Nga Alba Kepi

Sot është gjithçka e qartë pse nga mëngjesi në darkë me një interval kohe që nuk respekton asnjë të drejtë të konsumatorit, e që shkatërron çdo rregull produksioni televiziv, ekranet shqiptare janë pushtuar nga reklama ilaçesh, spitalesh, laboratoresh që influencojne tmerrin psikologjik tek teleshikuesi.

Gazetarë që paguhen me qindarka e analistë që paguhen me miliona në disa lista bordero pagash.

Gazetarë që nga mëngjesi në darkë janë rrugësh në kërkim të lajmit, eskluzivitetit, investigimit, zbardhjes së skandaleve, e talljes therëse deri në heqje dorë nga loja e pisët e politikës.

E analistë që luajnë nëpër studio televizive interesa marketingu kompanish private e kulla Babeli për tarafe politikanësh e oligarkësh.

Nuk është traumë, por dramë shumë aktesh e mizerjes së mosvleresimit të profesionistit në sistemin shqiptar të punës!

Po është e paligjshme publikimi i një data base me të dhënat e mijëra punonjësve, por është po aq e ligjshme që çdo kompani, biznes i madh o i vogël, institucion privat i publik të ketë faqen e transparencës ku personat në nivel drejtues e pergjegjës kanë të publikuar pasurinë e pagen e tyre.

Është kundër çdo deontologjie profesionale që gazetari analist të jetë shef marketingu e aq me tepër i një institucioni që kujdeset për shendetin publik.

E nuk është se po tentohet një revolucion social për shkak të dallueshmërisë, (siç po kërkojnë ta devijojnë o justifikojnë pagën e tyre) por një e vërtetë e rradhës e mbajtur fshehur prej kohësh e që ky skandal e beri të dallueshëm mes të tjerëve.

Ndoshta “lepuri mund të fle diku tjetër”, o ndoshta është veç një tjetër rrumpallë e rradhës për të hequr vëmendjen nga rrumpallat më të rrezikshme e lënë të qetë e nën hije interesa politike e ekonomike. Një tjetër faqe e kalbësires ku po zhytemi u zbardh!

Gazetarët që grisin këpucët rrugëve e paguhen me qindarka sot janë po në kërkim të lajmit, ndërsa analistët e borderove kanë nisur ditën në qendrat estetike e botike, në kërkim të look-ut për show-in e rradhës.

*Ato shamitë tek xhepi i xhaketës me të cilat jeni uniformizuar zevendesojini me euro “të dallueshme”.