Këngëtari i mirënjohur shqiptar, Alban Skënderaj, mbrëmë (e mërkurë) ka mbajtur koncertin solistik në sallën “1 tetori” në Prishtinë. Koncerti “Hapësira e një ëndrre”, me mbi 20 materiale muzikore të përgatitura enkas për publikun, ka mbledhur afro 3.000 fansa.

Gërshetimi midis rrymave të ndryshme të muzikës, përfshirë pop, RnB dhe i kombinuar me muzikën klasike – simfonike e me orkestër të mirëfilltë nga Kosova dhe Shqipëria, ka bërë që ky koncert të jetë akoma më i veçantë.

Recitali, i cili ka zgjatur mbi dy orë erdhi me disa elemente të reja, me këngë mjaft të veçanta e me një atmosferë të mrekullueshme.

“Jam super i emocionuar sonte, më shumë se kurrë, emocionet nuk mund t’i kontrolloj si asnjëherë tjetër. Jam shumë mirënjohës që sonte jam këtu. Është me të vërtetë realizimi i një ëndrre dhe faleminderit që jeni bërë pjesë e saj. Faleminderit për këto momente. Ne shqiptarët kemi nevojë për më shumë dashuri dhe po mundohem që me gjithë zemër t’ju ofroj dashuri. Arti nuk është luks, është një gjë esenciale, arti është ai që na emocionon, na bën të jemi më të mirët si në familje, si në punë dhe si në shoqëri. Arti është kudo”, nis koncertin këngëtari Skenderaj.

“Është një nga rekordet më të mëdha të jetës time, nuk është presion fare vetëm se po më dridhen pak këmbët”, thotë më tej Albani.

Këngëtari nis prezantimin e këngëve të tij dhe për secilin projekt jep një mesazh domethënës para performancës. Natyrisht, gjatë këtij koncerti nuk munguan as befasitë e artistit për fansat, derisa i përshëndeti, bisedoi me ta apo i solli edhe në skenë për të kënduar.

I njëjti solli edhe një moment të rëndësishëm gjatës natës së mbrëmshme, ku bashkë me këngën “Mirë se vjen në shpirtin tim”  në ekran u paraqit edhe klipi”Ti Barabartë unë”, projekt ky  i cili ka qëllim sensibilizimin e shoqërisë, integrimin e personave me aftësi të kufizuar si dhe socializimin e tyre.

Para performancës, ai ka dhënë një mesazh motivues për të gjithë ne: “Kjo video e sinkronizuar tregon se gjithmonë mund të gjesh një rrugë”.

37-vjeçari po ashtu gjatë kësaj mbrëmjeje ka zbuluar edhe një sekret për publikun, ndërkohë që në skenë u shfaq gruaja e tij këngëtarja, Miriam Cani

Çifti që u martuan muajin e kaluar, në momentin që po këndonin “Dhurata”, këngën e dedikuar vajzës së tyre, Amelia bënë të ditur se do bëhen prindër për herë të dytë.

Nga ana tjetër, përveç befasive të këngëtarit, në fund nuk munguan edhe ato nga fansat e tij, të cilët me pankarta në duar, e falënderuan kantautorin shqiptar.

“Prishtinë ju dua me zemër, faleminderit të gjithë juve që ishit të pranishëm”, janë fjalët që tha në fund Skenderaj.

“Hapësira e një ëndrre” e ka kompletuar karrierën e muzikantit dhe nuk ka dyshim se kjo përmbledhje përkon me të arriturat e shumta në muzikë. Albani jo vetëm që realizoi ëndrrën e tij, por edhe të mijëra fansave me spektaklin që dhuroi në Prishtinë. /Telegrafi/