Vështirë se mund të quhet dialog, takimi mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit në Bruksel, që ka nisur me konfrontime, pas ideve dhe propozimeve të hedhura në tryezë. Disa persona të afërt me delegacionet i quajtën madje edhe në “prag incidentesh” momentet e takimit, raportoi DË, ndërsa siç sqaruan vetë Kurti dhe Vuçiç për mediat, bisedimet kanë reflektuar largësinë nga ku palët e shohin zgjidhjen e çështjes.

Si për ta përshkruar më së miri atmosferën konfliktuale në takim shërben përgjigjia që u dha Albin Kurti gazetarëvë, të cilët e pyetën nëse pati incidente. “Ishte mirë që kemi pasur një distancë prej dy metrash”, tha Kurti.
Njësoj, Vuçiç e përshkroi takimin si një prej më të vështirëve që ka pasur që prej fillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Në tryezë ishin edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak. Por në fund nuk pati asnjë dakordim për asnjë çështje të shtruar sot.

Kërkesat e Kurtit

Ju pëlqen!

Albin Kurti ka shtruar në tryezë 4 kërkesa duke e lënë topin në anën e Vuçiçit. E para ka të bëjë me faktin që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të marrëveshjes që kanë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda me BE –në.
Kjo kërkesë ka të bëjë me zhvlerësimin e nismës paralale të iniciuar nga Serbia për të ashtuquajturin “minishengenin ballkanik”, një projekt të cilin Kosova e sheh si të sponsorizuar nga Serbia.

Kërkesa e dytë ka të bëjë me faktin që Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët paqeje duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën.

Kërkesa e tretë sipas Kurtit është që pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet të ketë reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e të drejtave dhe të pakicave. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët në Serbi.

Kërkesa e katërt ka të bëjë me çështjen e të pagjeturve e të zhdukurve me dhunë. Sipas Kurtit, Serbia duhet të largojë nga pozita personat që duhen marrë në pyetje për krime, siç janë Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe Zoran Angjelkoviq.

Kurti del me këto katër propozime duke iu kundërpërgjigjur propozimit serb për themelimin e Asociacionit me shumicë serbe, që deri dje ishte në qendër të vëmëndjes edhe të faktorit ndërkombëtar. “Populli i Kosovës është kundër një asociacioni njëetnik” ka thënë Kurti.
Përgjigjia e Vuçiçit

Vuçiç i kapur në befasi

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç duket se është kapur në befasi nga kthimi i vëmëndjes ndaj Serbisë për 4 kërkesat e Albin Kurtit. Pas daljes nga takimi ai tha se “delegacioni i Prishtinës kërkonte vetëm njohjen e Kosovës dhe asgjë tjetër”.
Duke folur për sjelljen dhe fjalët e Albin Kurtit në takim, Vuçiç tha se gjatë këtij takimi ka pasur “provokime”, “papërgjegjësi” e “joseriozitet”.

“Sinqerisht nuk di çfarë t’ju them. Nuk kam marrë pjesë në asnjë takim tjetër si ky. Vetë kohëzgjatja e takimit flet për atë se cilat ishin rezultatet e këtij takimi. U pajtuam që në fund të korrikut të vazhdojmë dialogun. Shpresoj se kjo është një gjë e rëndësishme, e cila mund të garantojë paqen dhe stabilitetin, gjithçka tjetër do të ishte e panevojshme për t’u komentuar”, u shpreh Vuçiç për mediat.
Presidenti serb theksoi se delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet që ka nënshkruar më parë dhe nuk do të flaës për Asociacionin e Komunave Serbe. Kërkesën e Kurtit që nga delegacioni për kërkimin e të pagjeturve të largohet Velko Odaloviq, Vuçiqi i quajti si “mungesë realiteti, serioziteti dhe përgjegjësie”.

Diskutim i vështirë edhe për BE

Takimi nuk ka qenë i lehtë edhe për përfaqësuesit e BE, “por e rëndësishme është që dialogu ka vazhduar”, ka thënë Miroslav Lajçak. “Të dy liderët kanë qenë shumë të hapur dhe të drejtpërdrejtë në shprehjen e mendimeve të tyre se çfarë duan dhe çfarë presin nga dialogu. Për BE është me rëndësi që të dy palët e kanë konfirmuar se nuk ka ndonjë rrugë tjetër për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, përveç dialogut”, theksoi Lajçak.
Dialogu do të vazhdojë në fund të korrikut. Ndërsa Borrel, pas takimit me delegacionet e Serbisë dhe Kosovës, ai u takua me presidnetin e SHBA Josep Biden.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.