Sipas sondazheve më të fundit, shumica e turqve e shohin pushtimin rus të Ukrainës si një sfidë për sigurinë kombëtare të Turqisë, dhe duan që qeveria të mbetet neutrale në këtë konflikt. Një pozicion i tillë i kujdesshëm, është produkt i lidhjeve financiare që ka Turqia me Rusinë, por edhe i situatës së brishtë ekonomike në vend.

Kjo ndërvarësi shpjegon edhe hezitimin e presidentit Recep Tayyip Erdogan për t’iu bashkuar sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë nga SHBA dhe BE, dhe që po mbështetet edhe nga shoqëria turke. Megjithatë, kjo politikë e ka një anë më të errët.

Siç ndodhi gjatë periudhës kur u vendosën sanksionet kundër Iranit, përpara nënshkrimit të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) në vitin 2015, presioni ndërkombëtar mbi Iranin, u konsiderua si një shans i artë nga politikanët dhe burokratët në Turqi.

Ju pëlqen!

Në fakt, nevoja e regjimit iranian për mbijetesë, kërkonte mekanizma që do të anashkalonin proceset ligjore dhe transparente ndërkombëtare, dhe shumë njerëz në Turqi panë një mundësi shumë të mirë për të pasur një rol kyç në këtë proces, duke u pasuruar jo pak.

Dhjetori i vitit 2013 shënoi një moment kthese në historinë e Turqisë moderne. Prokurorët dhe shefat e policisë të lidhur me lëvizjen Gulen, nisën një hetim për korrupsion që zbuloi lidhjet e paligjshme midis anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe Reza Zerrab, një biznesmeni iranian që lehtësonte transferimin e parave nga bankat turke në ato iraniane.

Zerrab po pastronte paratë e naftës dhe gazit natyror të Iranit përmes llogarisë së kompanisë së tij guaskë në Halkbank, në pronësi të shtetit turk, bashkë me një rrjet kompleks biznesesh, bankash dhe kompanish, në atë që u bë e njohur si “skema e shmangies më të madhe e sanksioneve në historinë moderne”.

Për të siguruar vazhdimin e operacioneve, ai u jepte ryshfete anëtarëve të kabinetit, të cilët e ndihmonin të siguronte operacionin duke shmangur ndërhyrjen e policisë turke. Më vonë aktakuza argumentoi se Egemen Bagiş, Ministër për Çështjet e BE-së, Muammer Gulen, Ministër i Brendshëm dhe Zafer Çaglayan, Ministër i Ekonomisë, kishin marrë ryshfete nga Zerrab.

Ai hetim ishte një moment historik në rrugën e Turqisë drejt autokracisë. Erdogan që në vitin 2013 ishte kryeministër, e quajti aktakuzën një “grusht shteti nga gjyqësori” të komplotuar nga lëvizja Gulen, që sipas tij synonte të përmbyste qeverinë.

Ajo ishte një përplasje e papritur, duke pasur parasysh se Erdogan dhe Gulen kishin qenë aleatë politikë kundër tutelës së ushtrisë laike pas ngjitjes në pushtet të AKP-së së Erdoganit në vitin 2002. Madje mund të thuhet se bashkëpunimi Erdogan-Gulen u dha mundësinë gulenistëve që të depërtonin plotësisht në burokracinë shtetërore turke, dhe të funksionin si një zëvendëses i ushtrinë dhe i gjyqësorit laik.

Megjithatë, këto dy fraksione patën probleme me ndarjen e pushtetit. Erdogan besonte se hetimi i korrupsionit ishte instrumentalizuar nga lëvizja Gulen për të përmbysur qeverinë e tij. Në vitet që pasuan, Erdogan arriti të mbijetonte me mbështetjen popullore që pati, duke e spastruar gradualisht burokracinë nga Gulenistët.

Sidomos pas grushtit të dështuar të tentuar në korrikun e vitit 2016, Erdogan vendosi autoritetin e tij të plotë mbi gjyqësorin, duke mos lënë asnjë institucion të pavarur.

Forcimi i autokracisë u ka hapur rrugë anëtarëve të AKP-së që të shkelin kufizimet ligjore, për sa kohë që ata qëndrojnë besnikë ndaj Erdoganit.

Nëse vazhdojnë sanksionet e vendosura nga perëndimi ndaj Iranit, duhet të pritet që anëtarët e korruptuar të qeverisë të shohin një mundësi tjetër të artë për ta ndihmuar Iranin të vazhdojë të bëjë biznes, duke iu shmangur sanksioneve të SHBA-së.

Shkalla e përhapjes së këtij korrupsioni është përmendur nga Sedat Peker, një eksponent i mafias turke dhe aleat i ngushtë i qeverisë së Erdoganit në epokën e post-puçit të dështuar, që publikoi në Youtube një seri rrëfimesh që ngjallën shumë interes.

Në këto video, ai akuzoi anëtarët e kabinetit turk për përfshirje në kontrabandën e drogës, kontrabandën e armëve, lojërat e fatit dhe korrupsionin. Në ato rrëfime, Peker tregon sesi kontrolli gjyqësor mbi organin ekzekutiv është zhdukur plotësisht, duke nënvizuar rrezikun e sanksioneve që lidhen me evazionin e JCPOA përmes një skeme që kalon në Ankara.

Prokurorët dhe gjyqtarët janë ose të korruptuar, ose kanë lidhje të ngushta me politikanët, duke e bërë më të mundur që një aktivitet i tillë i paligjshëm të vazhdojë i papenguar. Kjo nënkupton se anëtarët e qeverisë do të priren të lehtësojnë shmangien e sanksioneve për përfitimet e tyre financiare.

Nuk është për t’u habitur që ne mund të identifikojmë një lidhje midis bashkëpunimit të ministrave të AKP-së me Zerrab për pastrimin e parave iraniane, dhe rënies së ndikimit të ushtrisë në politikën turke. Një mbikëqyrje më e vogël nga organizatat e palëve të treta, tradicionalisht më kritike ndaj qeverisë, lejon përhapjen e gjerë të korrupsionit.

Ngjashëm, forcimit i sundimit të një njeriu në Turqi pas grushtit të dështuar të shtetit, u ka dhënë mundësi anëtarëve të kabinetit të kryejnë aktivitete të paligjshme, pa u shqetësuar aspak në lidhje me mbikëqyrjen nga institucionet shtetërore dhe gjyqësori, për sa kohë që ata ruajnë besnikërinë ndaj liderit autoritar turk.

E gjithë kjo, së bashku me rënien serioze të ekonomisë turke, është arsyeja pse sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë, konsiderohen si një mundësi për elitat e korruptuara, që i perceptojnë sanksionet si një pazar për të fituar më shumë para.

Çdo regjim sanksionesh, duhet të marrë parasysh rrugën e shmangies së sanksioneve që kalon përmes Ankarasë. Përvoja e dikurshme tregon se injorimi i saj, rrezikon të neutralizojë në mënyrë efektive çdo ndikim të rëndësishëm financiar ndaj regjimit që aktualisht është në fuqi kundër Iranit.

Për të mos përmendur mesazhin që ai u dërgon regjimeve të tjera aktualisht nën sanksione, si ai në Rusi, ku krahas politikanëve edhe biznesmenët e korruptuar shohin një mundësi të artë, për të përfituar në kurriz të interesave perëndimore.

Burimi: Eu Observer

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.