Nostalgjia, konsiderohet si një ndjenjë e fortë e dëshirës, apo e dashurisë për të kaluarën. Pavarësisht nëse është një kujtim i fëmijërisë, një këngë, apo një aromë, nostalgjia është pjesë e jetës së shumë njerëzve. Por pse ndodh ajo? A është një ndjenjë fizike, apo lind dhe mbaron gjithçka në kokën tonë?

Nuk lidhet vetëm me kujtimet

Shumica e njerëzve, mendojnë se nostalgjia ka lidhje me kujtimet e bukura të së kaluarës. Në fakt, ajo ka shumë pak të bëjë me vetë kujtimet. Kjo pasi ndjenja e nostalgjisë është e lidhur me gjendjet emocionale, dhe jo me kujtimet.Mendjet tona lidhin emocione të ndryshme me periudha kohore dhe vende nga e kaluara jonë, duke na bërë të përhumbemi në ato përvoja.

Dikur cilësohej si një sëmundje

Termi nostalgji, u përdor për herë të parë në vitin 1688 nga mjeku zviceran Johanes Hofer. Në një raport mjekësor, ai shkroi se nostalgjia ishte një sëmundje vdekjeprurëse, e cila nuk kishte kurë. Edhe përpara tij, nostalgjia ishte e lidhur me ushtarët zviceranë, të cilët prekeshin nga kjo “sëmundje”.

Prej saj vijnë përfitime shëndetësore

Me kalimin e kohës, imazhi i nostalgjisë u përmirësua. Tani mendohet se nostalgjia ka shumë ndikime pozitive në mendjen tonë. Psikologia Kristian Batço, ka zbuluar se ndjenjat e nostalgjisë mund të rrisin pozitivitetin dhe kreativitetin. Ndjesia qetësuese që sjell nostalgjia, mund të zvogëlojë stresin. Ajo mund të ndihmojë edhe ata që vuajnë nga depresioni, pasi akti i risjelljes ndërmend të kujtimeve, mund të ndihmojë në parandalimin e vetmisë dhe ankthit.

Ndikon shumë tek vendimmarrja e njerëzve

Kur mendojnë për kujtimet e lumtura të së kaluarës, njerëzit kanë dëshirë t’i përsërisin ato kujtime edhe në të tashmen. Kjo i nxit disa njerëz t’i përsërisin zakonet e mira, pasi i bën ata të ndihen më mirë. Për shembull, nostalgjia i bën njerëzit të duan të bëjnë punë vullnetare. Por ajo mund të nxisë edhe zakonet e këqija. Kjo është arsyeja pse shumë fëmijë, që janë rritur nga prindër abuzive, do të martoheshin me një bashkëshort abuziv.

Forca nxitëse e nostalgjisë është aroma

Lidhja midis aromës dhe emocionit, u bë në fillim të viteve 1900 nga Sigmund Frojd. Hunda lidhet me lobin e nuhatjes, një pjesë e trurit, e cila luan një rol në shkaktimin e emocioneve. Për pasojë, aromat janë në gjendje të prodhojnë një ndikim tek emocionet, sesa çdo shqisë tjetër. Kjo dukuri e njohur si tërheqja e nuhatjes, është arsyeja se përse furrat e bukës, lejojnë që aroma e produkteve të tyre të shpërndahet lirshëm nëpër dyqan.
Ndikon tek brezat e ndryshëm në mënyra të ndryshme

Në një studim të vitit 1991 në Çigago, 989 persona u pyetën se çfarë arome i kujtonte fëmijërinë e tyre. Rezultoi se 87 për qind e tyre që kishin lindur më 1930 ose më vonë, shfaqën shenja të kujtesës së shkaktuara nga aroma, në krahasim me vetëm 61 për qind të atyre të lindur para vitit 1930. Kjo nënkupton se të rinjtë, priren të kenë më shumë ndjenja nostalgjike të shkaktuara nga aroma, sesa njerëzit e moshuar. Dhe kjo ka kuptim, pasi ndjenja e aromës tek një person zakonisht dobësohet me kalimin e moshës.

Nostalgjia mund të shkaktohet, jo vetëm nga kujtimet e të kaluarës

Njerëzit mund të ndiejnë nostalgji, për gjërat që ndodhin në të tashmen. E njohur si nostalgjia paraprake, kjo dukuri ndodh kur dikush fillon të ndiejë një dëshirë të madhe për pjesë të së tashmes, para se ato të zhduken në të ardhmen. Ky variant i nostalgjisë, ka shumë ndikime negative në mendje. Nostalgjia paraprake, çon në marrëdhënie të dobëta dhe aftësi më të këqija sociale.

Mund të përdoret për kurimin e disa sëmundjeve

Sëmundje të tilla si Alzheimeri dhe depresioni, mund të ndihmohen me terapinë e bazuar tek nostalgjia. Psikologu Tim Uajlldshut, beson se nostalgjia mund të përdoret për t’i larguar nga makthet viktimat e ngjarjeve të tmerrshme, dhe orientuar ata drejt kujtimeve më pozitive.

Por mund të përdoret edhe për qëllime negative

Nostalgjia përdoret shpesh në fushën e marketingut. Duke përdorur gjërat e fëmijërisë së brezit të adoleshentëve dhe të rinjve të sotëm, për të promovuar produktet e tanishme, kompanitë përpiqen t’i bëjnë njerëzit të ndiejnë një lidhje emocionale me atë që po reklamohet, çka çon në një nxitje më të fortë për ta blerë atë. Megjithëse kjo nuk është diçka në thelb e keqe, sigurisht që është një mënyrë për të manipuluar konsumatorët, duke evokuar ndjenjat e tyre të pandërgjegjeshme.