Analizë vendimtare e Hysamedin Ferajt e cila merr shumë më tepër forcë kur
1. Bashkimi Sovjetik është reduktuar në Rusi,
2. Jugosllavia është reduktuar në Serbi,
3. Kur Tito është reduktuar në Vuçiç,
4. Kur komunistët tanë janë reduktuar në neo-liberalë.

Gjërat vështirësohen kur mendojmë se Roosvelti është shndërruar në Trump, por lehtësohen kur mendohet se mund të ndryshojë e dhëna pas 3 nëntorit. Por lehtësohen edhe kur mendon se në skenën e madhe të Botës është Gjermania si faktor i një Evrope më të pranishme e më të drejtë. Sepse le ta themi qartë, drejtësia në këtë rajonin tonë përcaktohet nga mbështetja perëndimore e elementit shqiptar.

Hysamedin Feraj:

“Jalta e dytë?”
1. Në Jaltën e parë, Roosvelti u mor vesh me Stalinin që Shqipëria dhe Jugosllavia (pra edhe Kosova) të mbeteshin në bllokun sovjetik. Forcimi i PKSH-së dhe PKJ-së sa e mundësonte aq dhe e legjitimonte atë vendim.
Në “Jaltën e dytë” duket se Trumpi dhe Putini janë marrë vesh që Shqipëria dhe Jugosllavia e re, Minshengeni, të mbeten në bllokun rus. Sjellja në qeverisje e LDK-së dhe mbështetja e Edi Rames sa e bën të mundur aq dhe e legjitimon atë vendim.
2. Ashtu si në Jaltën e parë, që roli kryesor për rajonin tonë iu la Jugosllavisë së Titos, ashtu në “Jaltën” e dytë roli kryesor për rajonin tonë i është lënë Vuçiqit. Ky ka shpallur tashmë se do të jetë për Serbinë Tito i sotëm. Trumpi mund të ketë arsye me besu se siç Tito dje i tha jo Bashkimit Sovjetik, Vuçiqi nesër mund t’i thotë jo Rusisë. Por nuk ka arsye me besu që këtë mund ta bëjnë qeveritarët shqiptarë të preferuar nga sllavët dhe grekët.
3. Kundërshtimi i kësaj “Jalte” nga Vetëvendosje! deri tani dështoi, sepse nuk e pati mbështetjen e mjaftueshme mes shqiptarëve, ashtu si dështuan forcat nacionaliste dhe properëndimore mbas Jaltës së parë, sepse nuk e patën mbështetjen masive mes shqiptarëve, ngaqë mbështetjen e gjerë popullore e patën partitë komuniste.
4. Ashtu si katastrofën e vendimit të atëhershëm, masivisht e morëm vesh me shumë vonesë, ashtu këtë të sotmin do ta marrim vesh masivisht me shumë vonesë. Dhe siç Enver Hoxha mbas shumë vitesh pranon se nacionalistët shqiptarë e kishin atëherë në dorë kartën e së vërtetës, Hashim Thaçi dhe Edi Rama mund të pranojnë mbas shumë vitesh se Albin Kurti e kishte sot në dorë kartën e së vërtetës. E mu siç ishte shumë vonë në rastin e rrëfimit të Enver Hoxhës, do të jetë shumë vonë në rastin e rrëfimit të Hashim Thaçit dhe të Edi Ramës.
5. Ashtu si vendimi i Jaltës u mor duke pasur parasysh edhe gjendjen në terren, domethënë kontrollimin faktik të rajonit nga forcat e gatshme që iu bashkuan bllokut sovjetik, ashtu vendimi i “Jaltës” së sotme merr parasysh gjendjen në terren, domethënë kontrollimin faktik të rajonit, nga forcat e gatshme me e pranu përkatësinë në zonën e influencës ruse.
6. Ashtu si atëherë forcat prosovjetike në këtë rajon u forcuan nga vetë Churchilli, ashtu tani forcat proruse po forcohen nga vetë Trumpi.
7. Dhe ashtu si as Roosvelti dhe as Churchilli atëherë nuk është se e dëshironin lënien e këtij rajoni në sferën sovjetike, por bënë kompromis duke marrë parasysh gjendjen në terren dhe interesat e tyre në botë, kështu Trumpi sot nuk është se e dëshiron që ky rajon të mbetet nën sferën ruse, por bën kompromis duke marrë parasysh gjendjen në terren dhe interesat e SHBA-ve në botë.
8. Ashtu si e krijuam vetë gjendjen në terren atëherë nga forcat prosovjetike duke fituar mbështetjen e shumicës së popullsisë sonë, dhe nga forcat nacionaliste duke qëndruar në pritje që bashkimin kombëtar të na e bëjnë aleatët tanë të natyrshëm, ashtu e krijojmë sot me mbështetjen nga shumica e popullsisë dhënë partive qeverisëse të deritashme dhe pritjen e forcave nacionaliste që problemet me fqinjtë dhe me rusët të na i zgjidhin aleatët tanë të natyrshëm.
9. Që të gjitha ngjarjet të mos ndodhin si atëherë nuk mund t’i ndryshojmë direkt ngjashmëritë me të atëhershmen në botë. Por duke e ndryshuar sjelljen tonë të sotme nga e atëhershmja, mund të ndryshojmë në terren ngjashmërinë me të atëhershmen në rajonin tonë. Ndryshimi i gjendjes sonë nuk ka gjasë të mos ketë asnjë efekt për ndryshimin e gjendjes në rajon, dhe ndryshimi në rajon nuk ka gjasë të mos ketë ndikim, qoftë dhe pak mbi zero, për ndryshimin e gjendjes në botë.
10. Ky ndryshim indirekt nga ne i situatës në botë është i mundur vetëm nga ndryshimi i situimit tonë ndaj partive tona politike. Thënë troç, fatin tonë të Jaltës së parë e kemi ndryshuar nëse LV vendoset në qeverisje masivisht, minimumi me 51% të votave, ndërsa e bëjmë më të sigurtë nëse kjo mbështetje është edhe më masive. Sepse LV e sotme është e vetmja forcë e jona politike: për nga bashkësia, me përcaktim të dëshmuar kombëtar, për nga njerëzia, me përcaktim të vendosur për vlerat universale, për nga qytetërimet, e qartë në prirjen kah ai perëndimor, për nga shoqëria, e përkushtuar ndaj drejtësisë dhe mirëqenies sociale.
11. Përkundrazi, fatin tonë të Jaltës së parë e përsërisim sot nesë e përsërisim mbështetjen masive që iu dha atëherë nga brezat para nesh forcave tona politike të gatshme për kompromis me Serbinë, Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik. Ne nuk mund t’i ndryshojmë direkt fatet e botës, por mund të ndryshojmë veten, dhe kështu, indirekt, bëhemi ndryshor (variabël) që nga kushdo duhet përfshirë në llogaritjet e proceseve të botës.
12. Në fund, nuk duket i pabesueshëm arsyetimi kundërfaktik se po të mos ishin mbështetur masivisht nga vetë shqiptarët, partitë e atëhershme politike të gatshme që, për pushtet, t’i lënë shqiptarët në sferën ruse, pozicioni i Churchillit dhe Roosveltit në kompromiset me Stalinin do të kishte qenë më në favor të tyre. Përndryshe na mbetet të besojmë se gjithë udhëheqësit e Perëndimit duhet të kenë kundër nesh një ligësi natyrore, që nuk varet as kontrollohet prej tyre, por i determinon ata. Kjo është më e pabesueshmja.
Gjihsesi:
1) Ndalimi i atij fati që patëm me Jaltën e parë është i mundur.
2) Duke votuar masivisht për Lëvizjen Vetëvendosje!
Së paku 51 %!

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.