Akademiku Ali Hadri sot mund të jetë një personalitet më pak i njohur për gjeneratat e reja, dhe prandaj duhet ta sjellim në vëmendje punën dhe angazhmin e tij të pashoq.

Ali Hadri lindi më 3 mars 1928 në Lushnjë. Shkollën fillore dhe të mesmen i mbaroi në Gjakovë. U diplomua në vitin 1956 në Fakultetin Filozofik të Beogradit dhe pastaj po aty u magjistrua në vitin 1960. Disertacionin e doktoratës ‘Lëvizja nacionalçlirimtare në Kosovë 1941-1945’ e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në vitin 1970.

Ai ishte dekan i Fakultetit Filozofik të Prishtinës, profesor ordinar i Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i Institutit të Historisë të Kosovës. Ishte drejtor i revistës “Përparimi”, kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike” (seria historike) dhe kryeredaktor i revistës “Kosova”. Për shumë vite i drejtoi studimet pasuniversitare dhe udhëhoqi shumë magjistrantë dhe doktorantë.

Ju pëlqen!

Hadri ishte delegat i Kuvendit Krahinor të Punës Shkencore, anëtar i Këshillit të Koordinimit të Shkencës dhe të Teknologjisë të Jugosllavisë, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të shoqatës jugosllave Shkenca dhe shoqëria, kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Historianëve të Jugosllavisë dhe bashkëpunëtor i një numri revistash historike.

Në fushën e shkencës së historisë, Hadri botoi, duke filluar nga viti 1957, qindra punime. Botoi dhjetë vepra monografike dhe shumë tekste të historisë së popullit shqiptar për shkollën fillore dhe për shkollën e mesme. Ka marrë pjesë me referate e koreferate në simpoziume dhe në tubime të tjera shkencore.

Për punën e tij shkencore e kulturore-shoqërore iu dha dy herë Shpërblimi Krahinor i Dhjetorit; u dekorua me Urdhrin e Meritave për Popull me Rreze të Argjendta dhe me Urdhrin e Punës me Flamur të Kuq.

Ali Hadri vdiq në Pejë, më 2 dhjetor 1987.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.