britania e Madhe vendosi masë të karantinës prej 14 ditëve për të gjithë ata që vijnë nga Spanja, një lëvizje të cilën kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, e cilësoi si të padrejtës.

Gjermania të hënën ka njoftuar për programin për testim falas dhe të detyrueshëm për koronavirs për të gjithë udhëtarët që kthehen nga vendet e rrezikut të lartë. Në listë përfshihen edhe Brazili, Turqia e SHBA-ja, si dhe Kosova. Zyrtarët shëndetësorë të Gjermanisë kanë thënë se lista do të përditësohet në baza ditore.

Në konferencë për media të martën, Wieler, i ka kërkuar për herë të parë njerëzve që të mbajnë maska edhe në ambient të hapur nëse nuk mund të mbahet distanca fizike prej 1.5 metrave. Më herët ishte kërkuar mbajtja e maskave vetëm në ambient të mbyllur.

“Nuk e dimë ende nëse është fillimi i valës së dytë, por sigurisht se mund të jetë. Por, jam shumë optimist se nëse ndjekim rregullat e higjienës mund të parandalojmë këtë”, ka thënë Wieler, transmeton BBC.

Në përgjithësi, Gjermania ka regjistruar 206.242 raste me COVID-19, ndërsa 9122 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet.

Por, në ditët e fundit numri i rasteve është rritur dukshëm. Të martën ka regjistruar 633 të infektuar të rinj, gati dyfishë më tepër se të hënën, kur ishin 340 raste të reja. Mesatarisht gjatë javës së kaluar ishin 557 raste të reja, krahasuar me rreth 350 sa ishin në fillim të qershorit.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!