Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, po shqyrtohet raporti i rregullt gjashtëmujor për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Përfaqësuesi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, Ferit Hoxha ka thënë se Kosova ka ndërtuar një demokraci të shëndoshë dhe ajo është një faktorë që sjell paqe në Ballkan.

“Ne përshëndesim pozitën e qartë të Kosovës në lidhje me Ukrainën, dhe lavdërojmë Qeverinë e Kosovës për gatishmërinë për të strehuar refugjatë përfshirë edhe gazetarët”, tha ai.

“UNMIK-u nuk ka më asnjë rol thelbësor në Kosovë. Sigurinë e ruajnë institucionet e sigurisë në Kosovë e KFOR-i. UNMIK-u kushton shumë dhe duhet të rishikohet prania e këtij misioni në të ardhmen”.

Përfaqësuesi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit thotë se dialogu është i mirëseardhur pos sipas tij ai duhet të japë rezultate.

“Nuk duhet të kalojnë pa ndëshkime ata që kanë ushtruar dhunë seksuale në Kosovë dhe ata që kanë zhdukur persona në luftë. I dëgjojmë klithmat e rreth 20 mijë grave dhe vajzave që janë përdhunuar nga serbët, e të cilët ende janë të pandëshkuar”.

Ai thotë se pavarësia e Kosovës është realitet.

“Pavarësia e Kosovës nuk është më temë diskutimi as në këtë Këshill e as përtej këtij. Që nga viti 2008 rajoni ka njohur më shumë paqe dhe perspektivë zhvillimi drejtë Bashkimit Evropian”.

Hoxha ka thënë se instrumentalizimi i minoriteteve në Kosovë është lojë me zjarr dhe me pasoja shumë të rënda.

“Disa herë kemi argumentuar se Rusia ka ndikim në Ballkanin Perëndimorë. Dora e zgjatur e Rusisë nuk duhet të pengojë avancimin e rajonit. Duhet të ndëshkohen ata që sulmuan Policinë e Kosovës në veri”, deklaroi Hoxha.