Vendime për shkarkime janë marrë nga Qeveria Kurti në ditët e para të qeverisjes.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë të mbajtur të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori vendim për shkarkimin e Bordit të Telekomit dhe shkarkimin e sekretarëve të Ministrive.

Dy ditë më pas, ministri i punëve të jashtme, Glauk Konjufca, mori vendim për shkarkimin e 14 konsujve nëpër ambasada të Kosovës në vende të ndryshme të botës.

Shumë prej personave që ishin pjesë e Bordit të Telekomit dhe konsujt kishin lidhje me politikanë të partive politike që kanë qenë në pushtet deri tani.

Se sa ishte i drejtë shkarkimi i tyre dhe sa ka shpresë që të emëruarit e ri në pozitat e caktuara të jenë persona të duhur për ato pozita dhe që nuk kanë të bëjnë me partitë në pushtet,  kanë folur njohës të çështjeve politike.

Tahiri: Qeveria Kurti është edhe e mandatuar për të bërë ndryshime

Image

Ramush Tahiri

Politologu Ramush Tahiri, ka thënë se Qeveria Kurti është e mandatuar për të bërë ndryshime edhe në mekanizmat tjerë.

“Qeveria Kurti është edhe e mandatuar për të bërë ndryshime duke marrë parasysh se asnjëra nga partitë që ishin në pushtet në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare nuk doli as e para e as e dyta por Qeveria me kryeministër Albin Kurti u krijua në koalicionin VV-LDK, pra partitë që ishin në opozitë. Për këtë nuk ndryshon vetëm Qeveria por edhe të gjithë mekanizmat e tjerë që janë të ndërlidhur me ketë”, është shprehur ai.

Tahiri thotë se në të kaluarën fatkeqësisht emërimet ishin bërë me kritere e merita joprofesionale.

“Fatkeqësisht në Kosovë në të kaluarën me një kriter të meritokracisë partiake ishte bërë ndarja dhe përzgjedhja e pushtetit dhe ajo që opozita kritike e quante kapja e shtetit. Qeveria Kurti po i suspendon, po i pezullon dhe po i shkarkon të gjithë ata bartës të ish pushtetit që u emëruan ose u zgjodhën më herët nëkritere e merita joprofesionale”, ka vlerësuar politologu.

Sa i përket shkarkimeve të sekretarëve të ministrive, Bordit të Telekomit dhe konsujve nëpër Ambasada, ai vlerëson se po pritën mirë dhe pritjet janë që emërimet e reja të bëhen në kritere profesionale.

“Disa nga pozitat e sekretarëve të përhershëm u pezulluan se u shuan ministritë dhe nga 21 mbetën 15. Bordet u shkarkuan në një varg ndërmarrjesh publike sepse edhe Qeveria Haradinaj i kishte përzgjedhur pas shkarkimit të bordeve të mëhershme. Një spastrim po bëhet edhe në MPJ me shkarkimin e konsujve të Republikës së Kosovës e do të vazhdohet me ambasadorë dhe me personel të tjetër që u emëruan si politik duke qenë militantë partiakë. Këto masa po priten mirë dhe po përkrahen nga qytetarët në politikën e vendosjes së ligjshmërisë e kushtetutshmërisë dhe sigurisht që pritjet janë që emërimet dhe zgjedhjet në këto pozita të bëhen në kritere profesionale duke u vënë në funksion të shtetit dhe jo të partisë dhe të klaneve oligarkike e klienteliste”, ka deklaruar Ramush Tahiri.

Zogaj: Pastrimi i punësimeve nepotike është detyrë e shenjtë, që duhet të ndodhë sa më parë

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë se gjatë të gjitha qeverisjeve të pasluftës punësimet kanë qenë të pamëshirshme dhe kanë shkaktuar plagë e me pasoja, ku nepotizmi ka shkaktuar pasoja që nuk mund të shërohen kurrë.

“Është fakt i pamohueshëm se, punësimet nepotike gjatë të gjitha qeverisjeve të pasluftës, kanë qenë të pamëshirshme dhe Kosovës i kanë shkaktuar plagë të jashtëzakonshme e me pasoja afatgjate! Punësimet nepotike ia kanë vrarë gëzimin dhe shpresën e lirisë mijëra qytetarëve shqiptarë të Kosovës, sidomos të rinjve, të cilëve në mënyrë banditeske u është rrëmbyer buka e gojës! Nepotizmi sikur “koronavirusi” ka shkaktuar pasoja që nuk do të mund të shërohen kurrë sepse dështakët ua kanë rrëmbyer punën kuadrove me përgatitje të larta elitare, që janë detyruar të marrin botën në sy dhe ta fitojnë bukën e gojës duke pastruar pjata ose nëpër kantiere ndërtimore”, ka thënë Zogaj.

Andaj, sipas tij, pastrimi i këtyre punësimeve është detyrë e shenjtë dhe sinjal për shpresë për ndryshim dhe se kriteri profesional duhet të jetë kushti vendimtar.

“Prandaj, pastrimi i punësimeve nepotike është detyrë e shenjtë, që duhet të ndodhë sa më parë, dhe të përkrahet pa rezerva nga gjithë qytetarët e vendit! Fillimi i shkarkimeve nga ana e kryeministrit Kurti është sinjal i mirë që jep shpresë për ndryshimin e gjendjes, e cila shpresojmë se do të bëhet ndershmërisht, për qëllime të pastra dhe jo për përfitime partiake, siç ka ndodhur deri tash! Kriteri profesional duhet të jetë kushti vendimtar, e jo siç ka ndodhur, që barinjtë me shkolla fillore të jenë dërguar në detyra diplomatike! Një analizë e saktë e gjendjes dhe masat adekuate, do të jenë të mirëpritura, që Qeveria Kurti duhet ta bëjë guximshëm”, ka deklaruar Skënder Zogaj.

Burjani: Këto shkarkime si tek konsujt edhe në borde është pozitive dhe nuk mund të zëvendësohen me militantë tjerë politikë nga LVV dhe LDK

Image

Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani, ka  se shkarkimet janë të arsyeshme dhe ka një pozitivitet që të shkarkuarit të zëvendësohen mëprofesionistë me një konkurs dhe komision të pavarur.

“Shkarkimet që po ndodhin janë të arsyeshme për shkak se shumica e bordeve janë përbërë me vite nga partitë politike edhe pse bordet janë të pavarura pra janë borde profesionale, tash ka një pozitivitet për të zëvendësuar ata me profesionistë me një konkurs dhe komision të pavarur që do të themelohej për të zgjedhur më të mirët të bazuar në kritere profesionale”, është shprehur ai.

Sipas tij, duhet të shpresojmë që të emëruarit të zëvendësohen me njerëz profesionistë dhe ky koalicion nuk do të veprojë sikur PAN më herët.

“Pra këto shkarkime si tek konsujt edhe në borde është pozitive dhe nuk mund të zëvendësohen me militantë tjerë politikë nga LVV dhe LDK, të shpresojmë se do të ketë zgjedhje të profesionistëve në borde, shërbime konsullore, diplomatike apo në pozitat e sekretarit të përhershëm, pritet të shihet. Ky koalicion ka premtuar se nuk do të veprojë njëjtë si PAN dhe PDK më herët andaj ky koalicion aktual do të monitorohet në vazhdimësi nga ambasadat dhe shoqëria civile në Kosovë se a do të ndërhyrje në zgjedhje nëpër borde a jo. Herët është njëherë për të thënë më shumë përveç se duhet të pritet dhe tëshihet se a do të ketë borde profesionale apo borde me partiakë të ri apo ambasador partiak si deri më tash”, ka deklaruar Blerim Burjani.