Dritan Goxhaj

Që disa ditë në Kosovën tonë ka nisur një debat mediatik dhe virtual për dhe mbi arkivat e UҪK-së. Janë përzier në të politikanë, ish pjesëtarë të UҪK-së si dhe shumë nga ata që gjatë luftës ose ishin fëmijë ose bënin sehirxhiun.

Gjithsesi mua nuk më shqetëson aspak përdorimi që po i bëhet kësaj teme për përfitime politike nga të gjitha krahët. Mua më shqetëson kur një pjes e këtyre të përfshirë në këtë debat, me vetëdije ose pa vetëdije, po denigrojnë dhe sulmojnë UҪK-në dhe vlerat e saj. Të dyja këto kategori kanë marrë flamurin e po deklarojnë se UҪK-ja nuk ka arkiva.
Atëherë, për ata që pa vetëdije po e bëjnë këtë deklaratë po ju tregoj sesi ka qënë e strukturuar UҪK-ja dhe sesi funksiononte kjo strukturë:

Ushtria Ҫlirimtare e Kosovës udhëhiqej nga Shtabi i Përgjithëshëm i saj.
Nën komandën e këtij shtabi vinin komandat e Zonave operative.
Ҫdo Zonë Operative kishte nën komandën e saj Brigadat e këtyre zonave, dhe çdo Brigadë kishte nën komandë Batalionet e sajë të cilat në përbërje të tyre kishin kompanitë të cilat përbëheshin nga togat dhe skuadrat.

Ju pëlqen!

Ndërsa Shtabi i Përgjithëshëm përbëhej nga këto drejtori:
1. Drejtoria Operative
2. Drejtoria e Ndërlidhjes
3. Drejtoria e Llogjistikës
4. Drejtoria e Zbulimit
5. Drejtoria e Shërbimit Infromativ
6. Drejtoria e Xhenios
7. Drejtria e Mjekësisë
8. Drejtoria Politike
9. Drejtoria Juridike
10. Drejtoria e Kimisë

Drejtuesit e të gjitha këtyre drejtorive përbënin Shtabin e Përgjithëshëm dhe të gjitha këto drejtori merrnin informacione ditore nga Zonat Operative dhe në raste të veçanta edhe direkt nga Brigadat. I gjithë ky informacion arkivohej, dhe mbi bazën e këtij informacioni, më pastaj, shtabi merrte vendime dhe lëshonte urdhërat përkatës.
Drejtoria e Shërbimit Informativ, e cila grumnbullonte të dhëna nga çdo njësi dhe mbi aktivitetet e veprimtarisë të forcave armike si tek popullsia civile por edhe në rradhët tona nëse ekzistonte.

Drejtoria juridike ka arkivën e saj mbi të gjitha proçeset juridike dhe gjyqësore që ajo ka mbajtur gjatë luftës.
Po ashtu edhe Drejtoria e Mjekësisë mbi të gjitha spitalet e zonave dhe ushtarët e plagosur e të kuruar në to.

Në arkivat e UҪK-së janë planizimet, vendimet luftrake dhe detyrat e dala prej tyre, urdhërat luftarakë si dhe urdhërat gjatë zhvillimit të luftimeve, protokollet e mbledhjeve të SHP, ditaret e veprimeve luftarake, zbardhja e mbledhjeve të SHP dhe korespondenca midis SHP të UҪK-së me Komandantin e NATO-s dhe me aviacionin e NATO-s (bashkveprimi luftarak UҪK-NATO), regjistrimet filmike të mbledhjeve të ndryshme dhe ato urgjente të SHP, komunikimet me komandat e zonave dhe të atyre me brigadat dhe dokumentacioni i zonave dhe i brigadave me njësitë e repartet vartëse, ditaret e veprimeve luftarake të zonave dhe brigadave, dhe veçanërisht bashkveprimi e bashkrendimi luftarak me NATO-n, që nxjerr në dritë se pa këtë bashkveprim luftarak, NATO nuk godiste dot as edhe një tank apo godinë.

Më datë 12 qershor Shtabi i Përgjithëshëm i UҪK-së dërgon një qarkore te gjitha komandave të Zonat Operative që të urdhërojnë çdo njësi nën varësi të tyre deri në skuadër që të dorëzonin në arkivin e SHP listat organike të njësive dhe rendimeve luftarake te, si dhe të grumbullohej çdo ditar i çdo ushtari dhe pjesëtari të UҪK-së, dhe brënda muajit qershor të dorëzoheshin në selinë e Shtabit të Përgjithëshëm. Dhe pothuaje deri në fund të muajit u dorëzuan të plota të gjitha listat organikat si dhe gjithë dokumentacioni përkatës sipas qarkores.

Pra të gjitha këto përbëjnë atë që quhet arkiva e UҪK-së. Në rast se arkivi i Kosovës nuk i posedon këto, atëherë na lind e drejta të mendojmë se ato nuk janë dorëzuar qëllimisht.
Kuadrot e larta ushtarake si Agim Ҫeku, që kanë një shkollim ushtarak dhe që kanë njohuri mbi strukturën e një ushtrie dhe funksionimin e një ushtrie, duhet ta dinë që dokumentacioni janë ABC e këtij shkollimi.

Të mohosh ekzistencën e një arkive të tillë, vështirë ta bëjnë atë nga padija. Ndoshta ky mund të mos e dijë si ka funksionuar UҪK-ja, ngaqë ai vetëm 45 ditët e fundit të luftës ishte prezent (28 prill- 12 qershor).

Është edhe më e rëndë më kur këtë deklaratë për mos ekzistencë të arkivave të UҪK-së e bëjnë me vetëdije të plotë, ndoshta për t’i shërbyer atyre që e sollën në fund të luftës.
Duhet të ndihen të turpëruar të gjithë ata, që me vetëdije ose pa vetëdije e bëjnë një deklaratë të tillë, pasi kjo deklaratë jo vertëm që e cënon vlerën e UҪK-së, pasi e paraqet atë, më e pakta si një turmë të armatosur dhe të pa organizuar, gjë që i vjen në takim shprehjes së prokuroris speciale që e cilëson UҪK-në ” Ndërrmarrje kriminale”.
Ndaj ju them që mblidhni mendt e kokës e mos u turpëroni, mblidhni mendt e kokës e mos e mohoni UҪK-në për interes të askujt, pasi UҪK është pasuri e Shqiptairsë e me të krenohen gjithë shqiptarët kudo ku janë.

Mos u bëni vegël e dreqit se edhe Naim Frashëri na e thotë në poemën ”Tradhëtorët”:
Hiqni dorë hiqni dorë
Mblidhni mëntt e turpërohi
Mos u bëni tradhëtorë
Se pastaj do të pendohi.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.