Shkruan Kadrush Radogoshi

ATENTATI GJUHËSOR NDAJ SHTETËSISË SË KOSOVË

Gjuha, pos shumë funksioneve tjera shoqërore, vret jo vetëm shpirtra njerëzorë, por edhe nxit luftëra dhe mund të vrasë edhe shtete, prandaj njerëzit kanë përgjegjësi ndaj fjalës, që thonë apo shkruajnë. Kjo përgjegjësi nuk është e njëjtë për të gjithë njerëzit dhe ekzistojnë shkallë të ndryshme të saj, të cilat fillojnë nga përgjegjësia e fëmijës për ta mësuar e shqiptuar drejtë fjalën, për të vazhduar me përgjegjësinë e prindit, mësuesit, qytetarit, gazetarit, funksionarit shoqëror të gjitha niveleve e deri te udhëheqësit e institucioneve më të larta të një shteti. Sa më i lartë të jetë pozicioni shoqëror i atij, që e shqipton apo e shkruan fjalën, aq më e madhe është përgjegjësia. Fjala e tyre e matur, e arsyeshme, elokuente e mbi të gjitha e sinqertë dhe e bindëse e shprehur me një ton miqësor shpreh nivel kulturor e në të njëjtën kohë është faktor i kohezionit shoqëror. Por fjala e përdorur për të maskuar veprimet antiligjore të funksionarëve shtetërorë, kuptohet e shqiptuar me një ton pasinqeriteti, krijon një iritim te qytetarët. Papërgjegjshmëria ndaj fjalës publike e funksionarëve të lartë shtetëror mund të arrijë deri në atë nivel sa t’i rrezikojë seriozisht interesat shtetërore. Pikërisht të tilla janë deklarimet e fundit para mediave të disa prej udhëheqësve më të lartë të Kosovës si Hashim Thaçit e Behxhet Pacollit. Të shikuara nga pikëvështrimi ndërkombëtar ato janë atentatore të shtetit të Kosovës, ndërsa autorët e tyre më së buti mund t’i quanim me togfjalëshin “kaos-politikanë” autor i të cilit është njëri nga shtatë etërit themelues të SHBA Benjamin Franklin.
Togfjalëshat “kompani kriminale”, “organizim kriminal”, “për qejf” , “e kam mund vazhdimisht”, “le të vinë në guxofshin (në shtëpinë time se i pres K.R.) janë margaritarët e zi leksikorë të njeriut, që mban karrigen e Kryetarit të shtetit. Këta togfjalësha iu adresohen Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçlës, Lëvizjes Vetvendosje dhe qytetarëve të paparti (besa edhe anëtarëve të LDK, të cilët e identifikojnë veten me Ibrahim Rugovën dhe Fehmi Aganin) që nuk pajtohen me politikën e tij shkatërrimtare për Kosovën.
Ta etiketosh kriminel para kamerave televizive kryeministrin, politikanin më të votuar në dy parë zgjedhjet e fundit, liderin e partisë fituese të zgjedhjeve nacionale në shtetin, kryetar i të cilit je, është nonsens për botën e kulturuar e demokratike, është grusht i fortë në fytyrën e shtetit tënd, është një aprovim i propagandës shtetërore serbe ndaj Kosovës. Kryetari i shtetit pasi ka thyer rregullat e protokollit shtetëror, duke kaluar kufirin shtetëror në kohë pandemie në pyetjen e gazetarëve se pse ke qenë në Shqipëri përgjigjet me togfjalëshin “për qejf”, të cilin e shqipton me arrogancë e mospërfillje. Në vend se diskursi i kryetarit të shtetit t’i bëjë jehonë obligimit kushtetues për të qenë simbol i unitetit dhe koherencës kombëtare, ai na del etiketues, fyes dhe i bën jehonë përçarjes brenda shoqërisë dhe shtetit të Kosovës. Togfjalëshi “e kam mund sa herë kam dashtë” tregon katërçipërisht se Kosova ka pasur fatkeqësi të madhe, kur një njeri me mendësi primitive, i cili konkurrencën demokratike e konsideron arenë mundjeje, arenë gladiatorësh në të cilën njëra palë duhet të vritet, të asgjësohet. Kjo mendësi parake për ta zhdukur kundërshtarin nuk njeh asnjë rregull dhe e konsideron legale dhe legjitime çdo mënyrë dhe çdo mjet.
Behxhet Pacolli, në fund të odiseadës së tij të kthimit në Kosovë, në kohë pandemie, për të siguruar dy votat e domosdoshme të deputetëve të partisë së tij për kontrabandimin e një qeverie antikushtetuese e të varur nga votat tmerrësisht kushtëzuese të deputetëve të Lista Sërpska, instrument i drejtëpërdrejtë i qeverisë së Serbisë, në aeroportin e Prishtinës deklaroi para kamerave televizive “ jam frikësuar se shteti im po bën ndonjë akt terrorist gjatë aterrimit të aeroplanit tim”. Njeriu që i shqiptoi këto fjalë ka përgjegjësi të madhe ndaj fjalës publike sepse ka qenë kryetar i Kosovës, zëvendës i kryeministrit të Kosovës, ministër i punëve të jashtme, ndërsa në këtë legjislaturë është deputet i Kuvendit të Kosovës. Një akuzë e tillë ndaj shtetit të vet është atentat ndaj autoritetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Me çfarë fytyre mund të kërkonte pranimin e shtetësisë së Kosovës nga ndonjë shtet normal Zotëri Behxhet Pacolli? Kujtdo që do t’i drejtohej me një kërkesë të tillë me siguri përgjigjja do të ishte: “Ne nuk mund të njohim shtete terroriste!” Shtrohet pyetja se a mund t’i thoshte ish krye diplomati i Kosovës në të ardhmen ndonjë burrështetasi se shteti i tij nuk është terrorist, por është demokratik dhe shumë funksional? Normalisht që jo, sepse edhe presidenti i tashëm edhe ish presidenti dhe ish krye diplomati e pohuan publikisht se shteti i tyre qenka shtet terrorist.
Ky diskurs vrasës i Hashim Thaçit dhe Behxhet Pacollit ndaj kundërshtarit të tyre politik Albin Kurti e ka dëmtuar rëndë, në radhë të parë, Shtetin e pavarur të Kosovës, ndërsa kundërshtarin e tyre politik mund ta rris në sytë e popullit dhe botës demokratike ndërkombëtare. Me këtë diskurs vetëvrasës, këta dy politikanë kanë dërguar ujë të bollshëm në mullirin e propagandës antikosovare serbe, e cila edhe pa këta është shumë aktive.
Duke përfunduar këtë shkrim mund të konstatojmë se diskursi i këtyre dy politikanëve të lartë ka shprehur urrejtje, e ka zbritur shumë poshtë nivelin e kulturës së komunikimit dhe autoritetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Një diskurs i tillë i shpifjes, etiketimit, urrejtjes e poshtërimit të kundërshtarit politik, pas të cilit qëndron pjesa më e madhe e popullit është një thirrje për prishje të koherencës sociale e për konflikt qytetar. Në këtë kontekst ndërhyrja e prokurorit shtetëror do të ishte një dëshmi e funksionimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!