E rrethuar nga qen dhe mace, e ulur në një dhomë të vogël të tejmbushur me libra dhe letra, Catherine Camus tregon për marrëdhënien me babain e saj, si zbuloi se Camus kishte një të dashur e megjithatë nuk u nda kurrë nga bashkëshortja, takimi me María Casarès dhe dyshimet për vrasjen e tij.

Vendi ku prehet Albert Camus, pranë bashkëshortes së tij Francine, ndodhet në fund të varrezës së vogël në Lourmarin. Është një masiv prej guri të ashpër, me një oleandër në qendër dhe disa mesazhe nga adhuruesit e tij, ku i fundit është shkruar nga këngëtarja Patti Smith e cila pak kohë më parë i bëri homazhe intelektualit francez.

“Na vizitoi edhe në shtëpi, ku u mbyll në studio duke shfletuar dorëshkrimin e “Njeriu i parë”. Kur doli, qante”, tregon Catherine Camus, e bija 74-vjeçare e Albert Camus. Prej 30 vitesh ajo kujdeset për veprën e të atit. E rrethuar nga qen dhe mace, e ulur në një dhomë të vogël të tejmbushur me libra dhe letra, Catherine tregon për marrëdhënien me babain e saj, si zbuloi se Camus kishte një të dashur e megjithatë nuk u nda kurrë nga bashkëshortja, takimi me María Casarès dhe dyshimet për vrasjen e tij.

Ju pëlqen!

Pas disa ditëve do të përkujtohet gjashtëdhjetë vjetori i vdekjes së babait tuaj. Ç’kuptim ka për ju?

Përkujtimoret më mërzisin. Deri në korrik, madje as që i mendoja. Më pas filluan telefonatat, ftesat, propozimet për intervista. Ju gazetarët i adhuroni përvjetorët. Çfarë doni t’ju them? Për mua, babai im ka vdekur çdo ditë.

Jetoni ende me këtë mendim të pandryshuar?

Duhet ta tregoj zinë? Çfarë shprehjeje qesharake. Unë jetoj me zinë çdo ditë, domosdoshmërisht.

Ju mungon shumë?

Nuk është një gjë e trishtë, madje përkundrazi, qeshim shumë së bashku. Disa ditë më parë takova një historian sartrian që dukej sikur kishte dalë nga një frigorifer i viteve ’60. Mendova, ose ndoshta ishte babai që ma solli ndër mend: shih çfarë lythi qelbëzues. Gjithsesi, nuk pres ndonjë ceremoni të madhe.

Pse?

Institucionet franceze më parë injoruan njëqind vjetorin e lindjes së babait tim. Mbaj mend që atëherë më telefonuan nga Gallimard dhe ishin të shqetësuar ngaqë po afronte data. I thashë se harxhonin kohë, se nuk do të bëhej asgjë. Dhe kisha të drejtë.

Si shpjegohet sipas jush?

Babai im nuk e dontë pushtetin, edhe sot asnjë nuk mund ta përvetësojë veprën e tij. Jam shumë krenare. Kjo tregon se edhe i vdekur, arrin t’u shkaktojë shqetësime disave.

“I huaji” është një ndër librat fracezë më të shitur në botë.

Mund ta kem gabim, por besoj se kjo i detyrohet faktit se Camus flet për lartësinë e njeriut. Nuk kishte paragjykime dhe as ideologji. Thoshte: Nëse do të mendoja se e djathta ka të drejtë, do të isha i majtë. Ishte një macronist i orëve të para.

Ju e mbështesni presidentin Macron?

Duke parë liderët e tjerë si Trump, Johnson apo Salvini, besoj se jemi me fat që kemi Macron. Është i kulturuar, ka cituar disa herë babain tim dhe ndryshe nga politikanët e tjerë, gjatë jetës ka bërë edhe gjëra të tjera.

Presidenti është shumë i kritikuar, fillimisht nga lëvizja e jelekverdhëve dhe tani nga protesta e sindikatave.

Faktikisht shtypi e ka prezantuar si president të të pasurve, ndaj mendoj se është i pashpresë. Francezët janë ziliqarë, kjo është e tmerrshme. Gjyshja ime nga babai ishte shumë e varfër dhe pastronte shtëpi. Nëse do të kishte lindur sot, me siguri që do të kishte një jetë akoma më të vështirë.

Dhjetë vite më parë, ish-presidenti Sarkozy kërkoi që t’i zhvendosje eshtrat e babait tuaj në Pantheon.

E pagoi shtrenjtë, edhe unë bashkë me të.

Në ç’kuptim?

Sarkozy është kritikuar shumë dhe unë humba shumë miq nga e majta. Nuk e duruan idenë që shkova në një drekë me Sarkozy për të biseduar.

Në fund pranuat.

Mora qindra letra nga francezë që kishin lindur të varfër, si babai im. Ata më bindën. Të kishin Albert Camus në Pantheon, për ta do të ishte një shenjë shprese. Edhe gjyshja ime do të thoshte të njëjtën gjë.

Transferimi i eshtrave në Pantheon nuk u bë sepse vëllai juaj ishte kundër?

Jean nuk donte. Duke bërë shaka më tha se “për një herë të vetme, të bëra nder”. Marrëdhëniet tona nuk janë të lehta. Ka momente që më urren dhe momente të tjera që bën paqe. Vëllai im ka vuajtur gjithmonë nga çrregullime. Pas shtatë vitesh, tani nisëm të flisnim përsëri.

Jeni binjakë. Camus ju thërriste me dashamirësi “Murtaja dhe Kolera”. Kush ishte Murtaja?

Unë isha Murtaja, Jean ishte Kolera. Për ne babai ishte “Le Rassurant”, siguruesi. E shihnim si dikë të drejtë dhe të fortë. Preferoja shuplakat e mamasë se sa qortimet e babait. Ishte e pamundur ta gënjeje atë. Na edukoi me ndjenjën e ndershmërisë, të respektit për të tjerët. Kjo më shpëtoi pas vdekjes së tij.

Si e morët vesh aksidentin?

Mamaja na dërgoi në shtëpinë e disa miqve pa na thënë asgjë. E zbuluam duke dëgjuar bisedat e të tjerëve. Na u shemb toka. Mbaj mend vetëm frikën e madhe që kisha.

E keni lexuar librin e Giovanni Catelli që ngre hipotezën se ka qenë një komplot nga KGB?

Nuk e kam lexuar. Nuk dua të bëj pyetje të tjera mbi aksidentin, mjaft e rëndë është edhe kështu. Shpjegimi më logjik është një problem mekanik me makinën Facel Vega, është një makinë që ka shkaktuar edhe aksidente të tjera. Gjithsesi ka edhe njerëz që janë të bindur se ishte një komplot i OAS (organizata klandestine ushtarake kundër pavarësisë së Algjerisë). Është folur edhe për CIA-n. Duhet thënë se në skedat e CIA-s dhe KGB-së, babai im kishte të njëjtin përkufizim: trockist. Të paktën arriti që t’i dakortësonte.

Përse pritët deri në vitin 1994 për të botuar dorëshkrimin e gjetur në makinën e Camus, “Njeriu i parë”?

U konsultova gjatë përpara se ta bëja. Në fund vendimi u përshpejtua pasi mora vesh se ekzistonin kopje pirate të tij. Nuk doja që të botohej me gabime apo modifikime.

Është një vepër që flet për familjen tuaj. Nuk u ndjetë pjesë e kësaj gjëje?

Nëse do të mendoja kështu, nuk do të publikoja korrespondencën mes Camus dhe María Casarès.

Sa e rëndësishme ishte për ju që të botoheshin letrat e tyre?

Është botuar më parë një libër mbi marrëdhënien e babait tim me Marían. M’u duk më e drejtë që të ishin direkt ata të dy që ta tregonin historinë e tyre dhe kështu ndodhi.

Kur ishit e vogël, e dinit që babai juaj kishte një të dashur?

Për mua ishte diçka normale. Kur shkoja në shtëpitë e shoqeve dhe shihja që prindërit e tyre flinin në të njëjtin shtrat, më dukej e çuditshme. Nuk e di se si më erdhi, por një ditë shkova te mamaja ime dhe e pyeta: Si është María? M’u përgjigj: Është si ty. Nuk kuptova kurrë nëse për të ishte diçka e mirë, apo e keqe. Ose ndoshta të dyja bashkë. Vite më vonë binda veten që ishte një compliment.

E keni njohur Casarès?

Pas vdekjes së mamasë sime, në vitin 1980, i lashë një pusullë në një teatër në Nice ku ajo po jepte një shfaqje. Më telefonoi më vonë duke më ftuar në hotelin ku qëndronte. Shkova në kohën e drekës dhe kemi folur për rreth pesë orë të shtrira në shtrat duke ngrënë çokollata. Jemi takuar edhe herë të tjera më vonë, ishte një grua me shumë jetë.

A e vuante mamaja juaj këtë mungesë besnikërie?

Ishte e brishtë, shpesh herë nën depresion dhe me siguri që pabesitë nuk e ndihmonin. Babai im nuk e gënjeu kurrë, i kishte thënë se ishte i paaftë t’i qëndronte martesës. Në të njëjtën kohë nuk e la kurrë për shkak të betimit të bërë. Kam nisur të punoj duke sistemuar korrespondencën e tyre dhe më duhet të them se është një lloj psikanalize. Ndoshta një ditë do t’i botoj, që të kuptohet se sa kanë vuajtur të dy, sidomos gjatë periudhës së luftës.

Cili libër i Camus ju pëlqen më shumë?

“Rënia” dhe gjithashtu, edhe pse nuk është një vepër letrare, fjalimi i mbajtur në Stockholm me rastin e çmimit Nobel, kur thotë për shembull: “Jam i pasur me dyshimet e mia”. Sot të gjithë kanë opinione të prera, përfundimtare.

Mendoni ndonjëherë se ç’do të thoshte babai juaj sot, përpara gjithë kësaj rrëmuje botërore?

Mjafton të lexohet sërish vepra e tij. Thoshte se slogani do të zëvendësonte dialogun. Dhe ja ku ndodhi. Në shumë këndvështrime, ka qenë profetik.

*Albert Camus lindi në Algjeri nga prindër francezë, teksa u rrit në një lagje të varfër. Fitues i çmimit Nobel në letërsi në vitin 1957, u nda nga jeta më 4 janar 1960 pas një aksidenti automobilistik. Në romanet dhe veprat e tij filozofike ai shkroi për absurdin dhe nuk pranoi të konsiderohej si ekzistencialist. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!