Ish-Kryeministri i suksesshëm, Albin Kurti, e ka kujtuar atdhetarin e intelektualin e madh shqiptar, Adem Demaçin në dyvjetorin e vdekjes, duke argumentuar se ai kurrë nuk u dorëzua përballë Titistëve, Rankoviqëve dhe Millosheviqëve, shkruan e pavarura MekuliPress.

Në kohën kur jetuan, Josip Broz Tito dhe Aleksander Rankoviqi, Adem Demaçi ishte burgosur duke mbajtur burg gati tri dekada sepse kërkonte bashkimin logjik e historik kombëtar me shtetin amë, Shqipërinë.

Albin Kurti:

Ju pëlqen!

Sot u bënë dy vjet pa Bacën Adem. Ai është ndër personat më frymëzues e formësues për mua e për Lëvizjen tonë.

Adem Demaçi i përjetoi tri jugosllavitë dhe hyri tre herë në burg. 28 vjet gjithsej i kaloi si i burgosur politik. Kur e liruan në prill 1990, tha se po del nga burgu i vogël në burgun e madh. Vazhdoi veprimtarinë politike pa pushim e kursim për veten.

Kurrë nuk u step prej frikës, kurrë nuk u mposht prej dhimbjes, kurrë nuk u ligështua prej trysnisë. Me thjeshtësi e qartësi të madhe intelektuale, me lakonizmin karakteristik, ai gjithnjë thoshte të vërteta therëse. Kjo cilësi iu njoh e iu vlerësua edhe nga Parlamenti Evropian, që i akordoi Adem Demaçit çmimin prestigjioz «Saharov» për lirinë e të menduarit.

Shkroi, tha e bëri aq shumë gjëra me peshë të rëndë politike, shoqërore e letrare, ndonëse tentativat për ta kufizuar, penguar e censuruar kurrë nuk munguan. Përballë Rankoviqëve, Titoistëve e Millosheviqëve, ky njeri shpirtmadh e mendjefortë, foli e tha të vërtetën universale të lirisë. E tha për popullin shqiptar, sepse këtij populli i ra për hise, falë zotit, një vigan i tillë.

Sot, kur mendojmë, mendojmë edhe a thua çka do të mendonte ai. Prandaj, kur veprojmë, veprojmë sikur edhe ai të ishte me neve.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.