Albulena Haxhiu: Të gjitha votat për numrin 1 në listën e LV, numërohen

Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se vota për numrin 1 në listën e VV’së nuk është votë e pavlefshme as për subjektin dhe as për kandidatët tjerë.

“Vota për numrin 1 është votë për praninë që nuk mund të bëhet mungesë.Çdo votë për numrin 1 është votë për Albin Kurtin. Është votë kundër padrejtësisë që u bë nga institucionet e kapura” ka shkruar Haxhiu në Facebook, përcjell e pavarura MekuliPress.

Tutje, Haxhiu shton se disa pushtetarë, me anë të kontrollit që kanë mbi KQZ e institucione të tjera, e bënë këtë veprim vetëm që të pamundësojnë atë që dihet, që Kurti do të legjitimohet kësaj radhe me një numër shumë të madh e historik votash.

“Ata i tremben legjitimimit dhe mbështetjes për Kurtin sepse e dinë që atë legjitimitet ai do ta përdorë për ta luftuar korrupsionin dhe për ta zhvilluar vendin. Por, Kurti mund ta marrë legjitimitetin edhe kështu, duke votuar numrin 1 në listë prandaj pas numrit 127, numrit të Lëvizjes, vazhdoni me numrin 1!” shkruan ajo.