Sekretari amerikan i Shtetit, Michael Pompeo, njofton se SHBA’ja ka grumbulluar 274 milionë dollarë, me të cilat do të ndihmojë 64 shtete të botës për krizën nga virusi COVID-19. Ambasada amerikane thotë se ky është një lajm i mirë edhe për Kosovën.

274 milionë dollarët e sotëm do të sigurojnë resurse për 64 shtetet që janë më së shumti në rrëzik, që ta përballojnë sa më mirë pandeminë. Gjithashtu, do t’ia mundësojmë Komisionerit të Lartë për Refugjatë në Kombet e Bashkuara të ndihmojë popujt më të prekur”, thuhet në komunikatën për media të Pompeos.

Ambasada amerikane në Prishtinë e ka shpërndarë këtë komunikatë duke shkruar “lajm i mirë për Kosovën dhe luftën e saj ndaj virusit COVID-19”.

Sekretari amerikan thotë më tutje se me këtë fond, SHBA’ja dëshmon edhe njëherë se është liderë për shëndetin global dhe ndihma humanitare.

Pompeo ka treguar se ky është vetëm fillimi i ndihmave për luftimin e koronavirusit dhe se SHBA’ja do ta vazhdojë kontributin e saj.