Ana tjetër që duhej, por nuk u përmend nga Zonja!

Rina dhe Gëzimi u përmendën si dy raste të vecanta dhe të përgjithshme për të treguar gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve. Nuk është sekret që njëra anë shtrojnë gosti dhe ana tjetër vuajnë për uri.

Por është edhe Bona e cila shet gjakun për të ushqyer fëmijët. Po, po! Shet gjakun sepse rroga si pastruese nuk i del për të paguar qeranë dhe për të mbijetuar. Bona është nënë e vetme dhe nuk ka vëlla.

Ju pëlqen!

Sanija shet trupin në rrugë që të blejë një copë djath dhe bukë që të mbylli ditën.

Cimi fshin pluhrin e makinave që vezullojnë nga luksi i parave të pista të cilat Ju i mbuloni me mjeshtëri të frikshme. Edhe ai për familjen e tij e bënë dhe përsëri nuk iu ofron dot një jetesë minimale.

Agimi lyp në rrugë. As e merr mundimin të punojë sepse në fund të ditës nuk do fitojë më shumë se lëmosha e punëdhënësve.

Manjola punon ndershëm. Në zyrë si zonjë, por në fund edhe pse me një vëlla që e ndihmon, përfundon me listë cdo fund muaji në dyqanin ushqimorë të lagjes. Kostot po rriten dhe me to dhe kërkesat e fëmijëve.

Lumja është pensioniste. Tani do ishte duke shijuar qetësisht frytet e punës së palodhur kaq vjecare. Por, fati! Ajo ka një djalë me aftësi të kufizuara dhe as pensioni i saj dhe as ndihma që merr djali nuk dalin për ilace dhe ushqim e aq më pak për drita e ujë.

Alberti është kamarier dhe është kthyer në një lypës të bakshisheve se rroga… Ai nuk ka fëmijë. Alberti nuk ka as nuse. Si të martohet? Ai ul kokën dhe mbledh bakshishet një e nga një me ëndrrën se shumë shpejt do të iki nga ky vend. Ai shikon kusherinjtë e tij që jetojnë jashtë. Ëndërron jetën e tyre. Mbi të gjitha jetën e Gonit.

Goni vuajti 7 vjet për të bërë dokumentat. Punon fort se nuk ka me cfarë ta mbysi mallin për prindërit e tij. Cdo lekë e dërgon tek ata si një mënyrë për të qetësuar ndërgjegjen që e ngacmon cdo natë sepse ai e di se pavarësisht lekëve ai po humb kohën që sdo ta kthej dot më kurrë. Kohën që do kishte kaluar me ta. Historitë për fëmijët e tij kur gjyshërit të mos jenë do mungojnë..

Meti punon polic. Rropatet në atë punë me një rrogë qesharake dhe në shtëpi, tek fëmijët, sjell pendesën që cdo ditë merr urdhër të arrestojë disa qyqarë që shesin lakra dhe të përkulet përpara kriminelëve të vërtetë.

Iliri punon në gjykatë. Rrogë e mirë, por i shkreti Ilir nuk ka gjumë natën. Nëse merr vendim pozitiv e vrasin, nëse merr vendim negativ e hetojnë, e dënojnë, e diskretitojnë.
Që mos të zgjatem me këto raste se janë të shumta të flasim për anën tjetër që nuk e di pse mbahet kaq qetësi.

Pse nuk na foli Zonja për faktin se në të njëjtin vend, nën të njëjtën hënë me Rinën dhe Gëzimin, jetojnë edhe njerëzit më të pasur të Ballkanit. Ata që pasurohen pikërisht nga varfërimi i anës tjetër. Në fund pastrojnë shpirtin dhe mëkatet me një fjalim me emra të përvecëm për ta bërë akoma më dëshpëruese situatën, por pa zgjidhje. Zgjidhjet sigurisht premtohen për mandatin tjetër se tre mandate u deshën për lokalizimin e Rinës dhe Gëzimit.

Por secili të flasi për veten. Do të ishte më e ndershme që zonja të na fliste për anën tjetër. Atje ku qëndron ajo vetë. Madje e gjithë ajo anë tjetër të na mësojnë dhe ne se si u pasuruan brenda natës.

Të na tregojë dhe ne se ku i gjejnë paratë për makinat e tyre të shtrenjta ku një disk makine kushton sa një vit rrogë e anës tjetër.

Të na shpjegojnë me durim sesi ia arritën të blinin apartamente brenda dhe jashtë vendit.

Si arrijnë të menaxhojnë kohën që të punojnë, propagandojnë, jetojnë dhe të jenë dhe kaq të suksesshëm në fitimin e parave në mënyrë të ndershme?

Dua të di se me cfarë konkursi familjarët e tyre janë kudo ku buron paraja dhe kudo ku ka fuqi.

Si mundet që propagandojnë aq shumë arsimimin në Shqipëri, por fëmijët e tyre i dërgojnë për studime jashtë vendit?

Pse zënë be dhe rrufe që nuk kanë prekur asnjë cent nga paratë e shqiptarëve dhe në fund nuk justifikojnë dot nivelin e tyre të jetës?

Si femër dua të di si mund të blej koleksionet më të reja e më të shtrenjta që prezantojnë fjalën e fundit të modës.

Këto pres të dëgjoj një ditë sepse Rinën e Gëzimin e njoh, i njoh, i shikoj dhe i takoj cdo ditë.
Vetëm emrat ndryshojnë, historitë janë po njësoj.

Silvana BEGAJ

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.