Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian. Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS. Data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

“Sot ne kemi marrë një hap të rëndësishëm për Kosovën drejt lëvizjes së lirë pa viza. Shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë këtë premtim një realitet. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur falë përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollin kufitar. Po ashtu për të menaxhuar migrimin. Ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm sa do të forcohet në të ardhmen”, ka thënë ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky.

Ju pëlqen!

Vendi i tij udhëheq presidencën e bllokut evropian. Ai ka përpiluar tekstin e vendimit që është miratuar nga ambasadorët e BE-së.
Sipas vendimit, liberalizimi i vizave do të vlejë vetëm për bartësit e pasaportave biometrike. Kjo është në përputhje me standardet ndërkombëtare të udhëtimit.

“Pa paragjykuar qëndrimet e vendeve anëtare ndaj statusit të Kosovës – në periudhën deri te nisja efektive e liberalizimit të vizave, dhe ku do të jetë i zbatueshëm vendimi – Kosova duhet të synojë të arrijë marrëveshje apo aranzhime për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat nuk i ka”.

Diçka e tillë kërkohet për t’iu mundësuar vendeve anëtare të BE-së që të mund të dëbojnë nga territori i tyre qytetarët e Kosovës. Kjp në rast se ata keqpërdorin liberalizimin e vizave duke qëndruar ilegalisht. Po ashtu, edhe nëse kërkojnë azil pa pasur bazë.

Kosovës, po ashtu, i kërkohet të vazhdojë të përshtasë politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Ndërkohë i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura të tjera që i kërkojnë vendet anëtare.

Pse lidhet procesi i vizave me sistemin ETIAS?
ETIAS kërkon që udhëtarët pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.

Franca ka qenë shteti që ka këmbëngulur që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me ETIAS-it.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen. Ajo përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.

Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva./REL

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!