Tre anesteziologë e kanë lëshuar punën të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv.

Ai tha se rritja e numrit të të sëmurëve me COVID-19 (sëmundja që e shkakton koronavirusi), e ka vështirësuar punën brenda klinikave ku po trajtohen këta pacientë.

“Anesteziologë nuk kemi mjaftueshëm, vetëm nëse të gjitha shërbimet mbyllen, pra nuk punohen operacionet e tumoreve e sëmundjeve tjera urgjente, dhe merremi vetëm me COVID-19. Tre kolegë dje e kanë lëshuar punën. Ne jemi shumë keq me resurse njerëzore. Nuk kanë mundur ta përballojnë çdo të tretën ditë kujdestari, dhe ritmi i punës është i vështirë. Normalisht ata kanë oferta në spitale private me pagë deri në katër mijë euro, derisa këtu paga mujore është rreth 600 euro”, tha Baftiu.

Anesteziologët, ndër të tjera, u mundësojnë pacientëve mbështetje me oksigjen dhe terapi me oksigjen, mbështetje me ventilatorë me aparate me të gjitha opsionet për ventilim mekanik, terapi respiratore, monitorim të tërësishëm invaziv dhe jo-invaziv të pacientëve, etj.

Pacientët me COVID-19, që janë në gjendje më të rënduar shëndetësore, kanë nevojë për trajtim me oksigjen.