Tatjana Haxhimihali: Një libër për jetën e babait tim

Ka punuar për pesë vjet për të thyer heshtjen e të atit. Por, s’ka bërë të flasë vetëm Aleks Budën, por tërë brezin e tij. Në një vëllim prej 358 faqesh, e bija e historianit dhe themeluesit të Akademisë së Shkencave, ka hedhur kujtimet e të atit që nga fëmijëria deri në ditën e çlirimit të Tiranës. “Fillimisht e nisa si një libër kujtimesh për familjen”, tregon e bija, Tatjana Haxhimihali, por më pas libri i ka shpëtuar këtyre kornizave. Por a mund të futej në kornizë jeta e Aleks Budës? “Një jetë që kalon nëpër ngjarjet kryesore të kohës së tij, me sfond kombëtar dhe ndërkombëtar, që rrokin dy luftra botërre dhe përmbysje të mëdha revolucionare….Kujtimet e Aleks Budës, do të mbajnë vulën e kësaj kohe, e cila do të hyjë e do të ndjehet në një mënyrë a në një tjetër në tërë jetën e tij”, thotë profesor Nasho Jorgaqi në parathënien e “Kujtimeve të Aleks Budës”. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, Tatjana Haxhimihali tregon për “Kujtimet” e të atit. Fëmijëria dhe jeta studentore. Bisedat me Eqerem Çabejn, Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin, Mitrush Kutelin. Takimet me shkrimtarin Stefan Cvajg dhe aktorin Aleksandër Moisiu. Kthimi në Shqipëri dhe ditari 10-ditor i luftës.

Ju keni shkruar kujtimet e babait tuaj. Si vajza e profesor Aleks Budës, cilat janë kujtimet tuaja më të bukura që keni nga babai?

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Kujtimet më të bukura që nga fëmijëria e deri vonë janë dashuria për librin, për artin dhe kulturën që i mora që në vegjëli, në ambientin e familjes. Dhoma ku flija ishte e mbushur në të katër faqet e mureve me rafte plot libra nga lloj-lloj autorë, veçanërisht shkrimtarë gjermano-austriakë. Dhe vetvetiu nga kureshtja, duke pyetur, fillova të mësoja shumë gjëra për botën që na rrethonte dhe më vonë për letërsinë, historinë, shkencën, filozofinë etj. Njoha autorë dhe vepra të cilët ishin interesantë dhe shpeshherë nga ata që nuk studioheshin në bankat e shkollës apo të universitetit edhe pse vazhdova studimet në fushën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Ai pasion për dijen, kulturën që kishte im atë, sepse vazhdimisht lexonte, dalëngadalë filloi të na përçohej dhe te ne, fëmijë e tij. Në fillim nëpërmjet përrallave të Andersenit, të Vëllezërve Grim etj., tregime të mrekullueshme që na hapnin horizonte të pamasa për botë dhe vende të çuditshme shumë larg vendit tonë të vogël. Ishin kaq interesante këto tregime, shpeshherë të përshtatura me fantazi nga babai që ta ndjenim më të afërt ngjarjen, sa ne mezi prisnim ditën e dielë që ishte dita e pushimit të tij, për të dëgjuar gjithnjë nga një histori të re. Këto momente ishin më të bukurat e javës për mua dhe vëllain tim më të vogël.

Sa libra kishte babai juaj në bibliotekën ne tij?

Kur erdhi nga Austria ku bëri studimet e mesme dhe të larta, babai solli pasurinë e tij të vetme, por me shumë vlerë, grumbuj arkash të mbushura me libra, që ndoshta arrinin rreth 10 mijë vëllime. Këto u pasuruan më vonë vazhdimisht, sepse një bibliofil siç ishte im atë, ndiqte dhe blinte, me sa kishte mundësi, pothuajse çdo libër të ri. Kujtoj gëzimin e tij kur u hap libraria që quhej Libri ndërkombëtar, që me gjithë kontrollin e rreptë të kohës arriti “t’i siguronte një ushqim shpirtëror që nuk e la fare të varfër”. Ndërsa me kohë i kaluan të 15 mijët, pa dyshim.

Po tani ku janë këto libra?

Ç’është e vërteta, gjendja e librave që ka lënë nuk është fort e mirë, sepse ato janë mbajtur në vende jo të përshtatshme dhe me kalimin e kohës,sidomos librat e vjetër, të kohës së Austrisë siç i quante ai, kanë filluar të dëmtohen. Po ashtu edhe shumë dorëshkrime, korrespondenca që më kanë shërbyer për këtë vëllim me kujtime dhe që nuk e di sesa do të mund të më shërbejnë edhe për të ardhmen.

Kur lindi ideja për të shkruar kujtimet e babait tuaj?

Ideja për të shkruar këtë libër më ka lindur në vitet ’90 kur shqiptarët të dehur nga liria do ta shpërdoronin atë dhe kur vlerat morale dhe njerëzore filluan të lëkundeshin. Pikërisht në këtë kohë im atë u sëmur rëndë. Dhe pata frikë se mos mbresat që kishin ardhur tek unë nëpërmjet tij, nuk do të arrija t’i shprehja, po të mos i verifikoja edhe me të, me aq sa mundej. Gjithashtu shfrytëzova arkivin e tij, ashtu të pasistemuar, korrespondencën, etj., të cilat ndodheshin të përziera së bashku edhe me librat. Ç’është e vërteta, mprehtësia, saktësia dhe erudicioni i bisedës së tij më kanë bërë t’i ruaja të gjalla ngjarjet dhe subjektet kurdoherë.

A e dinte babai juaj se do i shkruanit kujtimet e tij?

Jo, fare. Madje, ai modest si gjithmonë mendonte se nuk ia vlente të shkruante historitë e jetës së vet, aq më tepër për t’i bërë publike. “De sibi es tacendum”( për veten heshtet), shprehej ai gjithmonë. Po nga vlerësimet që kam marrë si brenda dhe jashtë Shqipërisë po bindem gjithnjë e më tepër që kam bërë një punë të mirë, të cilën dhe ai s’do të kish si të mos e çmonte.

Kujtimet e babait tuaj në këtë libër shkojnë deri në ditën e çlirimit të Tiranës, në mbarimin e luftës. Duket sikur jeta e tij është lënë përgjysmë, a do të vazhdoni me këto kujtime?

Kjo është e vërtetë. Dëshiroj të vazhdoj sepse në këtë vëllim janë dhënë vetëm premisat e formimit të kësaj figure, por vlera e përpjekjeve dhe punës së një shkencëtari dhe patrioti, siç e kanë quajtur, do të ishte e paplotë nëse nuk do të jepej periudha e pasluftës, deri në vitet e fundit të jetës së tij. Kjo periudhë ishte edhe më e dalluara në aktivitetin e tij.

Babai juaj përveçse si historian i njohur, është edhe themeluesi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Madje, si kryetar të saj e ka propozuar vetë udhëheqësi i asaj kohe Enver Hoxha. Si kanë qenë raportet e tij me Hoxhën, duke qenë në pozicionin e një njeriu me formim Perëndimor?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, po citoj profesor Kristo Frashërin, një nga kolegët e babait tim, i cili në kumtesën e mbajtur me rastin e 85-vjetorit të lindjes së Aleks Budës u shpreh kështu: “Dikush mund të thotë se ai i ka bërë elozhe partisë së Punës. Është e vërtetë. Ishte taksa që duhet të paguante për t’i hapur rrugën shkencës. Le të kujtojmë Naim Frashërin, i cili për të marrë lejen e përhapjes në Shqipëri të veprës së tij “Lulet e verës”, ai ia dedikoi atë sulltan Abdyl Hamitit. Historia e tregoi se nga dedikimi askush nuk u bë sulltanist, kurse nga përmbajtja, kush e lexoi, u bë shqiptar i flaktë”. Këto dhe episode të tjera ndoshta do të jenë subjekt i një vëllimi të ardhshëm.

Po ky vëllim kujtimesh, çfarë përmban?

Ngjarjet e këtij libri përfshijnë periudhën e fëmijërisë dhe të rinisë së babait, Aleks Budës. Ato zhvillohen në dy vende që për të ishin si dy nëna që plotësonin njëra-tjetrën. E para ishte Shqipëria që e ushqeu me dashurinë për vendin, dhe e dyta, Austria, me dashurinë për dijen dhe kulturën. Në libër marrin përgjigje disa pyetje: Përse Elbasani ka qenë vatër e rëndësishme e kulturës shqiptare? Përse pikërisht shkencëtarët austro-hungarezë u morën me problemet e albanologjisë shqiptare? Përse Austria ishte një vend kaq tolerant ndaj të huajve? Përse nga ai brez që studioi në Austri dolën figura të shquara në fusha të ndryshme të shkencës, kulturës, artit në Shqipëri? Në këto kujtime ka mbresa të babait nga ajo kohë e papërsëritshme e studentërisë. P.sh. bisedat me Eqerem Çabejn, Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin, Mitrush Kutelin etj., të cilët kanë ndodhur të jenë edhe personazhe të librit në kapituj të veçantë. Këtu më ka shërbyer edhe korrespondenca midis tyre që e kam gjetur në arkivin e familjes. Ngjarjet e kohës që jetoi, në libër jam përpjekur t’i jap sa më të gjalla sipas tregimeve të tij. Për shembull, mbresat e tij kur përjeton ardhjen në fuqi të nazizmit në Austri, pushtimin italian dhe gjerman të Shqipërisë. Në libër kam përfshirë edhe një ditar i cili është mbajtur vetëm 10 ditë nga babai, gjatë kohës së përfundimit të luftës, kur ai së bashku me një grup arsimtarësh doli në zonat e çliruara të Elbasanit, për të ndihmuar në rimëkëmbjen e vendit. E kam gjetur rastësisht, në atë që unë mund ta quaj arkivin tonë, kur edhe vetë im atë s’e dinte që mund të ishte ruajtur ai bllok i vogël shënimesh ku kish filluar të hidhte mbresat e një jete të re, krejt të ndryshme. Thashë se e quajta arkiv për nga vlerat historike që përmban për familjen, por materialet që janë grumbulluar aty nuk janë aspak të sistemuara. Janë interesante takimet e babait me njerëz të kulturës dhe të artit në Austrinë e asaj kohe. Për shembull është një kapitull i veçantë me mbresat e paharrueshme të Aleksit, atë kohë student në Vjenë, nga takimi me Cvajgun, apo me Aleksandër Moisiun. Ai ka qenë nga të vetmit shqiptarë që ka marrë pjesë në varrimin e Aleksandër Moisiut. Kujtimi i pashlyeshëm nga ai varrim, madhështor në thjeshtësinë e vet, që vetë artisti i madh i teatrit gjermanofon dhe botëror e pati kërkuar të ishte i pabujshëm, ashtu si dhe shumë episode të tjera që lartësojnë vlera të larta morale njerëzore, i japin librit një përmasë të re. Një përmasë që kalon përtej biografisë së një njeriu siç ishte im atë.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!