Britania e Madhe u bë vendi i parë që nisi vaksinimin kundër Covid-19 me vaksinën e Pfizer-BioNTech. Megjithë përparësitë që mund t’u japë britanikëve në luftën me virusin, aplikimi i vaksinës mbetet një zhvillim që vendet e tjera po ndjekin me vëmendje, sidomos për të parë efektet anësore.

Kanë qenë dy rastet e anafilaksisë në Britani, për të cilat autoritete shëndetësore të vendeve të tjera janë shumë të interesuara.

Anafilaksia është një reagim i tepruar i sistemit imunitar të trupit, të cilin specialistët e shëndetit e përshkruajnë si të rëndë dhe ndonjëherë kërcënues për jetën. Reagime të tilla alergjike janë të rralla, por në një vaksinim në shkallë të gjerë, nuk janë të pazakonta.

Ju pëlqen!

Agjencia Rregullatore e Medikamenteve dhe Produkteve Shëndetësore të Britanisë (MHRA), në udhëzimet e shpërndara së fundmit paralajmëron në mënyrë specifike, se kushdo që ka histori të anafilaksisë nuk duhet ta bëjë vaksinën.

Në Shtetet e Bashkuara, rregullatorët dhe zyrtarët e shëndetit publik po shqyrtojnë nëse do ta miratojnë vaksinën nga Pfizer dhe BioNTech dhe si rrjedhojë do të hartojnë edhe udhëzimet përkatëse.

Stephen Hahn, komisioner në Administratën e Ilaçeve dhe Ushqimit (FDA) thotë se agjencia po mëson nga përvoja britanike.

“Ne po punojmë shumë ngushtë me partnerët tanë në Britaninë e Madhe për të kuptuar se çfarë ndodhi në lidhje me ato reaksione alergjike”, ka thënë ai.

Edhe Kanadaja po ndjek të njëjtën strategji. Ministria kanadeze e Shëndetësisë, e cila e miratoi vaksinën të mërkurën, tha se do të shikonte reagimet e raportuara në Britani, por shtoi se episode të padëshirueshme priten, megjithatë, ato nuk do të ndryshojnë raportet rrezik/përfitim nga vaksina.

Javën e kaluar, Agjencia Rregullatore e Medikamenteve dhe Produkteve Shëndetësore të Britanisë, MHRA, u bë rregullatori i parë në botë që miratoi vaksinën, duke shtuar se po i shikon me përparësi raportimet mbi anafilaksinë.

Një bazë e të dhënave që orienton mjekët francezë për vaksinimin vlerëson se rastet e anafilaksisë mund të jenë më pak se 1 në 100 000 doza. Megjithatë, mjekët thonë se kjo mund të ndodhë tek “çdo pacient me çdo lloj vaksine”.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.