Elvis Hoxha

Mbrëmë, në debatin në Rubikon, Arben Gashi na përndriti me dy fraza të një madhështie të paparë. Po i ripërsërisim më poshtë. Fraza të tilla nuk duhet të harrohen sepse tregojnë lartësitë e cekëta ku mbërrin një përfaqësues partie me atë që mund ta quajmë injorancë elokuente. Ja frazat e tij:
“E keni gabim. Sot është shekulli 21. Sot lufta bëhet në hapësirë, sot lufta bëhet në ajër.”
“Pse Kosova nuk blen armatim? Pse? Sepse preken balancat e sigurisë botërore”.
Dy probleme gjejmë në këtë injorancë elokuente. Më së pari shpresojmë se këto fraza vijnë thjesht prej ndonjë frymëzimi hyjnor të Arben Gashit, një soj frymëzimi i mbrëmjes. Ose shpresojmë se janë fraza plot zhurmë kur nuk kemi ç’themi tjetër mbi temën e dhënë. Shpresojmë pra se ai nuk po shpreh programin e LDK-së në lidhje me ushtrinë e Kosovës. Nëse Arben Gashi po shpreh vërtet programin e LDK-së, atëherë duhet të kuptojmë se Kosova qenka një shtet jo vetëm i ri, por i tipit të ri, një shtet pa ushtri.
Së dyti, dëshirojëm me gjithë shpirt që Arben Gashi mos të shprehë mendimn e elektoratit të LDK-së, pasi në këtë rast e dimë fare mirë se njerëzit e Kosovës panë se si rrafshoheshin shtëpitë, si vriteshin njerëzit dhe digjeshin kujtimet e tyre, si shkonin refugjatë nëpër tokë me traktorë e në këmbë, pleq e fëmijë. Paramilitarët dhe ushtarakët serbë ecnin nëpër tokë edhe pse Arben Gashit i është dukur se paramilitarët serbë po zhvillonin luftën e yjeve.
Shpresojmë pra se Arben Gashit po i fliste gjuha aq shpejt, sa mendimi nuk po ia rrokte dot fjalën. Ndaj po e quajmë injorant elokuent, për shkurt po e themi “Arben Gashi nuk di se ç’flet”.
Për sa që Vjosa Osmani nuk po flet për tema programore, na mbetet të dëgjojmë Arben Gashin. Dhe nëse Arben Gashi po shpreh mendimet e partisë së vet, LDK-ja nuk paska asnjë qëndrim lidhur me NATO-n. Ky organizëm i integruar ushtarak ndërkombas nuk është krijuar që të mbrojë ekskluzivisht shqiptarët. Nga ana tjetër, shpresojmë se përmes Arben Gashit, LDK-ja nuk po na shpreh idenë se shqiptarët kanë përvetësuar një herë e mirë vendin e vitkimës në historinë botërore. NATO nuk është krijuar posaçërisht për të mbrojtur shqiptarët, por për të mbrojtur paqen. Çdo vend anëtar i NATO-s merr pjesë në të si ushtri përbërëse dhe jo si viktimë.
Nga fjalët e Arben Gashit duhet të kuptojmë edhe diçka të rëndë për me u pranu: sipas tij (shpresojmë fort mos me qenë mendimi i partisë së tij tij që e deklaron veten institucionaliste) nëse Kosova ka ushtri, atëherë preken balancat e sigurisë botërore. E rëndë për me u pranu, sepse dihet se nëse Serbia ka ushtri, pikërisht atëherë është në rrezik stabiliteti në rajon dhe më gjerë. Eh pra, nëse LDK flet mes fjalëve të Arben Gashit, na del se shqiptarët kanë pushtuar rajonin, kanë zhdukur njerëz, kanë dërguar përdhunues paramilitarë, nëpër trevat e ish-Jugosllavisë. Arben Gashi është numri 14 i listës së LDK, pra teorikisht një kandidat i rëndësishëm. Shpresojmë se deri te numri 13 i listës së LDK-së, kandidatët për deputetë nuk mendojnë se shqiptarët e Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare ka kryer agresion mbi ndonjë popull. Shpresojmë gjithashtu se në listën e LDK-së ka ende njerëz që janë me idenë se lëvizja kolektive e rezistencës pacifiste të Rugovës e kishte një arsye. Por kur ke në krye Isën, Lutën dhe Agimin, nuk e gjen më Rugovën. Kur të mashtrojnë me Vlorën, nuk e kupton më se po shkon dalëngadalë nga PDK-ja. Sikur votuesit e LDK-së të kthjelleshin pak, do të shquanin se nuk ka asgjë prej Ibrahim Rugove e Fehmi Agani në kryesinë e LDK-së. Për kthjellimin e elektoratit të LDK-së vlejnë debate të tillë. Pa dashur, udhëheqësit e LDK-së shfaqin nëpër debate se kryesia e LDK-së nuk ka asnjë lidhje me anëtarësinë dhe elektoratin e LDK-së.
Debatet në televizion nuk janë as për elokuencën kamikaze të tipit të Molliqajt, as për elokuencën qaramane të shpendëve që zvarriten, as për komandant voice, as për injorancën elokuente të Arben Gashit. Studiot e televizioneve dhe debatet shërbejnë që qytetari të integrohet në temat e ditës dhe shtetimit, në problematikat shoqërore dhe kombëtare, në projektimin e sovranitetit politik e kulturor. /MekuliPress/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”