Nga: Shkelzen Halimi

Analfabetët funksional janë ata që nuk kanë aftësi për t’i kuptuar dhe zbatuar njohuritë e marra përmes leximit. Me fjalë të tjera, dinë të lexojnë, por nuk kuptojnë se çfarë kanë lexuar. Rreziku nga këta të fundit, analfabetët funksional ose modern, shikuar realisht, është më i madh se sa nga analfabetët klasik. Dhe tash mund të kuptojmë se përse mbi shoqërinë shqiptare ka pllakosur zymtësia. Në fakt, analfabetët funksional realisht i kemi kudo: në shkolla, në fakultete, në politikë, janë midis profesorëve universitar, të atyre të shkollave të mesme, midis arsimtarëve të shkollave fillore. I kemi edhe në administratën shtetërore, në institucionet kulturore, midis aktorëve, midis “kolumnistëve”, “shkrimtarëve”, “analistëve”, gjithandej. Një armatë e tërë, për të cilën askush nuk çan kokën. Kjo gjendje erdhi si pasojë e keqpërdorimit të vlerave demokratike, i cili keqpërdorim prodhoi vetëm anarkinë si kod të papërgjegjësisë. Ky lloj analfabetizmi jo vetëm që ka shtrirje të gjerë, por është bërë produkt i një makinerie pa zot, ku të gjithë mendojnë se kanë të drejtë, se janë pikërisht ata që i kanë munguar shoqërisë shqiptare, prandaj lehtësia e “shpërthimit” të tyre drejt faktorizimit ka bërë që tashmë analfabeti funksional të bëhet edhe model i njeriut të suksesshëm.

E gjithë kjo vjen si pasojë e degradimit të arsimit shqiptar, duke e shndërruar në vegël për përdorim të caktuar. Fatkeqësisht, arsimi shqiptar po e humb identitetin e vet dhe që moti është përjashtuar nga idealet e atyre mësuesve që tërë jetën e shkrinë për të nxjerrë breza sa më të arsimuar. Situata është alarmante në të gjitha nivelet, duke filluar që nga niveli parashkollor e deri te ai sipëror, ku studentët pothuaj nuk i nënshtrohen asnjë filtri. Të gjithë pranohen e regjistrohen, pavarësisht suksesit. Të thonë: paguaj dhe ec. Të tjerat dihen (por kalojnë në heshtje).

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...