Muhamet Cerova

Çfarë po ndodh këto ditë (e që do të vijojë edhe më tej për një kohë disamujore) në kazanin politik të Shqipërisë, mes opozitës që zgjodhi të mos jetë e tillë në sallën e parlamentit dhe shumicës, nuk është hataja. E as ka për të ngjarë e pangjara në Shqipëri.

Marrëzia e radhës. Një palë të marrë, ardhur në Parlament përmes listës që i pari i tyre e ngjiz si një çuçuritje poshtë jorganit bashkëshortor dhe pala tjetër, dalë nga i njëjti model, tash e tromaksur (si ngahera) nga berihaji e ulërimat e së parës (si ngahera dhe kjo).

Ju pëlqen!

Në mes, NEVE, medemek populli, “zgjedhësit e lirë të votimit demokratik”. Në udhëtimin e përbashkët për afro tre dekada, NE zgjedhësit, dhe ATA, të zgjedhurit, kemi tashmë historinë tonë tragji-komike, përvojën tonë të nakatosur e të palavdishme. Ama, të dyja palët, NE dhe ATA jemi rregjur e të mësuar me njëri-tjetrin në atë shkalle sa, nuk besoj se di të më thotë kush në këtë vend se si do mundemi të bëjmë (zot na ruaj), pa njëri-tjetrin!

Opozita e sotme, e njëjta nga “koka” deri tek “këmbët” me atë të djeshmen (me dhe pa pushtet) pjellë dhe llum i fund-nëntëdhjetës, e djegies dhe shkatërrimit të vlerave që pat krijuar e mbartëte Shqipëria hallemadhe. Përballë saj, pozita e sotme, e tromaksur që pas ‘97-ës, e sidomos pas grushtshtetit të ‘98-ës, nga çdo çalltisje permanente e kopesë së marrosur të të marrit Sali.

Mes të marrit dhe të tromaksurit, edhe njëherë NE, populli që mezi presim ditën e madhe kur, me hap rreshtor të votojmë, të bekojmë e të betonojmë herë njërën palë e herë palën tjetër, sipas kronologjisë së standardeve, hip e zbrit nga froni dy palët e përjetshme.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Po mirë, nëse jemi mësuar me këtë “muzikë”, a nëse nuk jemi të zotë që ta ndërrojmë edhe po të duam, prapë nuk ka përse të vëmë kujën. Le të shtrojmë kurrizin si gjer më tani mes horrave që i mbajmë në kurriz, derisa samarit tonë të mos i ketë ngelur asnjë dërrasë. Përvoja botërore nuk mungon në kësi tragjikomedisë dhe, ne kemi rastin ta pasurojmë atë.

Ama, “ lufta” kësaj here e opozitës jashtëparlamentare, bëhet jo për punë liri-zgjedhjesh, koncesionesh, korrupsionesh a reforme në drejtësi, sikurse lebetitet. Jo! Gjetkë e ka hallin ajo kope e inatosur. E bindur se me votën e popullit nuk e merr kurrë pushtetin, sokëllin me sa i mban fyti, me hunj e zjarr në portën e qeverisë:  “Të largohet Rama me hir a me pahir”.

Le ta themi që, siç ka ngjarë dhe tjera herë në dekadat e lëna pas në Shqipëri, saherë që Partia Demokratike e ka ndarë mendjen ta bëjë çorbë dhe tym Shqipërinë, ia ka dalë mbanë.

Vetëm pak muaj pas zgjedhjeve të para pluraliste, e hodhi nokaut përsëdyti e turpërisht Partinë e Punës, duke krijuar një shumicë të sajën parlamentare absolute. Ndërkombëtarët në bllok, i pati me vete.

Zgjedhjet kriminale të 1996-ës, siç i kujtojmë, i rrëmbeu me një shumicë që do ta bënte me turp çdo klikë latino-amerikane të viteve 60-të, pasi kish detyruar socialistët e trembur që të arratisen prej kutive të votimit. Edhe në këtë rast ndërkombëtarët (de facto), mbajtën anën e “fituesit”.

Pasojë e pushtetit të 1996-ës ishte 1997-ta kur, shteti ra, pushteti Berishës i shpalli luftë popullit, mbi katërmijë e kusur të vrarë. Di të më thotë kush se, ç’i gjeti pas kësaj, shkaktarët e asaj tragjedie ? Po ua them unë: Ideatorët dhe ekzekutorët e asaj tragjedie, pas një pauze disa vjeçare, rihipën në majë të shtetit, jo pak por për tetë vite rresht, deri në prag të vitit 2014.

Grushtin e shtetit të vitit 1998, e tha dhe e bëri. Kryetari i Partisë Socialiste, ish i burgosuri politik i regjimit të Partisë Demokratike, atë mot Kryeministër i vendit, pa u menduar dy herë, i hipi ballonit e u degdis pa kthyer kokën mbrapa, për diku që as atëherë e as sot nuk na e ka thënë kush. Ndërkombëtarët në atë rast, nuk e lanë Shqipërinë në baltë, bënë mjaftueshëm që të mos përsëritej një tragjedi e dytë si ajo e 97-ës.

Asnjë ndëshkim! Dhe, ja ku jemi sot, me të njëjtën sjellje politike, me të njëjtin agresivitet aspak politik, e njëjta forcë politike dhe ç’është më “interesantja”, të njëjtët personazhe në krye. Të pandëshkuarit përsërisin historinë, u ka hipur në kokë që ta çojnë edhe në këtë rast vendin, në zgrip, në buzë të greminës.

Të themi që nuk ja dalin dot? E shkuara e tyre dhe e jona bashkë, sikurse e solla në vëmendje të lexuesit atypari, na thotë të kundërtën. Sidomos kjo, në rrethanat kur pushtetin sot e mban, “Rilindja” e cila vijoi traditën e mosndëshkimit, pa qenë asnjëherë e zonja të justifikojë, me mjete demokratike, pushtetin e deleguar nga populli, përballë kërcënimit të lirisë dhe të sovranitetit të popullit, prej destruktivitetit të palës opozitare arriviste.

Që historia e keqe të mos vijojë vijimin, largimi i Ramës në situatën e sotme a është një opsion i pranueshëm prej atij vetë së pari, njëherësh dhe i forcës politike që qeveris vendin ?

Kur u shpreha në hyrje të këtij shkrimi se , “nuk ka për t’u bërë hataja”, vetiu mendjen e pata tek garancia që na jep fakti që, qeverisja aktuale, e ka të gjithë mbrojtjen kushtetuese për të vijuar deri në vitin 2021, qeverisjen e vendit . Por, nga ana tjetër, historia e mosndëshkimit të Berishës nuk na lejon të shpresojmë. Apo, mos duhet që “ta provojmë prapë” ?

***

Rama duhet te largohet nga qeverisja e vendit. Rama. Jo subjekti që ka fituar zgjedhjet. Dhe, për të qenë korrekt, me të dhe me këdo që nuk e suporton dot largimin e tij, le të japim disa nga arsyet e shumta që, e imponojnë me domosdo këtë largim të tij.

1- Rama duhet të ikë si kryeministër, qoftë dhe për faktin e vetëm se, ai as dje, as sot e askurrë, nuk përfaqëson forcën politike që aksidentalisht e hipi dhe e mban ende në atë karrige të lartë të pushtetit. Ai, as ideologjikisht, as moralisht e sidomos shpirtërisht, kurrë nuk ka patur e nuk ka lidhjet e kushtëzuara, me grupimin politik që paradoksalisht e përfaqëson në majë të piramidës së pushtetit.

Mjerisht, edhe vetë Partia Socialiste e cila ashtu qorrazi e katapultoi në krye të vetë, sidoqë nën zë e pranon nonsensin, nuk ka treguar asnjëherë kurajon politike për ta evidentuar e zgjidhur këtë gabim të rëndë që po e paguan paq dita ditës, e që sot ka rastin dhe argumentin ta rikuperojë në një farë mase, duke ja hequr kryetarit të saj, pushtetet e pa merituara.

Karagjozllëkun e Fatos Nanos në zgjedhjen arbitrare të Ramës në shtabin politik, zgjedhje kjo që me hak e pagoi ai i pari, nuk duhet ta paguajë edhe më tej Partia Socialiste.

2- Rama duhet të ikë dhe për një arsye tjetër, që merr kuptim të lartë sidomos në stadin ku ka mbërritur sot, shoqëria dhe vetë arti i qeverisjes. Rama nuk ka reflektuar asnjëherë, një filozofi të caktuar të politikës, dyshoj se ai as nuk njeh mjaftueshëm njërën, cilëndo prej tyre që mbijeton në tregun politik, ai kurrkund nuk dallon nëse është, Fridmanist, Keinesjan, Marksist a tjetërsoj, përveçse një përsheshi ekopolitik pa emër e shije që, tërë ditën i mban sytë dhe mendjen se, ç’bëjnë, ç’thonë e ç’katranosin të tjerët si ai, matanë kufijve gjeografikë, ashtu kuturu e pa i përputhur hapat me kushtet dhe rrethanat e veçanta që ka vendi i tij. Dështimet e panumërta të Shqipërisë në këtë kuadër, kanë ardhur sigurisht edhe prej këtij handikapi të rrezikshëm.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

3-Në rastin më të mirë, në një shtet me kolona të shëndosha, në një komb a pjesë të tij me tradita e vlera të dallueshme për doket e zakonet, familjen, odën e burrave dhe të mikut, maturinë e respektin e ndërsjellë ndaj kujtdo e veçanërisht ndaj më të dobëtit, personaliteti i Ramës, jo vetëm për udhëheqës shteti (kryeministër këtë rast), por do të ishte i pa justifikuar edhe në shkallë më të ulëta, kjo edhe në të mirë të vetë atij.

Shumëkush mund të më thotë se Shqipëria nuk e ka luksin e filtrit të hollë por, vetë rasti në fjalë e hedh poshtë këtë mendësi. Personalitete të larmisë politike a jashtë saj, ish-miq të përkohshëm të tij a njerëz të thjeshtë që ua ka imponuar një rrethanë e caktuar, kanë paraqitur publikisht fakte, të pakundërshtuara prej subjektit, mbi sjellje e vepra që, nuk mund të anashkalohen tek një individ me profil të lartë, afërmendsh për një kryeministër.

Ka shembuj të njohur sot në botën e qytetëruar ku, për postet më të larta të shtetit, je përgjegjës para publikut edhe për “marrëzitë” e fëminisë në lagje, pa vënë aspak në diskutim sjelljet në familje, në publik e kudo. Rama kryeministër, e ka rrëzuar përtokë që në fillesat e postit të lartë e pa ndërprerje nëvijim, stekën e udhëheqësit të shtetit, përmes asaj gallate të palejueshme e të dënueshme për cilindo personalitet publik, sjellje kjo që zotëria i lartë (në post), e konsideron humor.

Humori është gjini e artit, e bukur por tepër e vështirë, që nuk ka asgjë të përbashkët me gallatën vulgare. Mjerisht na është dashur, për gjithë kohën e tij në krye të vendit, që të neveritemi darkë e sabah, me gallatën e tij mediatike, kuvendore, publike e shkrimore.

4- Në planin e qeverisjes, po të mbajmë parasysh atë realitet social-politik kur erdhi ne krye te qeverisë Rama, në mandatin e parë katërvjeçar, ishte njeriu më i gjetur për në atë poltron. Ai ishte i suksesshëm në përgjithësi. Disa nga problematikat e shtetit të falimentuar ku e gjeti vendin, u përmbysën në katër vitet e para. Askush si ai nuk besoi se do kishte bëre që qytetari shqiptar cep më cep vendit, një ditë do të vraponte si qerratai , të paguajë energjinë elektrike, sikundër ndodh e që as na e rrokte mëndja të bëhej, kur kujtojmë katrahurën para tij.

Punë të tjera u bënë në atë katërvjeçar. Mund të ishin bërë më shumë do të thotë dikush por, personalisht kam ndërmendje ato që u bënë dhe jo ato që nuk u bënë. Në atë mandat, ku kryeministër ishte po ky Rama i sotëm, që na vinte nga e njëjta udhë prej nga ka ardhur ky i sotmi, duke qenë se na e kish zënë frymën katrahura, nuk kishte kush mendjen të merrej me “gallatën” e Ramës që, parfumoste njësoj si sot.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Por që sot, jemi në kohë tjetër, ne kemi bërë disa hapa përpara, ne kemi bërë ndryshimin dialektik, kurse ai, Rama, ka mbetur po ai që ish. E madje magjia e pushtetit, e ka bërë ku e ku më fodull, të pasjellshëm, pa sens krijues, bajraktar qesharak të kohëve moderne.

Nuk ka nevojë për ilustrime me shembuj: në këto dy vitet e para të mandatit të dytë, Rama dhe qeverisja e tij, përtej akuzave e trillimeve neveritëse të opozitës, pra ky Ramë, e ka trashur zullumin deri aty ku, me patjetër duhet të ikë ai vetë nga ajo zyre e lartë e pushtetit.

Një parantezë, i nderuar lexues : Nga nëntori i vitit 1944 deri nga mesi i vitit 1946, pra rreth një vit e gjysëm kohë, iu desh Shqipërisë së dalë nga lufta e tmerrshme, e pabukë, e pashkollë e tjerë e tjerë, dhe me spango e fërtoma samari, mati njëmënjë tokat, pyjet, kullotat, gjithë katandinë e Shqipërisë, dhe pas më pak se dy vite, ua dha shqiptarëve në dorë tapitë dhe ç’duhej sipas ligjit. Imagjino i nderuar lexues se me çfarë personeli dhe administrate u arrit ajo punë (!). Komentet nuk më takojnë mua .

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Shihni e shkruani sot, shtatëdhjetë vite më pas, mijëra njerëz që paguhen majmërisht prej mbi dy dekada, as e kanë bërë e as ka shenja se një ditë do të mbyllet kjo histori-plagë . Ky është dështimi më i rëndë i Ramës, vetëm për këtë dështim nuk do të mjaftonin, jo një por as njëzetenjë ikje nga ajo karrige.

Me shaka do ta këshilloja që, në ikje e sipër, të mos na lërë pas kryenëpunësin e asaj zyre i cili, nëse vërtetë e katranosi dhe vet kuptimin e misionit për të cilin paguhet, ama thonë se në këto vite shkëlqeu në fushë të heraldikës, e sidomos në rrafsh të historisë së ish monarkut Zog i Parë ë më gjerë.

5-Më në fund, Rama duhet të ikë edhe për arsyen dhe faktin që ai nuk do a nuk mendon të ikë. Ai duhet të ikë që dhe të tjerët të mund të mësojnë se, duhet ikur kur nuk të mban më vendi, ai duhet të ikë që , të kuptojë ai vet, por dhe ne të tjerët se , ashtu siç ardhja, edhe ikja, janë punët më të zakonshme të njeriut politik, dhe se e kundërta e kësaj , është sjellje e neveritshme,e padurueshme, shpesh e rëndë për shtetarin arrivist dhe për shoqërinë që paguan faturën e kokëkëmbëngulësit.

/MekuliPress.com/

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.