Deri tash Presidenti Thaçi ka qëndruar në heshtje të plotë. Tash është momenti kur ai fillon të punojë vullnetarisht, jashtë orarit të punës, dhe çka është edhe më befasuese edhe pa pagesë. LDK duhet të dalë shpejt dhe qartë kundër çdo koalicioni tjetër, përveç me LVV. Këta të fundit duhet të sillen me modestinë e fituesit 

Berat Buzhala

Por le të kthehemi tash te fituesit. Ata të cilët sovrani i mandatoi me një mandat plebishitar që ta udhëheqin vendin, duke mos ua pasur nevojën as një vote tjetër të askujt. Aq më pak të Listës Serbe. Ani pse minimalisht ngushtë LDK duhet ta dijë se zgjedhjet i ka fituar Albin Kurti. Pra, këto zgjedhje kanë fitues, e fituesi e ka një emër. Vendi i dytë duhet të sillet si vendi i dytë, kurse vendi i parë duhet të sillet me modestinë e një fituesi që respekton të tjerët, e posaçërisht ata me të cilët ai synon që ta qeverisë vendin, ndoshta jo vetëm në këtë mandat. Për të mos e zgjatur këtë stërhollim të panevojshëm, duke i pasur në mendje rregullat e shkruara dhe të pashkruara të demokracisë dhe parlamentarizmit, ajo që dihet dhe që do të duhej të dihej dhe thuhej prej të gjithëve është se sovrani e ka zgjedhur kryeministër Albin Kurtin. Lidhja Demokratike do të duhej të ishte subjekti i parë që do ta thoshte këtë gjë zëshëm dhe pa asnjë dyshim. Nuk ka këtu POR, nuk ka këtu NËSE. Akrobacionet e ndyra politike, të natyrës se një koalicion i LDK’së me këtë parti, a me atë parti, plus me minoritetet, i bëjnë kaq e aq numra jo që nuk ofrojnë zgjidhje, por e rrezikojnë integritetin e zgjedhjeve, kurse shoqërinë tonë e çojnë në drejtim të rrezikshëm. Është deklaratë e butë nëse thuhet se tentativat e tilla e destabilizojnë. Një tentativë e tillë, duke e joshur LDK’në me pozitën e pamerituar të kryeministrit janë ftesë për dhunë, për cenim të demokracisë. Këtu nuk e kam asnjë dyshim që Presidenti Thaçi do të mund të punonte për herë të parë vullnetarisht, jashtë orarit të punës dhe pa pagesë, për të eksperimentuar. Sigurisht që ka edhe brenda LDK’së të tillë, që siç thotë populli, e pinë duhanin tinëz, kurse Thaçi është i gatshëm të lëshojë muzikë të mirë për veshët e tyre.
Për të mos ardhur deri në këtë situatë, kur situatën politike do ta rrëmbente Presidenti Thaçi, Lëvizja Vetëvendosje, duhet ta inkurajojë liderin e vet, fituesin e zgjedhjeve, që të vazhdojë të negociojë me LDK’në, respektivisht me Isa Mustafën si kryetar i këtij subjekti dhe Vjosa Osmanin mandatare për kryeministre, për të gjetur një zgjidhje të mirë për të dyja palët. Mundësia për të arritur një marrëveshje është enorme. Ka pozicione të mjaftueshme për t’u ndarë, duke e përfshirë këtu edhe atë të Hashim Thaçit. LVV dhe LDK duhet ta dinë një gjë, që çfarëdo marrëveshje që arrihet sot në mes tyre, do të jetë një marrëveshje që do të mund të zgjaste një dekadë, prandaj hidhërimet për gjëra banale, që sot do të mund të dukeshin të mëdha, janë të papranueshme. Shqiptarët e Kosovës ia kanë dhënë opozitës 61 mandate. Këto mandate ua kanë dhënë për t’u liruar nga pushteti i gjatë 12 vjeçar i PDK’së. Kushdo që mendon ndryshe është duke e tradhtuar këtë mandat dhe këtë votë. Këtë duhet ta dijë edhe Lutfi Haziri, edhe Agim Veliu, por edhe pjesa lepekeiste dhe uçekeiste e LVV’së, që për hir të së vërtetës do të ishin më të gatshëm që të qeverisin me Thaçin se sa me pinjollët e Ibrahim Rugovës. Dhe të tillë persona destruktivë në LVV ke sa të duash.

/MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...
[wpedon id=16879]