MekuliPress sot publikon pjesën e dytë të librit informativ, publicistik, kritik, politik e historik, “Gjurmë dhe fërkem” (ose Jusuf Gërvalla dhe…), të shkruar nga gazetari, kritiku, publicisti dhe aktori politik, Ibrahim Kelmendi.

Pjesa e dytë në vijim:

Themelimi i LNÇKVSHJ

Një prej enigmave të shumta që e rrethojnë Zotëri Sabri Novosellën është edhe ajo e themelimit dhe e udhëheqjes së organizatës me emër paksa të stërzgjatur: “Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe Vi­seve tjera Shqiptare në Jugosllavi”. T’i lexojmë fillimisht dez/infor­matat që ofrojnë eksponentët kryesorë të kësaj organizate:

[Sabri Novosella:]

“Letrër e hapur kryetarit të Kosovës Ibrahim Rugova.

…Ju njoftoj i nderuari dhe shumë i respektuari kryetar i Kosovës I. Rugova se në vitin 1976, Jusuf Gërvalla u inkuadrua në Orga­nizatën Kombëtare “Lëvi­zja Nacionalçlirimtare e Kosovës”, që udhëhiqej nga Tribuni popullor Me­tush Krasniqi (këtë e ka shpje­guar shumë mirë adhuruesi juaj i flakët Shefqet Jashari-Strovci), e cila organizatë luftonte për të arritur këtë që ju sot keni mundë­si të mbani mbledhje komemorative mu për Jusuf Gërvallën etj…”[1]

[Koment:]
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Për herë të parë, si aksidentalisht, plasohet dez/informata se Jusuf Gër­valla qenkësh anëtarësuar qysh në vitin 1976 në një organizatë me emrin “Lëvizja Nacionalçlirim­tare e Kosovës…”. Nëse vërtet ka ekzis­tuar ajo organizatë, përse e ka futur në tho­një­za Sabriu? Për shkak të injorancës? Pastaj, sa herë i duhet të dez/­in­formojë për diçka të natyrës pikante, Sabri Novosella i referohet krejt panevojshëm dëshmitarit të tij kuj­des­tar, Shefqet Jasharit-Strovcit. Përse pikërisht Shefqetit? Sigu­risht që edhe kjo enigmë një ditë do të sqarohet. Mua, fatkeqësisht, më rezulton se këta të dy duhet të kenë qenë të angazhuar dhe të ngarkuar nga UDB-ja për këtë lloj komploti.

[Sabri Novosella:]

Në verën e vitit 1977, në shtëpinë time, u mbajt Mbledhja Theme­lu­­ese e LNÇK-së. Mirëpo, siç u cek më lart, kësaj mbledhjeje i kishin para­pri­rë konsultat e pandër­pre­ra ndërmjet meje Metu­shit [Krasniqi] e Shefqetit [Jashari-Strovci].[2]

[Selatin Novosella:]

Më tutje do të flitet për veprimtarinë e organizatës patriotike Lë­vizja Nacional Çli­rimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi, e formuar në vitin 1978 nga Metush Krasniqi, Sabri Novosella, Shefqet Jashari, Jusuf Gërvalla etj.”

[Selatin Novosella, METUSH KRASNIQI, Prishtinë 2011, faqe 18][3]

[Koment:]

Ishte veprim i zgjuar dhe i duhur të mbahej tubim themelues i një orga­ni­za­te të re klandestine pikërisht në shtëpinë e një ish-të burgosuri po­litik? Këtë gabim të trashë, përkundër mosdijes, nuk do ta kishte bërë as SN, prandaj kri­johet ha­pësirë për të dyshuar nëse vërtet ka ndodhur një themelim i mirë­filltë? Apo, mos kemi të bëjmë me një simulim, i cili vendthemelimin do të duhej ta kishte në një shtëpi private ku nuk do të verifikohej dot, në është mbajtur prej vërteti një tubim i tillë!?

Stina e verës ka tre muaj. Deri tani nuk më ka rënë të lexoj për ndonjë datë ose muaj konkret dhe as kush ishin pjesëmarrësit e atij tubim the­melues. Për ekzis­timin e kësaj “tresheje” lidhur me këtë qëllim (SN, Metush Krasniqi, Shefqet Jashari), vazhdoj të dyshoj, sido­mos sipas prezantimit të SN. Ndërkaq, në dez/infor­mimin e Sela­tin Novo­sellës, vëllait dhe bashkëveprimtarit të SN, flitet për vitin 1978 si vit i theme­limit të LNÇKVSHJ. Përse kaq shumë të dhëna kontroverse nga njerëzit që do të duhej t’i kishin të sakta të dhënat për themelim të asaj organizate, aq më tepër kur kjo paskëshe ndodhur në shtëpinë e tyre!?

Aktgjykim:

…Sepse për të kryer vepra penale kundër bazës së rregullimit sho­që­ror socialist vetëqeverisës, të sigurisë së RSFJ, e veçanërisht të cenimit kundër revolucionar të rregullimit shtetëror, të drejtuar në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore e nje­rëz­ve punues, shkatë­rrimin e bashkim-vllaznimit e të barazisë së kombeve e kombë­sive si dhe të ndërrimit antikushtetutar të rregullimit shtetëror federa­tiv, gjatë vitit 1977 në Prishtinë, si një ndër organizatorët, në kon­taktet e takimet e shpeshta me Sabri Novosellën dhe të akuzuarin Avdyl Lahu, me qëllim të masovi­zimit të grupit ilegal armiqësor të Kosovës dhe viset tjera të RSFJ ku jetojnë shqip­tarët, merren vesh për formimin e organizatës “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Koso­vës” të cilën edhe e formojnë në vitin 1978 dhe vendosin që të njëj­tën ta udhëheqë “Komiteti Qendror” e që njëri prej anëtarëve të tij të bëhet i akuzuari Shefqet Jashari”

[Aktgjykim i Gjykatës në Prishtinë, P-nr. 137/80, datë 4 qershor 1980][4]

[Xhafer Durmishi:]

Në këtë aktgjykim emri i organizatës thuhet se është: “Lëvizja Na­ci­onalçlirim­tare e Kosovës”. Aktgjykimet e përgatitura nga UDB-a mund të përmbajnë shumë të vërteta por në to ka edhe të pavër­teta. Në këtë rast emri i Organizatës nuk është i plotë dhe askujt nuk i mbetet hatri pse UDB-a nuk e jep emrin e plotë. Emrin e plot e kemi të dhënë, apo sqaruar me shkrim, shtatë herë prej Jusufit, para datës 12 shtator 1981.[5]

[Koment:]

Rëndom institucionet e atëhershme de­noncuese, hetuese dhe gjykuese të KSA të Kosovës kanë qenë goxha të sakta, sidomos sa i për­ket emërtimit të organizimeve klandestine. Xhaferi dhe Jusufi mund të mos kenë ditur se paraprakisht paskësh ekzistuar një organizatë me atë emër, siç dez/informon Sabriu në letrën dër­gu­ar Ibrahim Rugovës, ose në pasazhin e mësipërm: “Në verën e vitit 1977, në shtëpinë time, u mbajt Mbledhja The­me­luese e LNÇK-së.[6] Nuk besoj, siç pretendon Xhaferi, që ai të jetë më i in­for­muar se SN.

Ja përgjigjja e ish-anëtarit të “ko­mi­tetit qendror” të asaj organizate li­dhur me dezinformimin e Selatin Novosellës:

[Xhafer Durmishi:]

Jusuf Gërvalla nuk e ka formuar LNÇKVSHJ, dhe as nuk ka marrë pjesë në form­i­min e saj. Në këtë Lëvizje atë e ka anëtarësuar, individualisht, Sabri Novosella.[7]

[Sabri Novosella:]

„Me Jusuf Gërvallën më kishte njoftuar Teki Dërvishi pas lirimit nga burgu i Goli Otokut.“[8]

[Koment:]

Edhe njohja e JG me SN është e mbështjellë me mister, meqë nuk du­ket e logjikshme që Teki Dervishi t’i ketë njoftuar për vep­rim­ta­ri pat­riotike, derisa vetë Tekiu nuk ka pranuar t’i shkojë prapa SN.

Nëse më lejohet të shpërdor metodën e SN, për të thirrur në ndihmë per­sona që ndërkohë kanë vdekur, po e paraqes pohimin e Teki Der­vishit (në një ndejë rasti bashkë edhe me Rexhep Hotin, në një lokal të vockël në lagjen Dardania të Prishtinës). Në pyetjen time, nëse ai i kishte njoftuar SN me JG, përgjigjet: “Nuk i kam njoftuar. Po të kisha dëshiruar që Jusufi të anëtarësohej të Sabriu, do të anëtarësohesha vetë para se ta viktimizoja Jusufin…“ (parafrazim i lirë).

[Jusuf Gërvalla / Xhafer Durmishi:]

K O M U N I K A T Ë E KOMITETIT QENDROR TË LËVIZJES NACINAL­ÇLIRIM­TARE TË KOSOVËS (…)”

(Kjo komunikatë u përpilua nga Jusuf Gërvalla e Xhafer Durmishi në gusht 1981, në Untergruppenbach dhe u nënshkrua si: ”Komi­teti Qendror i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës – sqarim i Xh.D.)[9]

[Koment:]

Të shohim si e arsyeton eksponenti zyrtar përdorimin e emër­timeve të ndryshme për organizatën:

[Xhafer Durmishi:]

Shtrohet pyetja: pse në gusht 1981, Jusufi dhe unë e përdorim em­rin Lëvizja Na­cio­nal­çlirimtare e Kosovës?
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Këtu duhet të kihet parasysh se kjo Komunikatë është përgjigje direkte kryepolicit Franjo Herleviç [në këtë kohë eprori kryesor i Abdullah Prapashticës]. Herleviçi akuzon organizatat e ndryshme për organizimin e demonstratave, e në mesin e tyre edhe Lëvizjen e Jusufit. Në këtë rast eprori i Abdullah Prapashticës e përdor atë emër që e ka përdorur UDB-a në përgatitjen e aktgjykimit të 4 qer­shorit 1980, d.m.th. Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës. Këtë emër [Lëvizja Nacionalçlirim­tare e Kosovës] e emetojnë agjen­­citë e gazetat e ndryshme botërore. Ajo komu­ni­katë ishte pikërisht një dokument që iu drejtohej agjencive të lajmeve dhe gaze­tave të ndryshme. Për të mos shkaktuar huti se për cilën organi­zatë është fjala Jusufi dhe unë e përdorim vetëm emrin Lëvizja Nacional­çlirimtare e Kosovës.[10]

[Shefqet Jashari:]

Ishin pushimet verore të vitit 1977, kur vendosëm ta bëjmë mble­dhjen për formi­min e Organizatës. Këtë mbledhje e mbajtëm në shtëpinë e Sabri Novosellës. Çdo njëri raportuam për punën tonë, nga sa celula i kemi formuar, në cilat qytete apo fshatra veprojnë ato, kush janë ata që e udhëheqin veprimtarinë e celulës, naty­risht pa i prezentuar me emra e mbiemra, por duke iu treguar biografitë e tyre…

Shumica e njerëzve kishin shprehur dëshirën që Organizata ta merrë emrin LNÇKVSHJ. U vendos që Metush Krasniqi të jetë kryetar i Lëvizjes.”

[Intervistë, Drita-Suedi, nr. 15/1997, faqe 14][11]

[Koment:]

Siç u pa, SN ka ofruar dy vite e dy emërti­me të ndry­shme lidhur me or­ganizatën, ku duhet të ketë qenë i angazhuar edhe JG. Derisa SN dezinformon për vitet 1976 dhe 1977, Selatin Novosella, vë­llai i Sa­briut, në mono­grafinë e tij për Metush Krasniqin dez/informon se Lë­vi­zja është the­me­luar në vitin 1978. Shefqet Jashari, përçartë dez/in­formon se kanë vendosur ta mbajnë mbledhje për formimin e organi­zatës në shtëpi të SN, ku edhe e kanë the­me­luar atë. Dez­in­formimi i tij ngjall dyshimin për ko­rrektësi, ngaqë në një mbledhje the­me­luese nuk mund të ndodhë që “çdo njëri raportuam për punën to­në, nga sa celula i kemi formuar, në cilat qytete apo fshatra veprojnë ato, kush janë ata që e udhëheqin veprimtarinë e celulës…” Kjo le të kup­tohet sikur organizata qenkësh themeluar më herët dhe në këtë mbledhje të vitit 1977 po „raportohej“ për angazhime pararendëse, kur njëkohë­sisht dezinformon se kjo ishte mbledhje themeluese! XhD ndër­kaq, në këtë linjë, kundër­shton Selatin Novosellën lidhur me pohimin se në mbledhjen themeluese ka marrë pjesë JG.

Mos­pjesëmarrja e JG në mbledhjen themeluese të LNÇKVSHJ rezul­ton edhe nga pohimi i Sabri Novosellës lidhur me njohjen e tij me JG, sado që nuk jep të dhëna më konkrete se kur ka ndodhur njohja me të dhe anëtarësimi i tij.

Anëtarësimi/angazhimi i Jusuf Gërvallës
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Deri tashti nuk ka një shpjegim bindës se kur në fakt është anëtarësuar JG në LNÇKVSHJ? Si ka ndodhur, kush ka qenë ndërlidhësi e të tjera, meqë në organi­zata klandestine ka qenë një procedurë e kujdesshme e anëtarësimit të anëtarë­ve të rinj. Derisa vetë JG dhe të tjerë eksponentë nuk kanë ofru­ar ndonjë të dhënë konkret, mbetet të shohim çfarë kanë ofruar të tjerët lidhur me këtë.

[Adem Demaçi:]

Jusufin e kam njohur pas daljes nga burgu i parë. Ai ka qenë i li­dhur me ne… Jusuf Gërvalla ka mbetur i pazbuluar. Kanë mbetur edhe grupe të pazbuluara, se­pse ne bënim ç’është e mundur të ruanim konspiracionin. I tillë ka qenë edhe ai i Jusufit.[12]

[Koment:]

Demaçi, siç është bërë si një shprehi naive, ka dezinformuar për an­ga­zhime të Jusufit qysh në fillim të viteve të 60-ta, me bindjen se po i bën shërbim afirmativ, por pa llogaritur se ç’moshë kishte JG. Vësh­tirë të ketë shpëtuar ndonjë individ a strukturë e organizuar pa u zbuluar. Këtë e mbështes edhe në një zënkë aksidentale ndërmjet bashkëve­primtarëve: Ramadan Shala dhe Adem Demaçi.

Ishim në shtëpi të Xhemail Durakut, në Malme të Suedisë, me sa mbaj mend, në vitin 1995. Pas darke u grumbulluan goxha shumë bashkat­dhe­tarë për të nderuar praninë e Ademit. Erdhën edhe bashkëvep­rimtarët veteranë, Ramadan Shala dhe Sabri Novosella. Rastësisht i shtrova një pyetje Zotëri Demaçit: “Keni mundësi të na informoni ne, brezin pasues, përse ju ish-bashkëveprimtarët veteranë nuk keni ndonjë dashamirësi për njëri-tjetrin, nuk takoheni e nuk komunikoni me dëshirë?”. Z. Demaçi, i befasuar paksa nga pyetja, të cilën, siç m’u duk, e mori si provokuese, zuri të belbëzonte se secili ndërkohë kishte mendim e sjellje individualiste. Zotëri Ramadan Shala nuk i dha kohë të përfundonte përgjigjen Demaçit, por ndërhyri në mënyrë goxha eksplozive: “Jo mor spiun m… Ti na ke tradhtuar të gjithëve. Ne jemi torturuar tmerrësisht, po nuk kemi nxjerrë emër shoku, kurse ti, pa marrë asnjë shuplakë, ke mbushur fletoren me emra. Pastaj, ti nuk ishte formulues i programit. Unë të kam ftuar në Pejë që të japësh men­dimin për projekt-programin të cilin e kishim formuluar. Edhe këtë e ke dekonspiruar në hetuesi. Aktivitetet i kemi bërë ne. Ti tani me mendjemadhësi prezantohesh sikur të ishte i vetmi dhe t’i kishe bërë të gjitha vetëm ti. Ne na përçmon sikur nuk ishim pikërisht ata që vuajtëm më së rëndi…” (Parafrazim imi i lirë – IK).

Veteranin Ramadan Shala e kisha dëgjuar disa herë të ankohej për de­kon­spirimet në hetuesi nga Adem Demaçi, por ishte hera e parë që po asistoja në një përplasje kaq eksplozive. Për këtë të gjithë ne të pranishmit patëm keqardhje.

Edhe në një bashkëbisedim 5-6 orësh, me kërkesë të Ramadan Shalës, të incizuar, pak kohë para vdekjes së tij, ai ka bërë shpjegime më kon­krete dhe më të detajuara lidhur me dekonspirimet e Adem Demaçit në hetuesi, po edhe në seancën gjyqësore ku u kishte thënë bashkëvep­rimtarëve t’i pra­nonin ato që u ngarkohen, meqë ai i kishte thënë të gjitha ato që dinte.

Nga e tërë kjo rezulton përfundimi se po ta kishte ditur Demaçi se edhe JG, atëherë i mitur, ka qenë i organizuar, do ta kishte dekonspiruar ngjashëm me të tjerët?

[Jusuf Gërvalla:]

“Pardje dy javë, më 14 dhjetor, natën vonë e braktisa Prishtinën dhe Kosovën.

[…] Shoku i Lëvizjes, Bashkim Prishtina (Sabri Novosella – shën i Xh.D.), qe i mendi­mit se është shumë më mirë të arratisem, se sa të bie në burg: edhe dënimi do të kish qenë i rëndë, edhe do të rre­zikohej eventualisht organizata.[13]

[Koment:]

Jusufi nuk duket të ketë qenë korrekt me shënime në ditarin e tij, siç ndodh të mos jenë korrekt pothuajse të gjithë njerëzit që mbajnë di­tarë, me­që ata janë të interesuar që ditari i tyre të jetë sa më afirmativ. Kjo vlen sidomos për ata që parashikojnë se një ditë ditarët e tyre do të publikohen.

Në letrën e 14 prillit 1981, të cilën Jusufi do t’ia ketë dërguar SN, nuk rezulton të kenë pasur këso konsultimesh, sepse dekonspirimi i SN nga ana e Jusufit duhet të ketë qenë i papritur dhe, pas asaj telefonate nga UDB-ja e Pejës, Jusufi nuk ka pasur mundësi as ta informojë SN se çfarë i kishte ndodhur dhe as ta konsultonte. Pra, këto dy dezinfor­mime, ai i letrës së 14 prillit 1981 dhe ai i ditar, nuk janë krejtësisht kompatibile. Ja citimi nga letra e 14 prillit 1981.

[Jusuf Gërvalla:]
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ti mund të mos e dish, por shkaktari i arratisjes sate jam unë! Mba­se natën që do të jesh arratisur ti, mua më morrën në telefon nga UDB-ja e Pejës dhe më bënë presion të çuditshëm, gjithsesi mon­struoz, që të tregoja kush është Bashkim Prish­tina. As që më ka shkuar mendja se e kisha humbur aq shumë truallin nën këmbë. I përgjumur dhe me gjasë fare i humbur siç isha, në kthetrat e një ligësie të pashe­mbullt dhe fare të huaj për mua deri atë çast, unë rashë në provimin e rëndësi­shëm: kallëzova shokun![14]

[Koment:]

Irrituese! Skandaloze! Them se nuk duhet të jetë letër autentike! Nëse po, atëherë duhet rivlerësuar biografinë e JG dhe të SN! Përse pikërisht atë natë UDB-ja nuk ka arrestuar SN dhe JG, por ka lënë mundësinë që Jusufi ta lajmërojë SN për rrezikun nga dekonspirimi që i paskësh bërë Jusufi. Ka qenë praktikë e UDB-së të zhvilloj kësi komuni­kimi me telefon!?

Para 14 dhjetorit JG dhe SN nuk kanë mundur të parashikojnë se do të ndodhte ai dekonspirim, prandaj nuk janë konsultuar mes tyre se ku duhet të arratisen, siç shkruan në ditar. As më vonë nuk janë takuar dhe as kanë komunikuar për 16 muaj me radhë, deri në prill 1981.

Në çdo rrethanë kjo “letër” nuk duhet të kalojë me “qetësinë” e deri­ta­nishme! Komentimi i pjesës tjetër të kësaj “letre” do të bëhet në ka­pitujt përkatës të këtij libri.

[Xhafer Durmishi:]

Sabri Novosella është ai i cili i ka ofruar anëtarësim Jusuf Gër­vallës në LNÇK­VSHJ. Jusufi pranon menjëherë me kënaqësi të madhe. Është meritë e Sabri Novo­sellës që du­ke e organizuar Jusuf Gërvallën në LNÇKVSHJ bëri që energjitë dhe talenti i tij të derdhen e të kanalizohen menjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë për çështjen e popullit shqiptar në ish-Jugosllavi.[15]

[Koment:]

Sërish dezinformim i pakonkretizuar se kur dhe si SN i ka ofruar JG anëtarësimin në organizatë dhe në cilën konkretisht, në LNÇK apo në LNÇKVSHJ? Po ashtu asnjë e dhënë se çfarë kanë bërë ata konkretisht nga çasti i anëtarësimit të JG e deri më 14 dhjetor 1979?
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

[Selatin Novosella:]

Duke folur për rrethanat e kohës dhe përpjekjet organizatave të ndry­shme të bënin një bashkim veprues, Sabri Novosella, po në këtë numër të gazetës së cituar [Drita, Malme, nr.10/1997-shën i Xh. D.], shton: “Ne shumë shpejt vumë kontakte të rregullta me Jusuf Gërvallën, i cili tashmë, bashkë me të vëllanë, Bardhoshin, dhe të shoqen, Suzanën, e kishin formuar Degën e Lëvizjes në Gjermani.

[Selatin Novosella,METUSH KRASNIQI, f. 139][16]

[Koment:]

Se nuk kanë vënë shumë shpejt kontakte e sqaron vetë JG në një letër që më ka dërguar mua.

[Jusuf Gërvalla:]

Dhe kështu, për kaq kohë sa njihemi – e nuk është pak po më se dhjetë muaj – ne të shumtën i kemi rënë kush thumbit e kush pat­koit. Mendoj se kjo e ka arsyen e vet ob­jektive. Ti ke njerëzit e tu, me të cilët, sipas mendjes sime, ke vështërsi në realizimin e kon­takteve për shkak të largësisë. Kam përshtypjen se, pos kësaj, edhe me ta ke mospaj­time dhe sygjerime e urdhrave të tyre s’të fle në hatër tu përmbahesh gjithmonë.

Unë nga ana tjetër i kam humbur të gjitha lidhjet me njerëzit e mi dhe për çdo hap që bëj kam stërngarkime, sepse nuk e di në mos bej gjësend, që nuk përpu­thet me luftën aktuale, që bëjnë ata në vendlindje. Kjo është një tragjedi vetvetiu. Kurse tragjedia tjetër është se edhe unë edhe ti, në këto kushte, ndiejmë pasiguri në një pikë: kë përfaqësojmë…”

[Nënvizimet janë nga Xh.D.; Letër I. Kelmendit, shtator 1980][17]

[Koment:]

Kjo letër duhet të jetë shkruar në gjysmën e dytë të shtato­rit të vitit 1980 dhe jo në nëntor, siç gabojnë Faridin Tafallari dhe Xhafer Dur­mishi, sepse më 16 shtator 1980 i kam dërguar unë letër Jusu­fit dhe ai, rëndom, nuk i vononte përgjigjet, edhe pse ndonjëherë harronte t’u vinte datën.

Nga përmbajta rezulton se ai ishte tepër konfidencial ndaj meje, gjë që nuk do të ndodhte po të mos ishim bashkëveprimtar; se informon që ende nuk kishte vënë kontakt me udhë­he­qësin e tij, rrobaqepësin SN. Po kështu ai shkruan kalimthi edhe për gjendjen organizative që ki­shim ne atëherë. Këtu ka nevojë për një sak­të­sim, meqë ai ende nuk e kishte kuptuar. Fronti ishte më shumë, do të thosha, frymë sesa organi­zatë me strukturë të centralizuar, të përpiktë e klandestine, siç ishte praktikë e kohës. VIJON!
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress


[1] Xh. Durmishi, EMËR QË U BË TRADITË, f. 36

[2] Sabri Novosella, REZISTENCA KOSOVARE MES DY ZJARRESH, f. 64

[3] Xhafer Durmishi, FILHARMONIA E JUSUF GËRVALLËS, f. 27;

http://www.pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Filharmonia-e-J-Gervalles.pdf

[4] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 375-376

[5] Po aty.

[6] Sabri Novosella, REZISTENCA KOSOVARE MES DY ZJARRESH, f. 64

[7] Xh. Durmishi, FILHARMONIA E JUSUF GËRVALLËS, f. 27

[8] Sabri Novosella, „Rezistenca kosovare mes dy zjarresh“, Prishtinë 2012, faqe 117]

[9] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 380

[10] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 380

[11] Xh. Durmishi, FJALORI I LËVIZJES SË JUSUF GËRVALLËS, f. 97

[12] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 2

[13] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 10

[14] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 229

[15] Xh. Durmishi, SHOKËT DHE JUSUF GËRVALLA, f. 5

[16] Xh. Durmishi, SHOKËT DHE JUSUF GËRVALLA, f. 7

[17] https://de.scribd.com/doc/196144081/Shoket-dhe-Jusuf-Gervalla ; f. 10-11

/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]