AMORALITETI I PËRSËRITUR POLITIK I PARTIVE SHQIPTARE DHE ZGJEDHJET PRESIDENCIALE NE ISH IRJM



Afrim Fanda

“Ftojmë qytetarët shqiptarë që të dalin më 5 Maj dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës, duke respektuar bindjet e tyre individuale”; “është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të zgjedhë një president dhe mos të krijohet krizë e re institucionale gjë që do ngadalsonte proceset integruese të shtetit drejt NATO dhe BE”,  deklaruan pothuajse njëzëri  Aleanca per Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe kandidati i pavarur z. Blerim Reka, dy ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, pas një ngurimi të gjatë në mungesë guximi, parimi dhe vizioni për t’ju drejtuar votuesve të nxitur në raundin e pare nga ata vet për të votuar “shqiptari shqiptarin”,  dhe pazarllëqesh që lihen për t’u nënkuptuar, duke aluduar tani hapur që të votohet për kandidatin e LSDM, z. Stevo Pendarovski.

Por,  ishin “arnautë”, “shqiptarë me gjak sllavi”,  sipas exponentëve të ASH dhe Lëvizjes Besa, ata shqiptarë që dolën në zgjedhjet për president të ish IRJM, dhe në raundin e parë votuan kandidatin e LSDM Stevo Pendarovski, të përkrahur nga BDI dhe disa parti të vogla ne bashkeqeverisje me LSDM!? Dhe, a qenë shqiptarë “patriotë”, “me gjak shqiptari” ata që dolën në këto zgjedhje dhe votuan kandidatin shqiptar të pavarur z. Blerim Reka, të përkrahur nga dy partitë “opozitare” Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, të cilat tani, tërthorazi ftojnë këta votues që në raundin e dytë të votojnë kandidatin e LSDM!?

Pergjigja më e saktë dhe më e drjetë do të ishte Jo! As të parët e as të dytët nuk janë as heronj e as tradhtarë, por thjesht viktima të një pushteti antishqiptar dhe partive shqiptare amorale në shërbim të këtij pushteti.  Ashtu siç nuk jane heronj ata që votuan kandidatin e “pavarur” shqiptar, por shqiptarë fatkeq në pritje të një punësimi nga ndërimi i pushteteve, ose shqiptarë të ndershëm por naivë,  nuk janë tradhtarë as shqiptarët që votuan kandidatin e LSDM, por thjesht skllevër fatkeq të pushtetit dhe partive shqiptare amorale, të cilët per bukën e gojës, në çdo zgjedhje votojnë sipas urdhërit të partive shqiptare në pushtet, për t’i mos hequr nga puna ose  në këmbim të një punësimi në administatë.

Pergjigjen e vërtetë dhe të merituar këtij pushteti antishqiptar pseudo-demokratik dhe partive amorale shqiptare, e dha shumica shqiptare që përbuzi ftesën e partive shqiptare mercenare në pushtet për të marrë pjesë në këtë maskaradë prej zgjedhjesh. Por njëkohsisht, nuk lejoi të manipulohet as nga partitë shqiptare “opozitare”  të cilat në vend se te luftojne per te dryshuar sistemin që gjeneron këtë skllavëri për shqiptarët, në mënyrë që të sigurojnë instrumentet që do të garantonin të drejtat kolektive të shqiptarëve, ata nxorën përpara shqiptarëve individin qe ua ofronte po te njëjtin sistem,  po të njëjtën “Republikë” që ua ofron edhe kandidati i LSDM, po aq unitare dhe sllave, dhe të udhëhequr nga po e njejta qeveri, ajo e LSDM e Pendarovskit!

Dalja në përqindje kaq të ulët e shqiptarëve në qytetet e tyre (nën 20 %), pra, nën pjesëmarrjen edhe ashtu të ulët në nivel të shtetit (42%), tregoi se shumica e shqiptarëve, ashtu siç bënë edhe në referendumin e fundit, refuzuan që t’i nënshtrohen diferencimit ideo-politik fallco për të zgjedhur mes LSDM-së “proeuropiane” apo VMRO-së “pro ruse” të imponuar nga partitë amorale shqiptare në shërbim herë të njërës, e herë të partisë tjetër sllave.  Treguan se nuk besojne në drejtësinë dhe ligjshmërinë, e as në intergrimet (që, siç e shohim varen kryekëput nga ndërkombëtarët) dhe “të ardhmen e përbashkët” që do t’ua sillnin ata të cilët zbatuan për gjysem shekulli terrorin komunist mbi shqiptaret, e sot, në mënyrë absurde kërkojnë nga ata që të heqin dorë pikërisht nga standardet evropiane për qeverisjen e këtij shteteti si bashkësi popujsh, në emër të kinse integrimit në BE.

E shqiptarët nuk do të dalin as tani kur kryeministrit Zaev i duhen shqiptarët për të shpëtuar vlefshmërinë e ketyre zgjedhjeve presidenciale në shtetin e tij unitar, duke plotësuar pragun zgjedhor të rezikuar, prej 40% dalje në vendvotime. 

Kryeminstrit Zaev i mbetet që t’u përgjiget shqiptarëve në pyetjen:  Nëse mos plotësimi i pragut zgjedhor prej 40% i ben këto zgjedhje presidenciale të pavlefshme per ish IRJM, sa i bën të vlefshme këto zgjedhje për shqiptarët, dalja e tyre nën 20%!? /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
[wpedon id=16879]