Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar mbrëmë gjatë një interviste në KTV se sulmi i organizuar ndaj qeverisë së tij që çoi në mocion mosbesimi është bazuar mbi mashtrime publike. Duke folur për një prej tyre, paralajmërimin se ShBA do të tërheqë trupat nëse Prishtina nuk heq taksën ndaj mallrave serbe, Kurti ka thënë se ky fakt nuk ka qenë kurrë zyrtar, por vetëm shantazh për të gënjyer shqiptarët dhe krijuar idenë e kursit antiamerikan të tij.

LDK-ja vazhdimisht e ka bërë konkrete këtë gjë, se SHBA do të tërheqë trupat, do të izolohemi, etj. E pyeta gjeneralin Risi, një njeri që e do edhe Kosovën edhe punën e vet, dhe tha se kurrfarë kërkese për tërheqje trupash amerikane nuk ka, është përdorur si mjet për shpërndarje paniku.
Ishte një senator që e tha në mënyrë eksplicite. Por në SHBA janë 104 senatorë e 404 kongresistë. Unë besoj që ata (LDK-ja v.j.) kanë qenë të interesuar të tërhiqen nga ky koalicion. 

E kam ndier njëfarë sikleti të madh që VV-ja doli e para. Ata kanë qenë shumë të bindur se do të dalin të parët. Janë dy mosnjohje të thella këtu: VV-ja i fitoi zgjedhjet dhe vazhdimisht thoshin të balancohemi, e keni vetëm një deputet më shumë. Por e kemi ditur se ne nuk do të fitojmë për 20 për qind, diferenca do të jetë e vogël. Aktgjykimi i Gjykatës na diktonte se kush del i pari merr shumë. Mosnjohja tjetër është se zonja Osmani është ajo që e ka shpëtuar nga pozicioni i tretë, ata nuk do të dilnin as të dytët, tha Kurti.