Agjencia Informative e Sigurisë Serbe (BIA) ka mohuar përfshirjen e trupave të shërbimit serb në atentatet kundër ish-raportuesit të Keshillit të Europës, Dick Marty. Me anë të një letre dërguar shërbimit Federal të Inteligjencës Zvicerane, BIA ka dënuar pretendimet dashakeqe mbi tentativat e marrjes së jetës së Marty-t.

“Në këto kohë të vështira, pretendime të tilla i shkaktojnë padrejtësisht dëme të pallogaritshme Serbisë dhe reputacionit të BIA-s dhe anëtarëve të saj, të cilët janë të përkushtuar dhe profesionistë në kryerjen e detyrave të tyre të punës ekskluzivisht në përputhje me ligjin. Përkundër të gjitha presioneve dhe përpjekjeve për të destabilizuar, BIA do të vazhdojë të punojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Serbisë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në deklaratën e “BIA”-s.

Kujtojmë se në një intervistë të publikuar dy ditë parë, Marty pretendoi se disa qarqe të lidhur me shërbimet serbe i kanë kërcënuar jetën. Ai së bashku me familjen e tij janë vënë nën mbrojtje, ndërsa ish-raportuesi i Këshillit të Europës shtoi se faji për vrasjen e tij do t’i vendosej Kosovës.