Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha se “nuk e kuptonte se pse ambasadori britanik në Tiranë, Duncan Norman, ishte kaq i përfshirë në çështjet e brendshme të Shqipërisë kur bëhet fjalë për zgjedhjet”. Në përgjigje, diplomati i Mbretërisë së Bashkuar, thotë se zgjedhjet e rregullta janë të rëndësishme jo vetëm për popullin shqiptar por edhe për miqtë e Shqipërisë.

“Zgjedhjet, sigurisht që janë të rëndësishme për popullin shqiptar. Kështu është dhe kështu duhet të jetë. Por zgjedhjet e suksesshme në Shqipëri janë të rëndësishme edhe për miqtë e Shqipërisë. Ne e kemi mbështetur Shqipërinë për dekada me radhë. I kemi dhënë ndihmë dhe mbështetje dhe e dëshirojmë shumë suksesin e Shqipërisë. Ne dëshirojmë ta shohim Shqipërinë të anëtarësohet në BE dhe ne si Mbretëri e Bashkuar do të bëjmë gjithë çfarë mundim për të ndihmuar Shqipërinë në këtë proces.

Një nga gjërat që ne të gjithë e dimë që kërkohet është: mbajtja e zgjedhjeve të suksesshme. Kështu që absolutisht, është një gjë mjaft e rëndësishme për popullin shqiptar, por ka rëndësi gjithashtu edhe për ndërkombëtarët, për ata që mbështesin Shqipërinë, për miqtë e Shqipërisë dhe këtu sigurisht përfshihet Mbretëria e Bashkuar. Unë nuk jam i përfshirë në zgjedhjet, unë qartësisht nuk po organizoj zgjedhjet, madje nuk ka pikë rëndësi për mua se kush i fiton zgjedhjet, por ka shumë rëndësi për mua dhe për Mbretërinë e Bashkuar që këto zgjedhje të jenë të suksesshme” – tha Norman në RTSH.

Ju pëlqen!

“Si diplomat nuk do të ishte e përshtatshme për mua për të folur për bisedat private. Nuk do ta bëja kurrë këtë… Disa njerëz e shohin këtë gjë ndryshe, por për mua çfarë thuhet në mënyrë private mbetet private” – tha Norman i pyetur nëse të tilla biseda i kishte bërë edhe me Ramën.

“Mendoj që diplomacia është që miqtë t’u thonë miqve të vërtetën dhe siç e thashë ne kemi qenë shumë mbështetës për procesin elektoral në Shqipëri dhe e kemi mbështetur prej vitesh. Marrëveshja e 5 qershorit është një shembull i mirë që provon këtë. Ne punuam ngushtësisht me kolegët amerikanë dhe të BE-së. Ne ndihmuan në gjetjen e një rruge për të sjellë në proces opozitën jashtëparlamentare dhe mendoj se kjo ishte e rëndësishme. Reforma elektorale, për mendimin tim ishte diçka që duhej bërë me pjesëmarrjen e të gjithë “lojtarëve”.

Mendoj se kjo ishte e rëndësishme dhe ne bashkë me SHBA dhe BE shpenzuam shumë kohë për të mbërritur te marrëveshja e 5 qershorit dhe ky ishte një hap i rëndësishëm përpara që plotësoi shumë kërkesa, do të thoja kërkesat kryesore të ODHIR-it dhe kjo ishte ajo që çfarë synonim.

Sigurisht nuk ishte reforma më e madhe e ndërmarrë ndonjëherë, por sigurisht ishte një reformë që përmbushi kërkesat e ODHIR-it. Mendoj se është e rëndësishme të theksohet fakti se pas kësaj u vijua me reformë të mëtejshme pa këtë konsensus, mendoj se kjo nuk u bë në frymën e bashkëpunimit që kishim deri në këtë kohë. Por kjo tashmë është histori. Ne jemi këtu ku jemi. Të gjithë partitë do të marrin pjesë në zgjedhje dhe ne të gjithë duhet të fokusohemi dhe të jemi të sigurt se 25 prilli do të jetë sa më i suksesshëm që të jetë e mundur dhe kjo është ajo çfarë ka rëndësi” – tha Norman.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.