Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, ka reaguar pas mbajtjes së koncertit të këngëtarit serb Goran Bregoviçit në Korçë.

Ai ka mbrojtur korçarët, duke thënë se ata masivisht hoqën dorë nga pjesëmarrja në këtë koncert.

Sipas tij, ata këtë e bënë sepse koncerti lëndonte ndjenjat e bashkëkombasve nga Kosova.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se korçarëve nuk ka nevojë që t’ua mësojë dikush patriotizmin.

Disa të vërteta të thjeshta:

– Korçarëve nuk ka nevojë që t’ua mësojë dikush patriotizmin. Kjo u duk edhe dje, kur hoqën dorë masivisht nga pjesëmarrja në një event që lëndonte ndjenjat e bashkëkombasve të tyre. Mospjesëmarrja nuk ishte rastësore, në forumet online të korçarëve njerëzit shprehen të vetëdijshëm dhe të gëzuar për qëndrimin.

– Me serbët duhet synuar ndërtimi i marrëdhënieve të shëndosha prej fqinjësh. Në aspektin politik kjo nënkupton këmbëngulje për dënimin e krimeve e kriminelëve të luftës, dhe njohjen e Kosovës. Nuk mund të ketë marrëdhënie të shëndosha nëse në klasën politike serbe mbizotëron mendimi taleban, se kur të ikin amerikanët do të kthehen për masakra e pushtim në Kosovë. Në aspektin ekonomik vazhdimisht duhet ruajtur vetëdija se fitimi që serbët nxjerrin nga tregtia me ne, për momentin investohet në fuqizimin e një politike të kriminalizuar, që armatoset intensivisht dhe që ende ka mendimin taleban të sipërpërmendur. Në aspektin kulturor bashkëpunimi mund dhe duhet të jetë më i lehtë. Por si interlokutorë duhen përzgjedhur artistë e mendimtarë të cilët nuk janë “trigger” për dhimbjet e të traumatizuarve. Serbia ka intelektualë e artistë progresistë e subversivë, edhe guximtarë që kanë thënë të vërteta të padëshiruara ballë pushtetit kriminal. Ata duhet të ftohen te ne. Nga ana tjetër, as ne nuk mund të paraqitemi tek ta përmes tallavaistëve tanë racistë, mizogjinë e banalë, as përmes opinionistëve provokatorë të ujërave të cekëta. Duhet të prodhojmë e promovojmë vlera, për një marrëdhënie kulturore jo regresive me fqinjët. Por, biznesi e pushteti në Beograd e Tiranë kësokohe duken të interesuar për banalitet e regres.

– Është e domosdoshme që historiografia shqiptare të trajtojë në mënyrë të veçantë rajonin. Nuk mund të flitet për “përmirësim të marrëdhënieve” kur mbizotëron injoranca për fqinjët. Në Shqipëri e Kosovë (me pak përjashtime) fare sipërfaqësisht njihet situata politiko-kulturore në vendet fqinjë, ndërsa ajo historike njihet vetëm “me google”.

– Bregoviçi mori formën e një molle sherri, dhe pati media e njerëz në Kosovë që i frynë me forcë idesë se “shqiptarët e Shqipërisë nuk e duan Kosovën dhe nuk ua ndjen për Kosovën”. Janë të njëjtat media që bëjnë fushatë thuajse kundër gjithçkaje që vjen nga Shqipëria. Homologët e tyre medialë nga Shqipëria po ashtu e shfrytëzuan këtë mollë sherri për fushatë kundër Kosovës e kosovarëve. Këto media e këta opinionistë i shërbejnë Serbisë më shumë se sa Bregoviçi.

– Birra Korça është e Hysenbelliut që bën biznes me Grenellin, birra Peja është e Devollit që importon prej Serbisë. Por edhe birra Korça edhe birra Peja janë brande shqiptare, dhe duhen mbrojtur e promovuar. Ato janë më të vjetra se pronarët aktualë, dhe do jenë më jetëgjata se ta. Ato prodhohen nga puna e shqiptarëve e cila do respektuar. Duhet të jemi në gjendje të ndajmë brandin, prodhimin, që lidhet edhe me punësim, nga kritika që kemi për pronarët, e cila duhet të trupëzohet në masa qeveritare që ndalin monopolizimin, akumulimin e kapitalit në pak duar, dhe importe që dëmtojnë ekonominë vendase. Si përfundim, gjithnjë më mirë Korça e Peja se Tuborg e Heineken, edhe nëse në të gjitha rastet paret përfundojnë në Zvicër, te dy të parat së paku punëtorët paguhen këtu tek ne.