Austria do të bëhet vendi i parë që do të kthejë izolimin vetëm për personat e pavaksinuar, ndërsa infektimet me Covid-19 prekën një rekord të ri në 24 orët e fundit. Rreth 65 për qind e popullsisë është imunizuar kundër koronavirusit, sipas statistikave kombëtare.

Megjithatë, sipas të dhënave të qendrës europiane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, vendi ka nivelin më të ulët të vaksinimit në Europën Perëndimore, me përjashtimn të Lihtenshtejnit. Alexander SchallenbergKancelar i Austrisë

“Izolimi kombëtar për të pavaksinuarit është me shumë gjasë i pashmangshëm. 2/3 e njerëzve nuk duhet të vuajnë për shkak të hezitimit të të tjerëve”, deklaroi kancelari i Austrisë Alexander Schallenberg.

Sipas një plani të qeverisë, pasi 30 për qind e shtretërve në terapitë intensive të jenë ezauruar, personat e pavaksinuar do t’u nënshtrohen rregullave të bllokimit, që parashikojnë daljen nga shtëpia vetëm për qëllime thelbësore, si për të shkuar në punë, për të blerë ushqime apo për t’u stërvitur.

Rajoni i Austrisë së Sipërme, që ka nivelin më të ulët të vaksinimit dhe numëron me shumë infektime, duket se do të jetë i pari që do të izolojë të paimunizuarit. Austria ka marrë një sërë masash për të frenuar pandeminë, dhe për të nxitur vaksinimin.

Të hënën, hynë në fuqi rregullat e reja, që ndalonin hyrjen në ambiente të mbyllura të personave që nuk provonin vaksinimin apo shërimin nga Covid-19.