Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka reaguar ndaj ndarjes së çmimin “Nobel”, për Peter Handke.

ASHAK në reagimin e nënshkruar nga Kryetari i sapozgjedhur i saj Mehmet Kraja, thekson se Handke ishte mbështetës pasionant i Millosheviqit dhe vrasjes së popujve.

“Me indinjatë të thellë morëm lajmin e shëmtuar se laureat i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 është shkrimtari Peter Handke, një eksponent i shquar i ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve dhe mbështetës i pasionuar i Milosheviqit dhe i luftërave të tij gjenocidale në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën. Si Akademi e një shteti të sapo krijuar mbi vlerat perëndimore të lirisë së popujve dhe institucion që edhe vetë ka vuajtur segregacionin dhe aparthejdin e një regjimi të urryer dhe luftën e tij shfarosëse, nuk kemi besuar se kaq shpejt do të përballemi me humbjen e kujtesës dhe amnistinë morale të atyre që mbështeten me aq pasion një vrasës të popujve, siç bëri laureati i juaj, Peter Handke. Mospajtimi i thellë me angazhimet politike dhe deklarimet publike të Handkes, bashkë me mbështetjen e pakursyer të mbarë botës progresive, përfshirë edhe Suedinë, bëri që sot popull ynë të njohë lirinë dhe jetën e dinjitetshme- shkruan në reagim.

Akademia e Shkencave tutje në reagim thotë se Handke kishte gjetur strehë në anën e errët të historisë.

“Peter Handke nuk ishte në anën e drejtë të historisë së popujve të Ballkanit dhe as të Kosovës; nuk ishte në anën e ndritshme të ideve, por gjeti strehë në anën e errët të ngjarjeve tragjike të Ballkanit. Si rrallë ndokush tjetër, ai mori pjesë në varrimin e Milosheviqit dhe deklaroi: “Nuk e di të vërtetën. Por unë shoh. Unë ndjej. Unë mbaj mend. Andaj jam këtu sot, pranë Jugosllavisë, pranë Serbisë dhe pranë Sllobodan Milosheviqit.” Më herët, në maj të vitit 1999, ai u deklarua kundër bombardimeve të NATO-s, duke thënë se Aleanca Veriatlantike nuk është duke parandaluar Aushvicin e ri, por është duke e krijuar atë. Ai sulmoi pa dallim të gjithë ata që mbështetën ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, qofshin politikanë apo dijetarë të shquar të mbarë botës. Ende sot trazojnë Ballkanin aq shumë viktima pa varre, të cilat kërkojnë prehje dhe drejtësi “. /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!