Ata që luftuan për lirinë

Mendoj se çdo vend që synon zhvillim të dinjitetshëm, duhet të tregojë respekt dhe vlerësim për veteranët e ushtarakët, sidomos për pjesëmarrësit në një luftë çlirimtare.
Ky respekt e vlerësim duhet reflektuar edhe materialisht, duke u siguruar banim e pension dinjitoz, si dhe përkujdesje të shtuar për fëmijët, sidomos ata të dëshmorëve. Domosdoshmëri është kjo, jo opsion. Nëse një komb i përbuz veteranët, askush më nuk do të luftojë për të.
Mbase, disa nga ish-komandantët në Kosovë, të trembur prej mosmirënjohjes popullore pas çlirimit, ia mësynë vetë, sepse u është dukur e padurueshme që edhe pushtetin edhe të mirat materiale, si para lufte si pas lufte, t’i mbajnë të njëjtët, ata që duke bashkëpunuar me regjimin shtypës e pushtues, kishin siguruar diploma, përvojë profesionale e qeverisëse, dhe shtireshin tashmë si “aristokratë”, ndërsa çlirimtarët i shihnin ashtu siç ishin shumica e tyre, të varfër, të arsimuar shkel e shko, që s’dinin të visheshin e të kriheshin, që flisnin keq gjuhë të huaja e që shqipen e kishin ndonjëherë të varfër sa veten.
Problemi është se, në këtë mësymje, ish-komandantët u fokusuan te vetja dhe harruan shokët e popullin, të cilin deshën të çlironin. Dhe si përfundim jo vetëm që nuk e ndërtuan shtetin që respekton veteranët çlirimtarë, shumica e të cilëve mbetën të varfër, të pandihmuar e të paragjykuar, por, paradoksalisht, u përqafuan me “aristokratët” e dikurshëm e me pasardhësit e tyre, me kolaboracionistët e me shtresën e vjetër. U nisën kundër tyre e në emër të popullit e të luftëtarëve, dhe përfunduan bashkë me ta, në parti e qeveri, kundër popullit dhe shumicës së ndershme e të harruar të luftëtarëve.
Kështu erdhëm këtu.
Kur i shoh më vjen keq, edhe për gjyqin që po u bëhet në gjykata e jashtë gjykatave, por sidomos më vjen keq që naivisht kanë rënë në kurthin e konformistëve të vjetër sa bota, atyre që mblidhen rreth çdo të forti me servilizëm kalbës, deri sa t’ia lënë pa oksigjen idealin./Arbër Zaimi/

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.