Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një shkrimi në Facebook thotë se qeveria aktuale në koordinim me presidentin e vendit, Hashim Thaçi po i shpërblejnë vëllezërit e ministrave me grada të ambasadorëve, ndërsa theksoi se vendimet e veprimet e parregullta po e rëndojnë situatën në shërbimin e jashtëm të Republikës.

Sipas Kurtit, vendimet e mira të qeverisë së tij po sfidohen nga qeveria koti edhe te Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Kurti në fund thekson se vetëm zgjedhjet e reja mundësojnë kthimin e këtyre në gjirin e tyre familjar në Kosovë.

Ju pëlqen!

Ja shkrimi i tij:

Favoret e brendshme në shërbimin e jashtëm

Vendimet e mira të qeverisë sonë po sfidohen nga qeveria koti edhe te Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD). Kur Republika e Kosovës gjendet në pozicionin e saj më të dobët ndërkombëtar që nga shpallja e pavarësisë, vendime e veprime të parregullta vetëm sa po e rëndojnë situatën duke cenuar potencialin e MPJD-së dhe të shërbimit të jashtëm të Republikës.

Ne parashihnim auditimin e gradave diplomatike, ndërsa qeveria koti në koordinim me presidentin po shpërblen vëllezërit e ministrave me grada të amabsadorëve; përderisa ne po realizonim një proces profesional të rotacionit diplomatik, qeveria koti tejzgjatë mandatet e fëmijëve të ministrave dhe të figurave të PDK-së; ne ishim duke vendosur rregull përbrenda ministrisë, qeveria koti me transfere e rrokada sjell njerëz partiak e pa përvojë diplomatike në pozita të larta përbrenda MPJD-së; ne po krijonim hapësirë për diplomatët e karrierës, tash qeveria koti po kthen në shërbim konsuj të paligjshëm partiak.

Sipas modelit të regjimit të vjetër, çmimi i emërimit klientelist u pagua jo rrallë me lobime për pazare personale: prej librit të presidentit deri te projekti për pazare territoriale me Serbinë. Shërbimi i jashtëm duhet të jetë besnik ndaj Republikës dhe interesave kombëtare. Secili zyrtar i shërbimit të jashtëm “borxh” i ka vetëm atdheut e askujt tjetër.

Shërbimi i jashtëm duhet të përbëhet nga diplomatë të disiplinuar dhe me përgatitje të lartë, me dije të gjerë e kulturë të thellë, të cilët punojnë për mbrojtjen dhe përparimin e interesave të vendit e jo të shndërrohet në shërbim familjar që shpenzon buxhetin shtetëror për mirëqenien personale të anëtarëve të partive dhe familjarëve të qeveritarëve. Shërbimi i jashtëm nuk është shërbim arsimor e shëndetësor për familjarët e qeveritarëve.

Zgjedhjet e reja mundësojnë kthimin e këtyre në gjirin e tyre familjar në Kosovë.

 

 

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.